Lajme

Lufta në Iran dhe frika për pasojat në ekonominë globale

Sipas një raporti të kompanisë së menaxhimit të aseteve Pictet Group, zhvillimet e fundit kanë filluar të ndikojnë në besimin e investitorëve

Lufta në Iran po vazhdon dhe situata në rajon mbetet e tensionuar, pavarësisht deklaratave të mëparshme të presidentit amerikan Donald Trump se operacioni mund të përfundonte shpejt. Me kalimin e ditëve dhe mungesën e një zgjidhjeje të shpejtë, analistët ekonomikë po paralajmërojnë për pasoja të mundshme në ekonominë globale, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe pasigurive në tregjet financiare.

Sipas një raporti të kompanisë së menaxhimit të aseteve Pictet Group, zhvillimet e fundit kanë filluar të ndikojnë në besimin e investitorëve. Kur rritet pasiguria gjeopolitike, investitorët bëhen më të kujdesshëm dhe shpesh ngadalësojnë investimet. Kjo mund të ndikojë edhe në ekonominë reale, pasi bizneset mund të shtyjnë projektet e tyre, ndërsa konsumatorët mund të reduktojnë shpenzimet.

Situata aktuale konsiderohet nga ekspertët si një “shok i ofertës”, pasi rritja e çmimeve të energjisë dhe pengesat në tregtinë ndërkombëtare mund të krijojnë presion mbi ekonominë botërore. Ky rrezik është veçanërisht i madh për Evropën, e cila varet shumë nga importet e energjisë.
Një faktor kyç në këtë krizë është çmimi i naftës. Para konfliktit, nafta Brent tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi, ndërsa tani çmimi është rritur dhe në disa raste ka arritur rreth 100 dollarë për fuçi. Nëse çmimet vazhdojnë të rriten, ndikimi mund të ndihet në rritjen ekonomike dhe në inflacion në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Eurozonën dhe Kinën.

Analistët e Pictet Group kanë paraqitur tre skenarë të mundshëm për zhvillimin e konfliktit. Skenari i parë dhe më i mundshëm është ai i një konflikti të kufizuar që mund të zgjasë nga dy deri në katër javë dhe që do të kishte një ndikim relativisht të vogël në tregje. Ky skenar krahasohet me situatën gjatë Luftës së Irakut 2003, ku tregjet përjetuan vetëm një periudhë të shkurtër paqëndrueshmërie.

Skenari i dytë parashikon një përshkallëzim rajonal të konfliktit për një periudhë nga një deri në dy muaj. Në këtë rast çmimi i naftës mund të rritet ndjeshëm dhe tregjet e aksioneve mund të pësojnë rënie. Analistët e krahasojnë këtë situatë me krizat gjatë Luftës së Yom Kippur dhe Luftës së Gjirit 1990–1991.

Skenari i tretë dhe më ekstrem parashikon një konflikt të zgjatur global që mund të zgjasë me vite dhe të çojë në një recesion global. Në këtë rast çmimet e energjisë mund të rriten ndjeshëm dhe tregjet financiare mund të pësojnë rënie të forta. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se probabiliteti për këtë skenar është shumë i ulët.

Sipas analistëve, zhvillimi më i mundshëm mbetet një konflikt i kufizuar me ndikim të përkohshëm në tregje. Megjithatë, situata mbetet e paqartë dhe çdo përshkallëzim i mëtejshëm i luftës në Iran mund të ketë pasoja të rëndësishme për stabilitetin ekonomik global.

3sgIgLJ.png