Lajme

Osmani: Po të propozohesha nga VV-ja si kandidate e vetme, do të rizgjidhesha presidente

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, atëherë ajo do të rizgjidhej presidente. Vetëvendosje e kishte propozuar Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa më pas ia kishte premtuar edhe Osmanit 30 nënshkrime për t’u kandiduar. Osmani i refuzoi ato.

Osmani në intervistë për “Syri TV” tha se ka pasur edhe përkrahjen e deputetëve të opozitës, sidomos të atyre nga LDK-ja.

“Pastaj pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë se ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën dhe natyrisht që e kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla, kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë duke ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem. Sikur unë të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe ta kishim një kandidat tjetër formal si gjithnjë, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të ishim duke diskutuar se si të kapitalizojmë nga përkrahja jashtëzakonisht e fuqishme e administratës Trump 2”, tha Osmani.

Ajo tha se kur ishte qartësuar se mund të ketë shanse të mëdha të rizgjidhej, nga VV-ja erdhi vlerësim i ri, e personalisht nga Kurti, se nuk do ta mbështesë kandidaturën.

“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim që votat vërtetë do të jenë aty, sepse e dini që LDK-ja ka thënë se s’ka pasur qëndrim refuzues për mua dhe ka pasur parti të tjera që fare nuk janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im, por kur u qartësua që unë kam shanse të zgjidhem, nga LVV-ja erdhi një vlerësim i ri dhe nga ai personalisht (Kurti) se nuk e mbështetë kandidaturën time”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se Kurtit ia ka besuar plotësisht dialogun Kosovë – Serbi.

“Tradicionalisht dhe me Kushtetutë, presidenti merret me politikën e jashtme. Unë kryeministrit Kurti ia kam besuar plotësisht dialogun. Jam presidentja e parë dhe e vetme që nuk kam dërguar përfaqësues në dialog. Presidenti Thaçi e ka pasur përfaqësuesin e tij në dialog kur kryeministri Mustafa e udhëhiqte atë edhe presidentja Jahjaga ka pasur përfaqësuesin e saj në dialog”, tha Osmani.

Ajo tha se për shumë marrëveshje e kishte kuptuar në media.

“Unë kam qenë e vetmja që s’ka dërguar përfaqësues në dialog, përkundër faktit që për shumë marrëveshje e kam kuptuar nga mediat, përkundër faktit që për shumë gjëra është pajtuar atje e ka ditur që unë nuk pajtohem, edhe për nenin 7 të marrëveshjes së Brukselit edhe për aneksin e Ohrit edhe për statutin e asociacionit, e ka ditur qëndrimin tim. Unë nuk i kam ndërhyrë asnjëherë”, tha Osmani.

3sgIgLJ.png