Sulmet izraelito-amerikane vazhdojnë të godasin objektiva ushtarake dhe ekonomike iraniane, ndërsa Irani reagon në disa fronte në rajon
Kanë kaluar tashmë nëntë ditë nga bombat e para të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara mbi Iranin. Sulmi u paraqit si një veprim parandalues për të penguar ajatëllahët nga disa objektiva. Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë pothuajse çdo ditë një arsye të ndryshme: promovimin e demokracisë dhe ndryshimin e regjimit, pengimin e Republikës Islamike që të sulmojë Izraelin, ndalimin e rikthimit në programin bërthamor ose ndërtimin e raketave të afta për të goditur Amerikën.
Sulmi amerikan u krye pa një deklaratë zyrtare lufte dhe pa një objektiv të qartë. Për këtë arsye është e vështirë të kuptohet nëse Shtetet e Bashkuara po fitojnë. Më e lehtë është të thuhet se kush po humbet, Irani, dhe kush po fiton, Izraeli.
Fitoret e Netanyahut
Që të paktën nga viti 1992, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar për rrezikun iranian, duke e quajtur atë “mallkimi i rajonit”, “rreziku bërthamor” dhe “kulmi i boshtit të së keqes”. Çdo lider shiit i vrarë, çdo bazë ushtarake dhe çdo infrastrukturë e shkatërruar që mund të mbështesë ambiciet e Republikës Islamike përbëjnë për të një fitore.
Goditjet për ajatëllahët
Teokracia iraniane po merr goditje të njëpasnjëshme. Nëse kjo do të ishte një ndeshje boksi, ajo do të ishte duke humbur me pikë. Por kjo është një luftë. Iranit i mjafton të qëndrojë në këmbë për ta konsideruar veten fitues. Mjafton që të mos shpërthejnë revolta të brendshme ose shkëputje të pakicave. Shkatërrimet materiale do ta kthejnë vendin vite pas, por nëse nomenklatura e regjimit ruan kontrollin, kjo do të jetë një problem për qytetarët dhe jo për drejtuesit.
Taktika
Taktika ka ndryshuar disi që nga 28 shkurti, dita e parë e agresionit. Në fillim aviacioni izraelito-amerikan, me mbështetjen e raketave dhe dronëve, i dha përparësi vrasjeve të shënjestruara dhe shkatërrimit të mbrojtjes ajrore dhe lëshuesve të raketave. Pasi fitoi kontrollin e qiellit, gjatë këtij fundjave ka kaluar në goditjen e infrastrukturave ekonomike.
Është e gabuar të flitet për “bombardime masive”. Objektivat janë të përzgjedhura edhe për të mos shpërdoruar municione. Ka pasur edhe gabime, si rasti i 165 vajzave të vrara në një shkollë, por në mënyrë cinike mungon interesi për të goditur civilët prej të cilëve pritet një kryengritje.
Po dalin gjithashtu sinjale për inkursione të forcave speciale në territorin iranian dhe për misione për shpëtimin e pilotëve të rrëzuar. Trump ka pasur gjithmonë një preferencë për forcat speciale.
Katër drejtime reagimi
Irani ka reaguar në katër drejtime: duke goditur Izraelin, bazat amerikane në rajon, rrjedhën globale të energjisë dhe duke mobilizuar milicinë aleate në Liban. Dje dukej se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapej, por kjo mbetet për t’u verifikuar.
Qielli i Libanit
Në Liban Izraeli po vepron i vetëm, pa SHBA-në. Ai kontrollon dimensionin e katërt të luftës, qiellin, dhe planifikon rreth 300 inkursione në ditë. Vrasjet e shënjestruara me dronë izraelitë vazhdojnë edhe në hotelet e Bejrutit ku janë strehuar refugjatë.
Hezbollahu reagon me pak lëshime raketash që zakonisht kapen nga mbrojtja ajrore, por arrin ta bëjë të vështirë një pushtim tokësor. Disa inkursione me parashutistë ose tanke janë zmbrapsur.
Shifrat
Fronti nën sulm po pëson humbjet më të mëdha. Mjafton të përmendet udhëheqësi suprem Ali Khamenei dhe të paktën 200 gjeneralë, politikanë dhe klerikë të vrarë, si dhe 42 anije të fundosura, përballë 7 ushtarëve amerikanë të vrarë.
Sipas shifrave të publikuara nga qeveritë përkatëse, rreth 1.400 persona kanë vdekur në Iran, mes tyre 400 fëmijë. Në Liban numri i të vrarëve arrin në rreth 400, përfshirë 150 fëmijë dhe, sipas Izraelit, 200 militantë. Në Izrael janë vrarë 11 civilë, mes tyre 3 fëmijë. Dy ushtarë izraelitë janë vrarë në Liban, 7 ushtarë amerikanë në Gjirin Persik, 21 në vendet prodhuese të naftës, 4 në Siri dhe një në Jordani. Megjithatë këto shifra ndikohen nga censurat kombëtare.
Sulmet në Gjirin Persik
Rreth 300 mijë persona janë zhvendosur nga Teherani dhe 800 mijë nga zonat libaneze nën sulm. Mesatarja e sulmeve izraelito-amerikane është rritur në afro 800 në ditë, ndërsa ajo iraniane ka rënë nga shtatë valë dronësh dhe raketash në drejtim të Izraelit në fillim, në vetëm tre.
Në Gjirin Persik tendenca është e kundërt: nga katër valë sulmesh në dhjetë çdo 24 orë. Sipas Gardës Revolucionare, 40 për qind e lëshimeve të tyre janë drejtuar ndaj Izraelit dhe pjesa tjetër ndaj bazave amerikane. Të dhënat arabe tregojnë një zgjedhje të qartë politike: Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pësuar gati 1.300 sulme, më shumë se dyfishi i atyre ndaj Izraelit (600) dhe Kuvajtit (500). Monarkitë e tjera – Katari, Arabia Saudite dhe Bahreini – kanë regjistruar rreth 430 sulme.
Po ndryshon gradualisht edhe armatimi. Irani tani përdor më shumë dronë, deri në 2.000 në ditë, ndërsa Izraeli dhe SHBA përdorin më shumë bomba dhe dronë. Të gjitha palët përdorin më pak raketa.
Mundësia e zgjerimit
Mediet izraelite kanë njoftuar disa herë për hyrjen në konflikt të vendeve që strehojnë baza amerikane të goditura nga Irani, por deri tani kjo mbetet vetëm një dëshirë. Kërkim-faljet e bëra ndaj fqinjëve arabë nga presidenti iranian tregojnë ndjeshmërinë e kësaj çështjeje.
Shërbimet sekrete izraelito-amerikane po përpiqen të bindin milicitë kurde të ndërhyjnë. Pas Hezbollahut, Teherani dëshiron të përfshijë edhe Huthit e Jemenit, por përballë tyre qëndron flota amerikane.
Evropa
Nga ana tjetër, Izraeli llogarit në ndihmën e qeverisë libaneze për të çarmatosur Hezbollahun, por deri tani Bejruti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë. Evropa vepron pa një linjë të përbashkët. Franca, Italia dhe Spanja kanë dërguar anije për të mbrojtur Qipron. Turqia shpreson të ndërmjetësojë. Pakistani, një fuqi bërthamore, po vëzhgon zhvillimet. Rusia ka pranuar se mbështet Iranin, por nuk është e qartë në çfarë forme, ndoshta vetëm me informacione satelitore. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

