Lajme

Edi Rama i kërkon Donald Trump-it që “për hir të Zotit” t’iu ndihmojë krerëve të UÇK-së – VIDEO

“Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka para se, siç thuani ju, shumë gjëra të këqija mund të ndodhin përsëri”.

Kështu ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në takimin e parë të Bordit të Paqes, duke i kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të bëjë diçka lidhur me Gjykatën Speciale, ku po gjykohen për krime lufte ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot, presidenti i Kosovës ka shpenzuar gjashtë vite në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, e sponsorizuar nga disa shtete demokratike, disa prej tyre të pranishme këtu, që duhet të jenë të turpëruara nga ai lloj i drejtësisë ndërkombëtare. Javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky shtet i madh dhe taksapaguesit e tij ka kërkuar 45 vjet burgim për Thaçin”, tha Rama.

Ai theksoi se lidershipi i presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë e kishte sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër se kurrë drejt një marrëveshjeje paqeje.

“Presidenti i Kosovës në atë kohë u ndalua brutalisht të udhëtonte për në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar atë marrëveshje në praninë e presidentit Trump, dhe kjo ishte vepër e prokurorit ‘sikario’ që iu vu pas vetë presidentit Trump dhe për këtë u bë botërisht i famshëm”.

Më 9 shkurt, Prokuroria e Gjykatës Speciale pati kërkuar nga 45 vjet dënim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në total, i bie që Prokuroria ka kërkuar 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së.

Ndërkaq, më 18 shkurt, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fjalët e tyre përfundimtare në gjykatë, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte që u vihen në barrë nga Prokuroria.

3sgIgLJ.png