Lajme

Iluzioni i globalizmit: Pse Amerika duhet të ndërtojë një sistem të ri botëror funksional

Shkruar nga Nadia Schadlow

Domosdoshmëria e braktisjes së burokratizmit shumëpalësh dhe ripozicionimi i shtetit-komb si arkitekti kryesor i sigurisë, tregtisë dhe llogaridhënies demokratike në epokën e rivalitetit me fuqitë autokratike.

Zhvendosjet e pushtetit nuk janë kurrë të lehta dhe sot po ndodh një ndryshim i madh,

jo thjesht midis shteteve rivale, por midis qasjeve konkurruese ndaj rendit ndërkombëtar. Kjo është një përplasje e dy sistemeve operative.

Midis njërit që pohon se sfidat globale mund të adresohen vetëm përmes institucioneve mbikombëtare, dhe tjetrit që këmbëngul se shteti-komb mbetet themeli i vetëm i autoritetit legjitim dhe veprimit efektiv.

Për dekada, qasja “globalizimi i pari” e ka dominuar mendimin perëndimor, duke supozuar se siguria, migrimi, pandemitë dhe klima kërkonin zgjidhje të centralizuara dhe rregulla shumëpalëshe.

Megjithatë, rezultatet e këtij modeli kanë qenë të pabarabarta, në mos dështime totale, pasi pavarësisht negociatave të pafundme, emetimet vazhdojnë të rriten dhe asnjë ekonomi e madhe nuk është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit mbi klimën.

Migrimi e ka destabilizuar politikën e brendshme të shumë vendeve, ndërsa konfliktet e armatosura janë më të shumta se kurrë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pandemia e COVID-19, nxori në pah dështimet e qeverisjes globale të shëndetit, ndërsa Kina i shfrytëzoi në mënyrë selektive rregullat ndërkombëtare për të grumbulluar fuqi ekonomike dhe teknologjike, duke e diskredituar idenë se integrimi do të prodhonte një partner bashkëpunues.

Pas vitit 1945, SHBA-ja udhëhoqi krijimin e OKB-së, FMN-së dhe OBT-së, por me kalimin e kohës këto organe evoluan në entitete autonome që shpesh injorojnë interesat e shteteve që i financojnë dhe veprojnë pa llogaridhënie.

Besimi se tregtia e lirë do të lehtësonte varfërinë u përplas me realitetin e subvencioneve kineze dhe praktikave të padrejta, ndaj të cilave OBT-ja u tregua e pafuqishme për të disiplinuar proteksionizmin e rrënjosur.

Një sistem i ri operativ duhet të fillojë nga shteti-komb, pasi janë shtetet ato që zotërojnë mjetet reale – të ardhurat, infrastrukturën dhe forcën – për të financuar, rregulluar dhe zbatuar ligjin. Në demokraci, llogaridhënia është e drejtpërdrejtë midis qeverisë dhe qytetarit. Ky zinxhir këputet kur autoriteti u delegohet burokratëve ndërkombëtarë që nuk përballen me pasojat e dështimeve të tyre.

Një bashkëpunim efektiv nuk ndodh dot përmes kornizave universale me interesa kontradiktore që prodhojnë paralizë, por përmes “koalicioneve të vullnetit” ku shtetet bien dakord për qëllimet dhe mjetet.

Aleanca si NATO janë të suksesshme, pikërisht sepse nuk zëvendësojnë ushtritë kombëtare, por varen nga cilësia dhe gatishmëria e forcave kombëtare të shteteve anëtare. Shembuj si programi PEPFAR i administratës Bush për AIDS-in apo Iniciativa e Sigurisë ndaj Përhapjes (PSI), treguan se iniciativat vullnetare të udhëhequra nga shtetet japin rezultate praktike aty ku dështojnë institucionet globale.

Për shembull, PSI nuk ishte një traktat mbikombëtar, por një mekanizëm për të ndarë të dhënat e inteligjencës si dhe për të ndaluar dërgesat e armëve të paligjshme, duke u mbështetur te autoritetet kombëtare.

Edhe në fushën e zhvillimit, ekonomistë si William Easterly kanë argumentuar se asnjë sasi ndihme e huaj nuk mund të zëvendësojë reformën e brendshme dhe kapacitetin shtetëror. Në Afrikë, “Paktet Kombëtare të Energjisë” të vitit 2025, dëshmojnë se pronësia kombëtare mbi reformat është më efektive sesa axhendat nga lart-poshtë të OKB-së.

Ky korrigjim kursi nuk do të thotë izolim apo braktisje e bashkëpunimit, por një vlerësim realist i kufizimeve të institucioneve shumëpalëshe, të cilat duhet të shërbejnë vetëm për koordinim dhe ndarje informacioni kur përputhen interesat.

Sistemet e ngadalta të lidhura me konsensusin, i kanë lënë shtetet demokratike të pambrojtura ndaj sfidave të Kinës, e cila shfrytëzon burokracinë sklerotike të OBT-së për të dominuar industritë strategjike si çeliku dhe energjia diellore përpara se të marrin një vendim gjykatat ndërkombëtare.

Realiteti i sotëm gjeopolitik, kërkon që shtetet demokratike të ndalojnë së iu binduri një rendi global që shpesh mbron autorët e shkeljeve, siç po shihet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, i cili manipulohet nga regjimet autoritare për të shmangur censurën. Progresi i vërtetë vjen nga bindja, veprimi konkret dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë midis qeverive të përgjegjshme që harmonizojnë interesat e tyre kombëtare. Ky model i përqendruar te shteti, jo vetëm që do të prodhojë rezultate të prekshme dhe pozitive në siguri dhe ekonomi, por do të mbështesë vlerat demokratike në një mënyrë më bindëse sesa mund të bënte ndonjëherë arkitektura burokratike e institucioneve globale.

Amerika dhe aleatët e saj, duhet të gjejnë zgjidhjet e tyre për problemet kryesore të epokës, duke e rikthyer shtetin në qendër të veprimit praktik dhe duke mbrojtur sovranitetin si mjetin kryesor për të garantuar mirëqenien e qytetarëve të tyre.
Korniza globale, e cila funksionon shpesh si një zë pasiv që lë në hije shkaqet e vërteta të problemeve, duhet të zëvendësohet me një angazhim proaktiv ku shtetet marrin përsipër përgjegjësinë për emetimet, sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe mbrojtjen kolektive. Vetëm duke e riaktivizuar fuqinë e shtetit demokratik dhe llogaridhënien para popullit, bota e lirë mund të përballojë krizat ekzistenciale dhe konkurrencën strategjike me fuqitë autokratike, pa u “mbytur” në rrjetat e dendura të një diplomacie shumëpalëshe që ka humbur efektivitetin e saj.

Ky tranzicion drejt një sistemi të ri operativ, është i domosdoshëm për të siguruar që mjetet e qeverisjes t’u përgjigjen me shpejtësi dhe saktësi nevojave të shekullit XXI, duke e bërë bashkëpunimin ndërkombëtar një mjet për rezultate, dhe jo një qëllim në vete që mbron statuskuonë aktuale sklerotike./ “Foreign Affairs”

Shënim: Nadia Schadlow, bashkëpunëtore në Institutin Hudson. Gjatë administratës së parë Trump, ajo shërbeu si Zëvendës Këshilltare e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

3sgIgLJ.png