Shtetet e Bashkuara kanë publikuar Strategjinë e re të Mbrojtjes Kombëtare, e cila shënon një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet e Pentagonit dhe në raportet me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas dokumentit të ri 34-faqësh, qëllimi parësor nuk është më Kina, por siguria e brendshme dhe mbrojtja e territorit amerikan dhe e hemisferës perëndimore. Në vend të përballjes me Pekinin, strategjia përmend përdorimin e “forcës, por jo përplasje direkte”.
Strategjia pasqyron thirrjet e përsëritura të presidentit Donald Trump për t’u dhënë fund subvencioneve që Uashingtoni ka ofruar për dekada për sigurinë e aleatëve. Ajo kërkon që partnerët të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, sidomos përballë kërcënimeve si Rusia dhe Koreja e Veriut. Sipas dokumentit, aleatët janë mësuar të lënë barrën financiare dhe ushtarake mbi SHBA-në, por kjo periudhë mbaron këtu. Megjithatë, theksohet se kjo nuk do të thotë që SHBA po kthehet në izolim, por po ndjek një qasje të përqendruar dhe realiste ndaj kërcënimeve.
Dokumenti thekson se interesi kombëtar amerikan nuk duhet të ngatërrohet me problemet globale, duke nënvizuar se “një kërcënim për dikë në anën tjetër të botës nuk është domosdoshmërisht një kërcënim për një amerikan”. Për pasojë, pritet që vendet si ato të Europës të marrin rol udhëheqës në përballimin e rreziqeve që i prekin më drejtpërdrejt. Rusia përshkruhet si një kërcënim “i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm” për vendet lindore të NATO-s.
Ndryshe nga versionet e mëparshme të strategjisë, nuk përmendet më Tajvani, megjithëse nënvizohet se SHBA do të pengojë çdo përpjekje për dominim nga Kina apo vende të tjera ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj. Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, SHBA njoftoi një shitje armësh prej 11 miliardë dollarësh për Tajvanin, çka provokoi stërvitje të mëdha ushtarake nga Kina.
Në lidhje me Korenë e Veriut, roli i SHBA-së në frenimin e saj do të jetë më i kufizuar, ndërsa theksohet se Koreja e Jugut është e aftë të mbajë barrën kryesore të kësaj detyre.
Strategjia përmend gjithashtu ndërhyrjet e administratës së Trump gjatë vitit të fundit, përfshirë arrestimin e presidentit të Venezuelës Nicolás Maduro, sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Paqësorin lindor dhe Karaibe, si dhe presionin mbi vendet evropiane për çështjen e Groenlandës. Në fund, theksohet se Pentagoni do të garantojë akses strategjik të SHBA-së në territore kyçe si Panamaja, Gjiri i Meksikës dhe Groenlanda.
