Presidenti rus Vladimir Putin i tha udhëheqësit palestinez Mahmoud Abbas se Rusia është gati të dërgojë 1 miliard dollarë në asete ruse të ngrira në Shtetet e Bashkuara për iniciativën e Këshillit të Paqes të Presidentit Donald Trump për të mbështetur popullin palestinez.
Putin tha gjithashtu se ideja e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për Bordin e Paqes është diskutuar më parë me Shtetet e Bashkuara, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.
Putin pritet të takohet me të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, më vonë sot, me Kremlinin që thekson rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare në bisedimet që po zhvillohen.
Ndërkohë Putin u përpoq të distancohej nga çdo rol i Moskës në debatin për Groenlandën të mërkurën, duke deklaruar se “ajo që po ndodh me Groenlandën nuk na shqetëson aspak”.
Megjithatë, ai e bëri këtë duke dhënë edhe një kontekst historik që, gjithsesi, dukej se i referohej ambicieve të presidentit amerikan Donald Trump.
Duke folur në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë të mërkurën, Putin përmendi shitjen e Alaskës nga Rusia në vitin 1867, duke theksuar se SHBA e bleu territorin për 7,2 milionë dollarë, një shumë që ai vlerësoi se sot do të ishte rreth 158 milionë dollarë.
Putin më pas krahasoi madhësinë e Alaskës me atë të Groenlandës dhe sugjeroi se, sipas së njëjtës logjikë, vlera e Groenlandës mund të ishte “diku rreth 200–250 milionë dollarë”, ose “më afër një miliardit” nëse llogaritet sipas çmimeve historike të arit. “Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë shumë”, tha ai.
Më pas ai përmendi një tjetër shitje historike: atë nga Danimarka të Ishujve të Virgjër te SHBA në vitin 1917.
Putin theksoi se çështja “nuk na shqetëson” dhe se duhet të zgjidhet mes Danimarkës dhe SHBA-së. “Danimarka e ka trajtuar gjithmonë Groenlandën si koloni dhe e ka trajtuar mjaft ashpër, për të mos thënë mizorisht”, shtoi ai.
