Yndyra natyrale hiqet dhe zëvendësohet me vaj palme, produktet shiten si ushqim tradicional dhe mungesa e kontrollit i kthen raftet e supermarketeve në rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve
Siguria ushqimore në Shqipëri paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve sepse një pjesë e industrisë së përpunimit të qumështit ka ndërtuar një model prodhimi që nuk mbështetet më te qumështi natyral, por te skremimi i plotë i tij dhe zëvendësimi i përbërësve bazë me lëndë të para industriale si vaji i palmës dhe qumështi pluhur i përftuar nga hirra.
Ky proces nuk ndodh rastësisht dhe nuk lidhet me vështirësi teknike, por me vendime konkrete ekonomike të marra nga fabrika të njohura në treg si Lufra, Erzeni, Fast, Gjirofarm, Zepa Natyral dhe subjekte të tjera të përpunimit të qumështit, të cilat marrin qumështin e freskët nga fermerët, nxjerrin yndyrën natyrale përmes skremimit teknik, përdorin ajkën për prodhimin e gjalpit që shitet veçmas me çmim më të lartë, dhe në produktet që shkojnë për konsum masiv shtojnë vaj palme për të rikrijuar artificialisht përmbajtjen e yndyrës dhe qumësht pluhur për të rritur volumin.
Kjo është arsyeja pse në treg qarkullojnë produkte të emërtuara si gjizë, kaçkavall apo produkte qumështi që nuk përmbajnë më yndyrë shtazore në përqindjet që kërkon ligji dhe praktika ushqimore, por përmbajnë yndyrë bimore që nuk ka lidhje me qumështin, ndërkohë që etiketimi nuk e pasqyron realisht përbërjen dhe konsumatori paguan për diçka tjetër nga ajo që merr.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pasur dijeni për këtë praktikë, pasi vetë AKU ka kryer kontrolle dhe ka pranuar publikisht se në produkte të caktuara janë konstatuar vaj palme dhe niseshte, por veprimet janë kufizuar te gjobat administrative dhe te ndërhyrjet formale në etiketa, pa u shoqëruar me analiza të thelluara laboratorike që të vërtetojnë përmasën reale të fenomenit.
Pyetja është e drejtpërdrejtë dhe nuk kërkon justifikime teknike. Pse AKU nuk ka dërguar në mënyrë sistematike mostra të produkteve të qumështit për analiza të plota kimike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, institucion që ka kapacitet për të dalluar yndyrën shtazore nga ajo bimore dhe për të përcaktuar nëse një produkt përmban vaj palme.
ISUV funksionon si laborator referent shtetëror dhe ka detyrimin ligjor për të kryer analiza të tilla, por deri më sot nuk ka asnjë raport publik të detajuar që të tregojë sa produkte janë analizuar, cilat fabrika janë përfshirë, cilat rezultate kanë dalë dhe çfarë masash janë marrë mbi bazën e këtyre rezultateve.
Ndërkohë, importet e vajit të palmës në Shqipëri janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit, ndërsa prodhimi vendas i qumështit ka rënë për shkak të uljes së numrit të krerëve të lopëve qumështore, fakt që tregon se industria e qumështit po mbështetet gjithnjë e më shumë te zëvendësuesit industrialë dhe jo te lënda e parë reale.
Kjo situatë krijon një zinxhir mashtrimi ku prodhuesit rrisin fitimin, institucionet kufizohen në masa formale dhe konsumatori ushqehet me produkte që gjatë gatimit lëshojnë vaj në nxehtësi dhe nuk kanë vlerat ushqyese të një produkti qumështi.
Në këtë pikë, çështja nuk është më vetëm problem sigurie ushqimore, por merr dimension penal dhe kërkon përfshirjen e Prokurorisë së Posaçme, sepse kur një subjekt ekonomik falsifikon përbërjen e ushqimit dhe e shet si produkt tjetër, ai kryen mashtrim me pasoja për shëndetin publik, dhe kur një institucion shtetëror ka dijeni dhe nuk vepron në thelb, lind dyshimi për shpërdorim detyre.
SPAK duhet të hetojë këtë skemë duke ndjekur zinxhirin e plotë të veprimeve, duke verifikuar importet e vajit të palmës, sasitë e përdorura nga fabrikat e përpunimit të qumështit, raportet e inspektimit të AKU, vendimet për gjoba administrative, mungesën e referimeve penale dhe arsyet pse mostrat nuk janë dërguar për analiza të plota në ISUV.
Nëse SPAK verifikon se zyrtarë të AKU kanë pasur dijeni të plotë për përbërjen reale të produkteve dhe kanë zgjedhur të mos veprojnë përtej gjobave formale, atëherë çështja kalon nga neglizhencë administrative në favorizim të subjekteve ekonomike dhe bashkëpunim në mashtrim ushqimor të organizuar.
Siguria ushqimore nuk mbrohet me njoftime për shtyp dhe as me kontrolle sporadike, por me analiza laboratorike, transparencë dhe ndalim të qartë të praktikave që shndërrojnë ushqimin në produkt artificial, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të blejnë me bindjen se po konsumojnë qumësht.
Përfshirja e SPAK nuk është kërkesë politike dhe as alarm mediatik, por nevojë ligjore për të përcaktuar përgjegjësi penale në një skemë që prek çdo familje dhe çdo tavolinë, sepse ushqimi nuk është mall i zakonshëm, por element bazë i shëndetit publik. /Pamfleti
