Në ditët e sotme, të dish si të dallosh nëse telefoni yt është hakuar është një njohuri shumë e rëndësishme. Shumica e njerëzve varen shumë nga telefoni: rreth tre të katërtat e përdoruesve në mbarë botën e përdorin për biseda dhe mesazhe, 6 në 10 për shërbime bankare dhe pothuajse gjysma për navigim, sipas Statista.
Ndërkohë, sipas Pew Research, 15% e të rriturve në SHBA përdorin vetëm smartphone-in për internet, pa pasur lidhje broadband në shtëpi. Kjo do të thotë se nëse telefoni komprometohet, pasojat mund të jenë serioze, nga humbja e të dhënave personale deri te vjedhja e parave.
Më poshtë janë disa shenja që tregojnë se telefoni mund të jetë hakuar, si dhe çfarë duhet të bëni nëse dyshoni për diçka të tillë.
- Kontrolloni baterinë e telefonit
Një nga shenjat më të zakonshme të një telefoni të hakuar është shkarkimi i shpejtë i baterisë. Në disa raste, telefoni mund të nxehet pa arsye. Nëse vini re një ndryshim të papritur dhe të vazhdueshëm, kjo mund të tregojë se aplikacione të padëshiruara po funksionojnë në sfond.
- Kontrolloni faturën e telefonit
Një faturë më e lartë se zakonisht mund të jetë shenjë e aktivitetit të paautorizuar. Rritja e papritur e përdorimit të internetit (bandwidth) mund të tregojë se telefoni po dërgon të dhëna pa dijeninë tuaj.
- Kontrolloni aplikacionet e instaluara
Nëse telefoni është hakuar:
- Mund të shfaqen aplikacione që nuk i keni instaluar vetë
- Aplikacionet mund të hapen ose mbyllen vetë
- Ato mund të ngarkohen shumë ngadalë
Çdo sjellje e pazakontë duhet marrë seriozisht.
- Kujdes nga njoftimet dhe ndryshimet në cilësime
Njoftime të çuditshme, kode verifikimi me dy hapa që nuk i keni kërkuar, ose pop-up-e të dyshimta janë sinjale alarmi. Gjithashtu, kontrolloni nëse cilësimet e kamerës, mikrofonit ose vendndodhjes kanë ndryshuar pa lejen tuaj.
- Kontrolloni llogaritë tuaja online
Shenja më serioze është kur humbni aksesin në llogari të rëndësishme, si Apple ID, Google Account apo profile të tjera online. Kjo tregon se dikush tjetër mund të ketë marrë kontrollin.
- Instaloni dhe përdorni antivirus
Instalimi i një programi sigurie të besueshëm mund të zbulojë nëse telefoni është infektuar me malware ose spyware. Disa nga opsionet më të njohura përfshijnë: Bitdefender, Norton, Kaspersky, AVG, McAfee. Fshini çdo gjë të dyshimtë, rindizni telefonin dhe ekzekutoni sërish skanimin për t’u siguruar që pajisja është plotësisht e pastër.
