Gjatë Gallery Weekend në maj 2026, galeria Société do t’i kushtojë një ekspozitë personale skulpturave të tij
Si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama mbetet një figurë thellësisht polarizuese; si artist, ai gjen ekuilibër përballë barrës së qeverisjes dhe ka fituar vlerësimin e galerive më prestigjioze ndërkombëtare.
Poetë apo tregtarë imobiliarë, shkrimtarë, aktorë, komedianë apo prezantues televizivë: jo gjithmonë janë politikanët e formuar klasikisht ata që drejtojnë fatin e një vendi, siç e tregojnë shembujt nga Çekosllovakia, Ukraina apo Shtetet e Bashkuara.
Një filozof në krye të shtetit ekziston vetëm në Republikën e Platonit, por Republika e Shqipërisë qeveriset që prej vitit 2013 nga një artist pamor – piktor dhe skulptor: Edi Rama.
Në rininë e tij, Rama u dallua si basketbollist dhe arriti të luante edhe me ekipin kombëtar. I lindur në vitin 1964 në Tiranë, ai studioi pikturë në Akademinë e Arteve dhe më pas dha mësim aty si pedagog, përpara se të hynte në politikë fillimisht si ministër i Kulturës dhe më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht në këtë rol, ai u bë i njohur për ndërhyrjet estetike në fasadat e qytetit, duke i mbushur ato me ngjyra – një zgjidhje vizualisht efektive dhe relativisht e lirë.
Më vonë, Rama u ngjit në postin e kryeministrit dhe vitin e kaluar u konfirmua për herë të katërt, me një shumicë absolute për Partinë Socialiste.
Rama polarizon. Kritikët e akuzojnë për prirje autoritare; mbështetësit e shohin si një kozmopolit ambicioz, të vendosur për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian.
Vizatimët e tij fillimisht nuk ishin menduar për treg. Rama rrëfen se, në fillimet e karrierës politike, nuk e përballonte emocionalisht numrin e madh të mbledhjeve të gjata.
Ai ndihej “i rrëmbyer nga mbledhjet”. Ashtu si shumë njerëz që vizatojnë pa vetëdije gjatë telefonatave, Rama nisi të skicojë gjatë konferencave.
Një studim shkencor ka treguar se një aktivitet i tillë rrit përqendrimin.
Në njëfarë mënyre, këtë praktikë mund ta quash “écriture automatique”, siç e quanin surrealistët, thotë ai.
Edhe gjatë bisedës sonë në Zoom, vështrimi i tij zbret vazhdimisht mbi tavolinë, ndërsa nga linjat e zeza të brendshme shfaqet një zog. Edhe sot, zyra e tij mbetet njëkohësisht studio.
Në fund të viteve ’90, një koleg nga kabineti iu afrua dhe i tregoi koleksionin e tij të artit. Rama u irritua. Ministri i Arsimit kishte mbledhur vizatimet e tij spontane nga mbledhjet.
“Më kishte grabitur, thjesht kishte ikur me vizatimet e mia”, kujton ai. Edhe një asistente në zyrë kishte bërë të njëjtën gjë. Pikërisht atëherë, Rama kuptoi se skicat e tij kishin vlerë dhe kërkesë.
Jeta e tij, thotë ai, është shpalosur si një film, skenarin e të cilit nuk e ka njohur kurrë paraprakisht – përfshirë edhe kapitullin e hyrjes në tregun e artit.
Kur nisi të zhvillonte pikturën nga vizatimet, mbështetja i erdhi nga një ish-student i Akademisë së Tiranës, sot artist me famë ndërkombëtare: Anri Sala.
Sala e inkurajoi Ramën t’i botonte punët e tij në libra. Njëri prej tyre përfundoi në duart e galeristit berlinez Michael Schultz, duke i hapur rrugën tregut të artit.
Një artist mik pati idenë të përdorte një nga vizatimet e Ramës si model për një objekt qeramik, të cilin e poqi dhe ia dhuroi nënës së tij. Rezultati e bindi Ramën aq shumë, sa ai nisi të kalonte çdo fundjavë në studion e mikut, duke prodhuar vetë skulptura – “vizatime në 3D”.
Veprat abstrakte, të glazuruara, duken fluide, të valëzuara, sikur janë gatuar me dorë; janë të pasura në ngjyrë dhe shumë ekspresive. Sipas kritikut Martin Herbert, ato e udhëheqin syrin “përreth kthesave, drejt zgavrave dhe sërish jashtë, përgjatë sipërfaqeve të ndryshme”.
Kur Ramës iu dërgua një email nga galeristja e famshme Marian Goodman në vitin 2016, për ta pyetur nëse mund të bëhej pjesë e programit të saj, ai mendoi se mund të ishte një shaka.
Ai kontaktoi Anri Salën, i cili përfaqësohej tashmë nga galeria prestigjioze në New York: A ishte oferta serioze?
Po, erdhi përgjigjja. Interesi i Goodman ishte i sinqertë. Megjithatë, Rama mbeti skeptik nëse oferta lidhej më shumë me jetën e tij politike, se sa me artin.
Sigurisht, pranoi Goodman, kombinimi i politikës dhe artit është i pazakontë – por edhe George W. Bush pikturon, dhe ajo nuk do ta përfaqësonte për këtë arsye.
Së fundmi, edhe galeria tjetër ndërkombëtare Société nga Berlini i ka propozuar përfaqësim artistit. Pronari i saj, Daniel Wichelhaus, vlerëson stilin e lirë të vizatimit të Ramës – “mënyrën se si ai thjesht gërvisht rreth e rrotull” – duke vënë në dukje se vizatimet shumëngjyrëshe trajtojnë vazhdimisht çështje thelbësore të pikturës.
Çmimet, sipas tij, janë rreth 3.800 euro për vizatimet, rreth 35.000 euro për skulpturat dhe deri në 50.000 euro për instalacionet me tapet muri.
A lidhen arti dhe politika në mendimin e Ramës?
Ai thotë se ia ka bërë shpesh vetes këtë pyetje, por përgjigjja është jo. Politika është “luftë, përplasje; përballesh me njerëz të pamëshirshëm dhe duhet të mbijetosh”.
Arti, përkundrazi, është për të “lutje, një mundësi për t’u ftohur”. Megjithatë, pa politikën, ai nuk do të kishte vizatuar kaq shumë, sepse nuk e sheh veten si një artist të izoluar vetëm në studion e tij.
Kur ishte hera e fundit që vizitoi një panair arti? Në vitin 1994 – FIAC në Paris.
Një kohë tepër e gjatë për një artist që ka marrë pjesë në Bienalen e Venecias dhe ka ekspozuar në New Museum në New York, Centre Pompidou në Paris, Haus der Kunst në Mynih dhe Kunsthalle Rostock.
Ai përfaqësohet gjithashtu nga galeri të tjera: Alfonso Artiaco në Napoli dhe Nuno Centeno në Porto, si dhe më parë nga Galerie Carlier Gebauer në Berlin.
Gjatë Gallery Weekend në maj 2026, galeria Société do t’i kushtojë një ekspozitë personale skulpturave të tij.
Artisti ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në hapje.
Intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung
