Të mërkurën para deputetëve në Kuvend përveç përzgjedhjes së Guvernatorit do të jetë edhe votimi i propozim- ndryshimeve të ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Me këtë propozim ligj parashihet edhe formimi i policisë komunale. Nga Ministria për Pushtet Lokal për TV Shenja thonë se në nenin 22, i cili rregullon kompetencat e komunave, në paragrafin 1, pika 12, shtohet një kompetencë e re, e cila përcakton rregullimin e rendit komunal.
MINISTRIA PËR VETËQEVERISJE LOKALE
“Komunat janë përgjegjëse për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e rendit komunal. Për ta bërë këtë në mënyrë të organizuar dhe ligjore, ato duhet të krijojnë një njësi të veçantë brenda administratës së tyre, e cila do të merret posaçërisht me çështjet e rendit komunal dhe do të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi”.
Propozimin për ndryshimin e ligjit për Vetëqeverisje Lokale e kanë përshëndetur edhe nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale.
Nga BNJVL thonë se themelimi i policisë komunale është kërkesë e kahmotshme e tyre. Shpresojnë se pas miratimit të këtij ligji, komunat do të ofrojnë shërbime shumë më të mira për qytetarët e tyre.
Me këtë ligj, përveç formimit të policisë komunale parashihet edhe shkarkimi i kryetarit të komunës.
Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien e kryetarëve të komunave, këshillave dhe shërbimeve komunale dhe synon gjithashtu parandalimin e korrupsionit dhe digjitalizimin e shërbimeve komunale.
Mevludin Imeri /SHENJA/