Lëvizja Vetëvendosje (LVV) arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e sotme parlamentare, duke siguruar një shumicë të qëndrueshme që i mundëson formimin e qeverisë së re “Kurti 3” pa nevojën e koalicioneve të gjera…
Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë, të dytat brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e sotme parlamentare, duke siguruar një shumicë të qëndrueshme që i mundëson formimin e qeverisë së re “Kurti 3” pa nevojën e koalicioneve të gjera. Ky rezultat shënon fundin e ngërçit politik të shkaktuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ku partitë nuk arritën të siguronin shumicën qeverisëse dhe nuk ranë dakord as për koalicion qeverisës.
-Sa vota morën partitë kryesore
Sipas të dhënave zyrtare, pas numërimit të mbi96 për qind të kutive, LVV-ja ka marrë 49,79 për qind të votave ose 419,767 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 21,16% (178,422 vota)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 13,79% (116,224 vota)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 5,74% (48,416 vota)
Lista Serbe– 3,85% (32,438 vota)
Nisma Socialdemokrate – 1,72% (14,491 vota)

Tabela e rezutlatit nga KQZ-ja
VV-ja ka arritur të fitojë në 24 komuna duke u renditur parti e parë në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovica e Jugut, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Hani të Elezit
Në këto zgjedhje morën pjesë 44.99% e qytetarëve me të drejtë vote. Numri i përgjithshëm i votuesve në Listën e Votuesve ishte 1,999,204, ndërsa 899,521 qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës. Gjithashtu vlen të theksohet se këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, të cilat do të numërohen ditën e nesërme.
-Si ndahen mandatet
Me gati 50% të votave, LVV mund të sigurojë 55 deputetë, ndërsa Albin Kurtit i duhen vetëm 6 deputetë nga 10 që i përkasin pakicave jo serbe për të formuar qeverinë. Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, LVV ka regjistruar një rritje prej 8 për qind.

Tabela e rezutlatit nga KQZ-ja
PDK, me Bedri Hamzën në krye, qëndron në nivelet e njëjta si dhjetë muaj më parë, me mbi 20% të votave dhe mund të marrë 23 deputetë, një më pak se në shkurt.
LDK e Lumir Abdixhikut është humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve, duke regjistruar vetëm gati 14% të votave, katër për qind më pak se në shkurt, me një rënie të mundshme prej 5 deputetësh nga 20 që kishte më parë.
Fatmir Limaj nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor dhe mbetet jashtë parlamentit, ndërsa Ramush Haradinaj, me 6% të votave, mund të marrë 6 deputetë nga 8 që kishte koalicioni i tij në shkurt 2025.
-Reagimet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas numërimit të votave mori përgjegjësinë për dështimin në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai njoftoi se ditët në vijim do të ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar, duke lënë të hapur mundësinë e tërheqjes nga posti i kryetarit.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, deklaroi Abdixhiku.

Mbështetësit e Kurtit festojnë fitoren
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur festën në Prishtinë, pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ndjekës të VV-së ndezën fishekzjarrë në sheshin e Prishtinës për të festuar rezultatin.

Albin Kurti shpall fitoren ga selia e Lëvizjes Vetëvendosje
Gjithashtu kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se ajo është rrugës për t’u bërë më e madhe ndonjëherë në histori të Kosovës.
Pas numërimit të mbi 96 për qind të vendvotimeve, VV-ja me partnerë ka marrë gati 50 për qind të ulëseve në Kuvend dhe i mjafton vetëm bashkëpunimi me partitë e komuniteteve joshumicë për të formuar vetë Qeverinë.
“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, tha ai.
Më tej Kurti shtoi se sapo të certifikohen rezultatet, do të krijojnë institucionet dhe të vazhdojnë punët e mira, teksa theksoi se pret bashkëpunimin e partive opozitare për t’i çuar përpara.
