Izraeli planifikon të investojë rreth 350 miliardë shekelë, ose afërsisht 110 miliardë dollarë, gjatë dhjetë viteve të ardhshme për të zhvilluar një industri të pavarur të armatimit dhe për të ulur varësinë nga furnizuesit e huaj.
Deklarata u bë nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe u raportua nga agjencia Reuters.
Duke folur në një ceremoni për pilotët e rinj të Forcave Ajrore izraelite, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë të sigurojë pajisje thelbësore nga jashtë, por synimi kryesor është forcimi i prodhimit vendas të armëve.
“Nuk e di nëse një vend mund të jetë plotësisht i pavarur, por ne do të përpiqemi të sigurojmë që armatimi ynë të prodhohet sa më shumë të jetë e mundur në Izrael”, citohet të ketë thënë ai nga Reuters.
Sipas kryeministrit, objektivi strategjik i qeverisë është ndërtimi i një industrie të pavarur të armëve për shtetin izraelit dhe reduktimi i varësisë nga çdo palë e jashtme, përfshirë edhe aleatët tradicionalë.
Investimi i planifikuar përfaqëson një nga angazhimet më të mëdha afatgjata të Izraelit në sektorin e mbrojtjes.
