Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe heqja e Balancuesit shkaktuan përplasje të ashpër mes BDI-së dhe kryeministrit Hristijan Mickoski në seancën e fundit të vitit për pyetje deputetësh, ku opozita akuzoi qeverinë për diskriminim të shqiptarëve në punësime, ndërsa Mickoski kundërshtoi duke thënë se ishte qeveria e kaluar me BDI-në ajo që rekomandoi shfuqizimin e këtij mekanizmi dhe se ligji i ri ka mbështetjen e Komisionit të Venecias
Ersan PAJAZITI
Shkup, 25 dhjetor – Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat dhe heqja e Balancuesit vazhdojnë të mbeten kryetema edhe në seancën e fundit të këtij viti për pyetje deputetësh. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari shprehu kritikat e saja drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski për diskrimin të shqiptarëve në punësime, ndërsa fajësoi qeverinë se ka miratuar Ligj për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili nuk mbron interesat e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera joshumicë në vend. Sipas Ajdarit, ligji në fjalë nuk garanton respektimin e përfaqësimit të drejtë, por vetëm jep rekomandime.
“Moszbatimi i ligjit nuk do të ndëshkohet , por vetëm do të regjistrohet. Barazinë nga e drejtë e zhvendos në politikë publike. Gjithashtu kjo varet nga vullneti i administratës dhe nga institucionet përkatëse. Liderët e VLEN-it që realisht nuk presim asgjë prej tyre, edhe njëherë u treguan të paaftë për të bërë një punë si duhet dhe këtë ligj që është jetik për përfaqësimin e shqiptarëve, por edhe të tjerëve në institucionet ia lanë në dorë znj. Karakamisheva e cila është e njohur për opinionin publik si nacionaliste”, theksoi deputetja Ajdari, e cila iu drejtua kryeministrit Mickoski duke i thënë se edhe pse është deklaruar se do të jetë kryeministër i të gjithëve, rastet që po ndodhin në vend nga formimi i kësaj qeverie po dëshmohet e kundërta.
“Si mendoni që do të dukeni i drejtë dhe i barabartë në sytë e të gjithë qytetarëve, kur ju ia keni hequr elementin e vetëm që u garantonte atyre përfaqësimin e drejtë dhe mos-shkeljen e të drejtave themelore të njeriut që në këtë rast është punësimi në institucione gjithmonë duke respektuar të ashtuquajturën meritokraci”, pyeti Ajdari Mickoskin, duke shtuar se duke e ditur se me çfarë numra funksionon qeveria është pesimiste që punësimet do të bëhen sipas vullnetit politik.
MICKOSKI: BDI Е KËRKOI HEQJEN E BALANCUESIT, TU KËRKOJ FALJE QYTETARËVЕ
Duke iu përgjigjur deputetes së BDI-së, kryeministri Hristijan Mickoski, theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën se Qeveria e BDI-së dhe LSDM-së, ku zëvendëskryeministri i parë ishte Artan Grubi, rekomandoi shfuqizimin e “balancuesit” dhe për këtë BDI u detyrohet një kërkim-falje, para së gjithash qytetarëve shqiptarë. Sa i takon ligjit për përfaqësim të drejtë, i hartuar nga kjo qeveri, Mickoski tha se ligji mori rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias, dhe vendimet e këtij komisioni zbatohen në përputhje me metodologjinë e afrimit drejt Bashkimit Evropian.
“Është e pasaktë dhe nuk është e vërtetë se me ardhjen e kësaj Qeverie është fshirë instrumenti ‘balancues’. E vërteta është se Qeveria ku ishte BDI-ja, ndërsa zëvendëskryeministër apo zëvendëskryeministër i parë ishte Artan Grubi, në një mbledhje mori vendim me të cilin e fshiu dhe dha mendim se duhet të fshihet instrumenti ‘balancues’. E njëjta gjë më pas është përfshirë edhe në raportin e skriningut të Bashkimit Evropian. Kjo është e vërteta dhe të gjithë qytetarët në mbarë shtetin, pa dallim të përkatësisë etnike, duhet ta dinë të vërtetën, sepse e meritojnë ta dinë”, theksoi kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes Rina Ajdari nga BDI.
Kryeministri Mickoski nënvizoi se për Ligjin për përfaqësim të drejtë, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv, ndërsa vendimet e Komisionit të Venecias, sipas metodologjisë së re të afrimit dhe negocimit sipas klasterëve, e kërkuar nga Franca, janë vendime që nuk komentohen, por zbatohen, sepse janë pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Nga njëra anë flasim për BE-në, për anëtarësim në BE, për anëtarësim të plotë, ndërsa nga ana tjetër thoni se ligji paskësh qenë i këtillë apo i atillë. Po ju ndihmoj: Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për miratimin e këtij ligji. A ju pëlqen apo jo, unë nuk do të hyj në atë debat që do t’ju mundësonte të merrni ‘frymëmarrje artificiale’ si opsion politik për të mbijetuar në skenën politike, pasi pësuat një debakël jo shumë kohë më parë me këto mesazhe. Atëherë gjithçka ju dukej qesharake dhe sarkastike, por votuesit e thanë fjalën e tyre në zgjedhje dhe, pasi e thanë atë, në vend që të nxirrnit mësim, ju vazhdoni vazhdimisht të silleni në të njëjtën mënyrë, duke menduar se kështu do të tërhiqni vëmendjen e votuesve dhe të opinionit publik. Nuk do të hyj në ndarje etnike, sepse kjo nuk është pjesë e karakterit tim; e kam thënë shumë herë dhe do ta përsëris: si kryeministër, unë jam i të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo fetar, dhe ashtu do të vazhdoj të sillem, sepse kjo është e rëndësishme për mua”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se paraqitja e pavërtetave nga deputetët e BDI-së nga foltorja e Parlamentitit nuk do t’u sjellë pikë politike, por përkundrazi do t’u heqë, ndërsa do të ishte e ndershme dhe dinjitoze që të dilnin publikisht, ta pranonin dhe të kërkonin falje për faktin se Qeveria në të cilën BDI ishte partnere me LSDM-në ishte ajo që rekomandoi shfuqizimin e “balancuesit”, ndërkohë që gjatë asaj qeverie u zgjodhën edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që morën vendimin për shfuqizimin e “balancuesit”.
AJDARI: REFORMOHUNI JU, SIÇ ËSHTË REFORMUAR BDI!
Ndaj pretendimit të kryeministrit Mickoski ka reaguar përsëri deputetja e BDI-së Rina Ajdari e cila tha se VMRO-DPMNE është ajo që ka pasur në programin zgjedhor heqjen e Balancuesit. “Partia politike që mban pushtetin e ka pasur heqjen e Balancuesit në programin zgjedhor. Sa i takon reformave, ne në BDI sot frymojmë lirshëm do tua kisha sugjeruar edhe juve dhe të gjitha partive tjera politike që të reformohen. BDI ka pasur ka perfeksionojë Balancuesin, duke e hequr pikën për deklarimin e etnisë, në mënyrë që të mos keqpërdoret, siç është keqpërdorur në disa raste”, theksoi Ajdari.
Përndryshe, temat e tilla dominojnë në opinionin publik që prej formimit të kësaj qeverie dhe abrogimit të Balncuesit. Qeveria ka miratuar Projekt-Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat dhe i njëjti ka marrë vlerësim pozitiv edhe nga Komisioni i Venecias. Përderisa nga koalicioni shqiptarë në pushtet VLEN theksojnë se ata përfaqësimin e drejtë kanë arritur ta garantojnë me ligj, opozita shqiptare ka shprehur kritikat e saja se ligji në fjalë është mashtrim politik dhe se i njëjti nuk garanton respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, pasi kjo gjë lihet në vullnetin e institucioneve. Projekt ligji pritet që së shpejti të hyjë në Parlament, ku pason debati publik dhe miratimi i tij nga ana e deputetëve. (koha.mk)
