Shkruar nga Diplomatico
Deklarata e presidentit serb nuk është gafë, por vazhdimësi e një politike që nënçmon komunitetet myslimane dhe çdo protestë që nuk kontrollohet nga pushteti…
Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vučić për protestën qytetare në Novi Pazar, e përshkruar prej tij si “e vogël” dhe “e parëndësishme”, nuk ishte as spontane dhe as e pafajshme. Ajo përfaqëson një linjë politike të konsoliduar prej vitesh në Serbi: nënçmimin e pakënaqësisë qytetare, banalizimin e revoltës sociale dhe shmangien e çdo përgjegjësie reale institucionale. Kur një president zgjedh ironinë dhe talljen përballë protestës, ai nuk po tregon siguri, por frikë nga një proces që nuk e kontrollon dot.
Protesta në Novi Pazar nuk ishte as etnike dhe as fetare, pavarësisht përpjekjeve për ta lexuar kështu. Ajo ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj vendimeve administrative që goditën studentë dhe pedagogë, në një moment kur universitetet në Serbi janë kthyer në një nga frontet kryesore të pakënaqësisë ndaj kapjes së shtetit. Por fakti që kjo protestë ndodhi në një qytet me shumicë bošnjaqe i dha reagimit të Vuçiç një ngarkesë edhe më problematike: përçmimi ndaj periferisë, ndaj komuniteteve që tradicionalisht nuk kanë qenë pjesë e rrethit të pushtetit, dhe ndaj zërit që vjen jashtë Beogradit.
Në realitet, Novi Pazari nuk ishte “i vogël” dhe as “i parëndësishëm”. Ai ishte simptomë e një lodhjeje të thellë shoqërore nga arroganca e pushtetit dhe nga modeli i qeverisjes që nuk njeh dialog, por vetëm disiplinë. Historia politike e Serbisë e ka treguar qartë se lëvizjet studentore dhe qytetare janë shpesh pararendëse të krizave të mëdha politike. Pikërisht për këtë arsye, reagimi tallës i Vuçiç duhet lexuar si shenjë pasigurie dhe jo force: një pushtet i sigurt nuk i minimizon protestat, por përpiqet t’i neutralizojë përmes institucioneve dhe dialogut.
Për rajonin, dhe veçanërisht për shqiptarët që ndjekin me vëmendje zhvillimet në Serbi, rasti i Novi Pazarit është një sinjal alarmi. Një shtet që aspiron të paraqitet si faktor stabiliteti në Ballkan nuk mund të ndërtojë stabilitet të brendshëm duke nënçmuar qytetarët e vet dhe duke ironizuar pakënaqësinë sociale. Stabiliteti që mbështetet te përçmimi, te frika dhe te kontrolli i narrativës mediatike është vetëm një qetësi e rreme, e destinuar të thyhet në momentin e parë serioz të krizës.
Në fund, Novi Pazari nuk ishte një episod periferik në hartën politike të Serbisë. Ishte një pasqyrë e qartë e mënyrës se si pushteti i sotëm e sheh qytetarin: si figurant, jo si faktor. Dhe sa herë që pushteti zgjedh të qeshë me protestën, zakonisht është sepse e kupton se mesazhi i saj është më serioz se sa dëshiron ta pranojë.
