Lajme

CIA planifikon bazë sekrete me Turqinë në Mesdhe

Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) dhe shërbimi turk i inteligjencës MIT po përgatisin një bashkëpunim të ri strategjik për të ngritur një bazë të fshehtë ajrore në Republikën Turke të Qipros Veriore, me synimin për të mbikëqyrur më nga afër Lindjen e Mesme.

Lajmi raportohet nga portali francez Intelligence Online, i njohur për monitorimin e operacioneve të inteligjencës në nivel global.

Sipas raportimit, CIA është në proces blerjeje të rreth 12 avionëve transportues C-130 Hercules, të përdorur dhe pa shenja identifikimi, përmes ndërmjetësve.

Këto avionë do të modifikohen për operacione të fshehta, një praktikë që shërbimi amerikan e ka përdorur edhe më parë për misione të padeklaruara jashtë territorit amerikan.

Burime të Intelligence Online theksojnë se C-130 është i përshtatshëm për operacione të maskuara, pasi përdorimi i tij i gjerë në aviacionin civil dhe ushtarak e bën më të lehtë fshehjen e origjinës dhe misionit të avionëve të modifikuar.

Këto mjete do të stacionohen në bazën ajrore Geçitkale në Qipron Veriore, ku Turqia mban tashmë të dislokuara dronë Bayraktar TB2 që mbrojnë aktivitetet e saj energjetike në Mesdheun Lindor.

Sipas Intelligence Online, plani i CIA-s dhe MIT-së është të krijojnë një prani të përhershme të padukshme në Mesdhe – mjaftueshëm pranë Libanit dhe sidomos Sirisë, një territor ku shërbimet turke operojnë prej vitesh.

Në këtë operacion përfshihet Air Branch i CIA-s, komponenti ajror i Drejtorisë së Operacioneve, i cili funksionon ndryshe nga çdo skuadron tradicional ushtarak: përmes kompanive “guaskë”, pilotëve kontraktualë dhe pajisjeve të avancuara të përgjimit dhe zbulimit elektronik (SIGINT).

Flota e re do të përdoret për transport të personelit të specializuar, pajisje të ndjeshme të zbulimit, komunikime të siguruara dhe potencialisht për operacione të heshtura parashutimi në lartësi të mëdha.

3sgIgLJ.png