Mesazhi i papritur nga Doha: Ukraina, jo më prioritet për SHBA
Në një deklaratë që pritet të ndezë debat në arenën ndërkombëtare, Donald Trump Jr, djali i madh i presidentit amerikan, ka lënë të kuptohet se SHBA mund të tërhiqet nga procesi i paqes në Ukrainë, duke sugjeruar se çështja nuk është më një prioritet për qytetarët amerikanë.
Gjatë një interviste në Doha Forum 2025, përballë gazetares së Sky News, Yalda Hakim, Trump Jr foli si drejtues i sektorit privat dhe investitor në teknologji të mbrojtjes dhe inteligjencë artificiale, por nuk munguan komentet me peshë mbi orientimin e politikës së jashtme amerikane nën presidencën e babait të tij.
“I dashur për të djathtën populiste” dhe gjithnjë i drejtpërdrejtë, Trump Jr deklaroi: “Nuk e përjashtoj që im atë të tërhiqet nga Ukraina. Ajo që e bën unik është se nuk e di askush se çfarë do të bëjë. Është i paparashikueshëm”.
Ai e përshkroi Ukrainën si një vend “shumë më të korruptuar se Rusia”, ndërsa presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy e cilësoi si “një nga mjeshtrit më të mëdhenj të marketingut politik, i shndërruar në një perëndi të vogël sidomos nga e majta liberale”.
Trump Jr insistoi se, ndonëse Ukraina nuk do të braktiset plotësisht, opinia publike amerikane nuk ka më durim për luftëra të pafundme dhe miliarda dollarë ndihmë ushtarake. Ai e vuri theksin te prioritetet e brendshme, duke theksuar se kartelet e drogës që veprojnë në kufirin SHBA-Meksikë përbëjnë një rrezik shumë më të madh për sigurinë kombëtare amerikane sesa lufta në Ukrainë.
Ndërkohë që Donald Trump (seniori) ka rifilluar përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, djali i tij dërgoi një sinjal të qartë: Evropa duhet të përgatitet për një strategji të re nëse SHBA tërhiqet nga mbështetja frontale për Ukrainën.
Në intervistë, Trump Jr konfirmoi se marrëdhënia me Elon Musk është “100% e rikthyer”, pas një periudhe ftohjeje. Kompania e tij e investimeve “1789 Capital” ka investuar fuqishëm në kompanitë e Musk, përfshirë SpaceX.
“Është si të kesh të bësh me dy Trump. Të dy janë të paparashikueshëm, por të përkushtuar ndaj të njëjtave vlera: liria e fjalës, e vërteta, teknologjia dhe Amerika e para”, u shpreh ai, duke lavdëruar rolin e Musk në ndryshimin e peizazhit të rrjeteve sociale përmes Twitter/X.
Trump Jr shtoi se Musk “ka bërë gjëra të jashtëzakonshme për lirinë e fjalës, për shkencën dhe teknologjinë” dhe theksoi se “duhet të mbrojmë gjeniun”.
I pyetur nëse babai i tij do të kandidonte për një mandat të tretë, ai u përgjigj me ironi se “ndoshta po tallet me të majtën”, duke lënë gjithçka të hapur. “Është politikani më i paparashikueshëm në histori, ndaj arrin të bëjë gjëra që të tjerët nuk i bëjnë dot”, shtoi ai. /Pamfleti

