Pentagoni ka zbuluar një program të ri prej 1 miliard dollarësh, i quajtur Drone Dominance Program (DDP), që synon blerjen e qindra mijëra dronëve njëpërdorimësh për ushtrinë amerikane gjatë dy viteve të ardhshme.
Programi vjen si zbatim i direktivës së korrikut të nënshkruar nga Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, e cila ndryshon mënyrën se si Departamenti i Mbrojtjes prodhon, porosit dhe përdor dronët e nivelit të ulët në njësi të ndryshme luftarake.
Pavarësisht mësimeve të nxjerra nga përdorimi masiv i dronëve në Ukrainë dhe në fushëbeteja të tjera, ushtria amerikane është kritikuar shpesh për ritmin e ngadaltë të futjes së dronëve më ekonomikë dhe më të thjeshtë në arsenalin e saj.
DDP-ja synon të përshpejtojë këtë proces, megjithëse objektivat janë ende të kujdesshme krahasuar me milionat e dronëve të përdorur nga palët e përfshira në luftën në Ukrainë.
Sipas faqes zyrtare të programit, Departamenti i Luftës pret të porosisë 30 mijë dronë me dorëzime deri në korrik 2026.
Deri në vitin 2027, programi parashikon blerjen e mbi 200 mijë dronëve të aftë për të prodhuar efekte vdekjeprurëse në skenarë të vështirë lufte.
Në total, plani synon që deri në fillim të vitit 2028 të jenë blerë më shumë se 300 mijë dronë kamikazë.
