Lajme

Mbi 900 viktima nga përmbytjet katastrofike në Indonezi, Tajlandë dhe Sri Lanka

Rajoni i Azisë Jugore po përballet me një nga fatkeqësitë më të rënda të dekadave të fundit, pasi më shumë se 900 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që goditën Indonezinë, Tajlandën dhe Sri Lankën.

Reshjet e dendura të shkaktuara nga musoni dhe të përkeqësuara nga një stuhi tropikale kanë shkatërruar zona të tëra, duke lënë mijëra njerëz të bllokuar pa strehë, ushqime dhe ndihma të domosdoshme.

Sri Lanka: fatkeqësia më e rëndë që nga cunami i vitit 2004

Në Sri Lanka, numri i viktimave arriti në 334, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Kryeqyteti Kolombo dhe zonat e ulëta përreth tij u zhytën nën ujë pas kalimit të ciklonit Ditwah, ndërsa autoritetet paralajmëruan se panorama e dëmeve është ende larg së qartësuari.

Presidenti Anura Kumara Dissanayake shpalli gjendjen e emergjencës dhe deklaroi se vendi po përballet me “katastrofën më të madhe natyrore në historinë e tij moderne”. Pothuajse 148 mijë persona janë zhvendosur dhe po strehohen në qendra emergjente.

Indonezia: zona të tëra të paarritshme dhe qindra të zhdukur

Në Indonezi, situata është po aq dramatike. Autoritetet raportuan mbi 442 viktima dhe 402 persona ende të zhdukur në ishullin Sumatra, ndërsa disa prej zonave më të goditura mbeten të paarritshme. Rrëshqitjet e dheut kanë shkatërruar rrugët, ndërsa shirat kanë fshirë dhjetëra shtëpi nga themelet.

Në Padang, banorët rrëfejnë se uji u ngrit brenda pak minutash. “Uji u fut në shtëpi dhe u frikësuam, ndaj ikëm. Kur u kthyem, shtëpia nuk ekzistonte më,” tregon Afrianti, një nga të mbijetuarat, e strehuar tashmë në një tendë pranë asaj që ka mbetur nga banesa e saj.

Autoritetet kanë dërguar anije luftarake për të furnizuar zonat më të izoluara, ndërsa pamjet në rrjetet sociale tregojnë turma njerëzish që kërkojnë ushqim, ujë dhe medikamente.

Tajlanda: zemërim publik dhe kritika ndaj autoriteteve

Edhe Tajlanda ka pësuar një nga përmbytjet më të rënda të dekadës së fundit, me të paktën 162 viktima. Ndërsa qeveria ka nisur kompensimet për familjet e prekura, kritikat ndaj autoriteteve lokale sa vijnë e shtohen, duke çuar në pezullimin e dy zyrtarëve për mungesë veprimi.

Rrugët e qytetit Hat Yai janë mbuluar nga baltë dhe automjete të dëmtuara, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë të largojnë mbeturinat e shumta.

Ndikimi i klimës: një krizë që përkeqësohet nga viti në vit

Ekspertët paralajmërojnë se kriza klimatike po transformon modelin e stuhive në rajon, duke sjellë reshje më intensive, zgjatje të sezonit të musonit dhe erëra më të forta. Kjo kombinon efektet e motit ekstrem me dëme të mëdha në infrastrukturë dhe komunitete vulnerabël.

Deri tani, mbi 148 mijë persona janë zhvendosur në Sri Lanka, ndërsa në Indonezi mijëra të tjerë presin ndihmë në kushte tejet të vështira. Rritja e nivelit të ujërave dhe rrëshqitjet e dheut kanë zbuluar dëme që do të kërkojnë javë – në disa raste muaj – për t’u vlerësuar dhe adresuar.

3sgIgLJ.png