Lajme

Çmimet globale të kafesë bien ndjeshëm

Çmimet globale të kafesë ranë të premten pasi Presidenti amerikan Donald Trump hoqi tarifat 40% ndaj importeve të produkteve bujqësore braziliane, përfshirë kafenë dhe kakaon, në një kohë kur konsumatorët amerikanë po shprehin pakënaqësi të madhe për rritjen e çmimeve të ushqimeve.

Çmimet me pakicë të kafesë në SHBA u rritën me 40% në vit në muajin shtator, pjesërisht si pasojë e tarifave, dhe rritja e kostove të ushqimeve është një faktor kryesor pas rënies së vlerësimit të Trump në nivelet më të ulëta që nga kthimi i tij në pushtet, sipas një sondazhi Reuters/Ipsos.

Heqja e tarifave ndaj Brazilit gjatë natës pason një urdhër të ngjashëm të njoftuar të premten e kaluar për të zhbërë detyrimet mbi kafenë dhe dhjetëra produkte të tjera bujqësore nga vendet prodhuese.

Brazili, prodhuesi më i madh i kafesë në botë, furnizon SHBA-në, konsumatorin më të madh të kafesë në botë, me rreth një të tretën e kokrrave të saj.

Kontratat e së ardhmes për kafenë arabica në bursën ICE, të përdorura si pikë referimi për çmimet fizike të kafesë në mbarë botën, ranë me 4.6% në 3.5925 dollarë për paund, pasi më herët kishin rënë mbi 6% në nivelin më të ulët të dy muajve.

Çmimet e kontratave të së ardhmes për kafenë robusta, zakonisht e përdorur në kafenë e gatshme (instant coffee), ndryshe nga përzierjet ku dominon arabica, ranë me 5% në 4,400 dollarë për ton, pasi më herët kishin rënë deri në 8%.

“Duhet që tregu ta tresë këtë lajm. Më shumë rënie? Ndoshta, por nuk besoj se do të zbresim nën 3 dollarë/paund. Nëse ka një rënie të re, unë do të isha blerës,” tha një tregtar me bazë në Europë nga një prej shtëpive më të mëdha globale të tregtimit të kafesë.

Ai shpjegoi se prodhimi i arabikës mbetet në deficit, stoqet e certifikuara dhe ato industriale janë të ulëta, industria ka mungesë furnizimi dhe është e detyruar të blejë, ndërsa rreziqet e motit nga fenomeni La Niña mbeten ende të pranishme. / Reuters

3sgIgLJ.png