Shkruar nga Kastriot Kotoni
Nga udhëtimet në viset shqiptare te mbrojtja e pavarësisë dhe identitetit kombëtar, Durham u bë dëshmitarja më e besueshme e shpirtit shqiptar: një etnografe, aktiviste dhe kronikane që la pas vepra që i dhanë Shqipërisë zërin që nuk ia jepte askush tjetër në Perëndim…
Udhëtarët anglezë që kanë kaluar nëpër territoret shqiptare kanë lënë një thesar të jashtëzakonshëm me përshkrimet e tyre për Shqipërinë. Ata kanë krijuar një traditë e cila fillon që nga thellësia e shekullit XIV dhe na ka dhënë vlerësimet e mrekullueshme për Shqipërinë e shqiptarët te Xhorxh Bajroni në fillim të shekullit XIX. Ishte e natyrshme që kjo traditë do të merrte trajtën e vëzhgimeve të mirëfillta, siç i gjejmë tek bashkëkohësit e Bajronit.
Miss Durham eci në gjurmët e Bajronit, por vit pas viti gjeografia e udhëtimeve të saj në Shqipëri u zgjerua. Në fillimet e shekullit XX i kishte mbetur detyra që për Shqipërinë të kurorëzonte luftën e shumëshekullore me pavarësinë. Pikërisht në atë kohë, kur ishte ndezur lëvizja kryengritëse shqiptare për liri e pavarësi, në çastin më vendimtar kur pretendimet për gllabërimin e tokave shqiptare nga shtetet shoviniste rëndonin mbi vendin, në kohën kur “Ballkani quhej fuçi baruti”, Miss Durham ra në kontakt me shqiptarët.
Pak nga pak e tërhoqi madhështia dhe tragjizmi i këtij populli, derisa ajo u bë jo vetëm një dashamirëse e shpirtit dhe kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studiuese e zakoneve dhe ngjarjeve të jetës së tij, por u bë një zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar dhe një pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve nga të cilat po përcaktoheshin fatet e këtij vendi. Ajo u bë një luftëtare e çështjes shqiptare.
Për shqiptarët në veri, ose siç e quan ajo në librin e saj “Shqipëria e Epërme”, njihej si “Mbretëresha e pakurorëzuar”. Me këtë epitet të padekretuar në asnjë mocion zyrtar, ajo u pagëzua në shenjë mirënjohjeje dhe besimi nga jehona e këngëve dhe gojëdhënave të maleve kushtuar asaj nga malësorët e veriut. Dihet se ku ka banuar ajo në Shkodër, në shtëpinë e Mark Shantojës; një tjetër thoshte se gjyshi im “rriste një kalë për të” dhe i ruante një mushkë se e kishim mike shtëpie; një shkodran tregonte pusin ku kishte pirë ujë Miss Durhami; një tjetër tregonte një djep që e kishte tundur ajo.
Një studiues ka vënë në dukje se Mary Edith Durham, e cila ia kushtoi gjithë jetën dhe energjitë e saj çështjes së Ballkanit, kishte mbetur praktikisht e panjohur në Perëndim, aq më tepër në Anglinë e saj, ndërsa Shqipëria kishte qenë e afërt me të më shumë se vetë Anglia. Në Angli vepra e saj është ribotuar disa herë, por studiues të shumtë po merren me kërkimin e jetës së saj edhe në Institutin Mbretëror Antropologjik në Londër.
Madje, hulumtuesja Gill Trethowan, pasardhëse e saj, ka shkruar një libër me titullin “Fenomeni Durham”. Ajo ka tërhequr vëmendjen e Xhon Hoxhsonit në Austri, Tini Van Hall në Hollandë, Antonia Jung në SHBA etj. Janë botuar artikuj të ndryshëm në gazetat më prestigjioze të Londrës për kontributin e Miss Durham në viset e Ballkanit, sidomos pas viteve 1980–1990.
Edith Durham, kjo studiuese e palodhur dhe mbrojtëse e flaktë e çështjes shqiptare, ka shkruar për Shqipërinë këto libra: “Brenga e Ballkanit”, “Shqipëria e Epërme”, “Lufta për Shkodrën”, “20 Vjet ngatërresa Ballkanike”, “Disa origjina, ligje dhe zakone të fiseve të Ballkanit” dhe “Nëpër tokat e serbëve”.
Shkrimet e saj të pabotuara janë ditari që ajo mbajti gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe viset e tjera të Ballkanit, që rrok periudhën 1900–1914 dhe 1914–1936. Udhëtimi i saj nisi nga Korça drejt jugut në Përmet, Tepelenë e pastaj për në veri: Vlorë, Fier, Berat, Durrës, për të arritur në fund në Shkodër.
Ja ç’shkruan studiuesja holandeze Tini Van Hall për veprën “Brenga e Ballkanit”:
“Libri përmban eksperiencën e saj dhe jep të dhëna historike për të bërë të njohur situatën në Ballkan për lexuesit anglezë. Në këtë libër ne zbulojmë informata etnologjike interesante të përshkruara me stilin e saj tërheqës e të zhdërvjellët.”
“Brenga e Ballkanit” ishte i vetmi libër që u ribotua në Londër brenda dhjetë vjetëve. U botua më 1905 nga Eduard Arnold me një vizatim të bukur të bustit të Edith Durham në kopertinë. U ribotua të paktën dy herë më 1912 dhe më 1918 nga Thomas Nelson & Sons (Londër, Edinburg).
Në parathënien e këtij libri, Miss Durham beson se lexuesit evropianë do të kuptojnë se nëpërkëmbjet e popullit shqiptar janë me origjinë raciale e jo religjioze. Të krishterët nuk ishin ngritur në kryengritje për hir të krishtërimit dhe ata në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë popullatën e krishterë të këtij vendi.
Profesori i Universitetit të Vjenës, John Hodgson, lidhur me këtë vepër shkruan:
“Më 1903 u bë kryengritja e Ilindenit kundër turqve në Maqedoni dhe ndodhi shtypja e egër kundër fshatarëve të varfër. Miss Durham, ndonëse sapo ishte kthyer në Malin e Zi, iu kërkua ndihma nga Komiteti i Ndihmës për Maqedoninë, dhe ajo nuk mund të refuzonte këtë thirrje për ndihmë. Vepra ‘Brenga e Ballkanit’ e shpreh pakënaqësinë e saj gjatë punës për ndihmat në Maqedoni.”
Edith Durham ishte një misionare që sjell një mesazh në “Europën e qytetëruar”: në kundërshtim me tezat turke e greke që qarkullonin në atë kohë, ajo dëshmon se viset që ka shkelur janë të banuara nga popullsi shqiptare. Veçanërisht ajo vlerëson përpjekjet e patriotëve shqiptarë për hapjen e shkollave shqipe, përpjekje që hasnin në pengesa të vazhdueshme të autoriteteve turke dhe greke që vepronin përmes kishës ortodokse.
Miss Durham dallon Gegërinë dhe Toskërinë, por thekson se midis tyre ka vetëm dallime dialektore që nuk cënojnë njëjtësinë etnike e kombëtare, ashtu siç ndodh me të folmet e ndryshme në viset britanike.
Faik Konica, stilist i shquar i letrave shqipe, në veprën e tij “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, ka vënë këtë dedikim:
“Miss Edith Durham! Mikeshës së përjetshme të popullit shqiptar, vrojtuese së thellë të sjelljeve dhe historisë së tyre, kontribuonjëses së Rilindjes sonë Kombëtare, i dedikohet ky libër si dëshmues i vogël admirimi e vlerësimi.”
Në këtë libër ka një vështrim shumë interesant historik për Ballkanin nga ana etnologjike dhe filozofike. Ja çfarë shkruan ndër të tjera Faik Konica:
“Në këtë vepër, emri ‘Evropa Juglindore’ do të përdoret shpesh në vend të emrit ‘Ballkan’, që u përdor më herët dhe për herë të parë në vitin 1808 nga një gjeograf gjerman i quajtur A. Zeune. Është fjalë turqisht që do të thotë ‘male’.
Ky emër nuk u përmend për një kohë të gjatë nga shumë shkrimtarë. Dhe nuk gjendet askund në edicionin e nëntë të Enciklopedisë Britanike (1875), gjithashtu nuk u gjend pas një shikimi të kujdesshëm as në Dictionnaire de Géographie Universelle të botuar më 1879 nga Vivian de Saint-Martin.
Nuk u gjend as në indekset e revistës “London Times” që nga fillimi deri më 1878; pastaj hoqa dorë së kërkuari. Por edhe në kohën tonë, shkrimtari anglez mbi Bizantin, Bury, përdor gjithmonë emrin “Gadishulli Ilirian” (Illyrian Peninsula). Termi “Haemus Peninsula” është përdorur rrallë herë në raste të veçanta.
Është për t’u theksuar se edhe vetë “ballkanasit” nuk e kishin dëgjuar kurrë këtë emër, po kështu edhe vetë autori i këtij libri, megjithëse është lexues i palodhur librash, e mësoi këtë emër në moshën 26 vjeç. Emri “Ballkan” u përhap nga gazetarët të cilët e lidhën me vargun e maleve Ballkan, por studiuesit më të kujdesshëm përdorin emrin “Evropa Juglindore”.”
“Shqipëria e Epërme” nxjerr në shesh intrigat e Fuqive të Mëdha, shkruan John Hodgson. Përmes këtij libri ka tone gëzimi dhe feste; Miss Durham nuk kishte pasur kurrë kaq shumë atmosferë nxehtësie verbuese që i jep veprës një unitet letrar.
Ndjenja e suksesit është diçka personale për të, sepse Durham nuk kishte arritur kaq shumë asnjëherë në jetë. Libri është plot me nota ngadhnjimi për vetë shqiptarët.
Ekzaltimi i dehur në “Shqipëria e Epërme” mbetet i fortë përballë varfërisë, padijes së jetës në ato vite të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX dhe mbi të gjitha përballë tmerreve të gjakmarrjes. Durham nuk i mbyll sytë përballë këtyre gjërave dhe nuk i keqtrajton.
Mbi të gjitha ajo nuk romantizon. Në veçanti ajo e thotë hapur dënimin e saj për gjakmarrjen.
Megjithatë, ajo bëri një përpjekje të veçantë për të kuptuar logjikën dhe moralin e brendshëm të saj. Ajo nuk bën dallim moral ndërmjet gjakmarrjes së fiseve shqiptare dhe luftës që zhvillojnë kombet moderne.
Megjithatë “Shqipëria e Epërme” ngre lart jo dhunën, por besën. Durham shkruan gjerë e gjatë për besën shqiptare, për fjalën e nderit, për traditat e famshme të mikpritje; për “bukë e kripë e zemër” me të cilën e ka gostitur i zoti i çdo shtëpie.


