Lajme

Pse i irritoi Ben Blushi fanatikët myslimanë?

Ata kanë një axhendë që u vjen e gatshme nga qendrat politike nga ku paguhen. Imamët, por edhe protagonistët e islamit radikal tek ne bëjnë ‘du’a’ dhe komentojnë gjithë qejf për Erdoganin, i cili kërkoi 2 mijë vjet burg për liderin e opozitës turke…

Ben Blushi ka qenë gjithmonë një shkrimtar e publicist që ka provokuar në opinion me temat, formën apo kapriçot stilistike që sjell në letërsinë e tij.

Një fenoment tashmë shumë i rëndësishëm i letërsistë moderne shqiptare, që dominon në tregun e letrave ballkanike, qoftë në sasi, por dhe në cilësinë e saj.

Mesazhi që Blushi ka sjellë në letërsinë e tij nuk është aspak një letërsi “elitare”, apo një kronikë e serave të larta të pushtetit. Shkrimtari, i cili ka fatin e madh që është një nga gazetarët më të rëndësishëm në vend, i është futur realitetit shqiptar në thelb, duke zhytur duart deri në bërryla në shoqërinë tonë problematike, vibruese e mjaft kundërthënëse.

Thuajse të gjitha romanet që Blushi sjell në publik çdo vit, a thua se janë një markë e re e ‘Apple’, nuk janë gjë tjetër veçse tema therëse që kanë zhurmuar debatin në opinion.

Kështu është edhe tema e romanit më të fundit “Jam musliman”. Një temë që Blushi e ka shpjeguar qartë në shpjegimet e tij se i drejtohet dashurisë së tij për muslimanët shqiptar. Por pikërisht, tek fjala, Blushi ka kryer një “bombardim” që duket se i ka trullosur fanatikët islamikë.

Blushi tha në fjalën e tij se “Xhamia e muslimanëve që më rritën është familja”. Në fjali e fuqishme që ka dhënë një efekt dërrmues në mjedisin e sertë të fanatikëve.

Të cilët, nuk i quajnë muslimanë ata që kanë një prejardhje familjare të tillë, e për këtë respekt edhe besojnë. Mbajnë ndoshta edhe Ramazan me hope apo gjithmonë, po gjithsesi nuk rreshtohen në ushtrinë e xhematit. Pasi besimin e kanë për vete. Kur kanë një dert familjar i luten Zotit me gjithë shpirt, kur kanë ndonjë ndodhi pozitive, e falendërojnë Atë me dlirësinë më të madhe. Familjarët nuk kanë mundësi, ndoshta edhe as qejf që të dëgjojnë ligjeratat shpesh herë pa kuptim të imamëve, të cilët nuk i dinë hallet e besimtarëve të tyre.

Pasi ata kanë një axhendë që u vjen e gatshme nga qendrat politike nga ku paguhen. Imamët, por edhe protagonistët e islamit radikal tek ne bëjnë ‘du’a’ dhe komentojnë gjithë qejf ndaj Erdoganit, i cili kërkoi 2 mijë vjet burg për liderin e opozitës turke.

Nga ana tjetër i janë qepur Ben Blushit, duke e sulmuar ashpër, duke sjellë jo thjesht frustrimin e tyre, por frikën e hapur se fjala e Blushit do ta mbjellë atë rrënjë tek armata e besimtarëve, që ata nuk kanë arritur ta bëjnë.

Në fakt, Ben Blushi, në reportazhet e librat e tij ka një repertor të pasur të dialogut me besimtarët muslimanë. Të empatisë për t’i kuptuar jo thjesht nga ajo që ata besojnë, por botën e tyre të brendshme. Madje e ka ilustruar mjeshtërisht me fjalë e me foto, qoftë për besimtarët shqiptarë, qoftë për afganët, apo edhe palestinezët e pjesë të kësaj bote, që fanatikët duan ta sjellin si ‘soft power’ të perandorisë së sulltanit Erdogan.

Justinian Topulli, është një nga emrat më të njohur të islamit radikal në vend, e duhet thënë se është një nga më të diturit. Që edhe debatin e adreson tek gjetja e arsyes. Leximi i tij në fakt e kupton më qartë fenomenin e këtij xhemati, që poteren e madhe mediatike e bën gjithmonë për axhenda që vijnë nga Ankaraja.

Në një postim të tillë, Topulli, një teolog i arsimuar dhe që ka drejtuar shoqatën e hoxhallarëve, i bën të ditur besimtarëve muslimanë, se ata nuk duhet të pranojnë dorëzimin e armëve ndaj të tjerëve. Që ata i quajnë qafira apo të pafe. E për këtë i drejtohet fabulës së famshme të ujkut dhe kaut. Ku ujku piktor e vizaton kaun pa brirë, sepse në fund ashtu mund ta hajë. Por kau, pasi e zbulon planin e ujkut e gjuan me brirë dhe e vret. Sipas Topullit, muslimanët duhet t’i ruajnë brirët për të vrarë të tjerët.

“Ky mësim vlen më së miri edhe për muslimanët shqiptarë, të cilët me shtimin e fetarisë dhe zellit religjioz në radhët e tyre, kanë shqetësuar dhe trembur së tepërmi ujqërit piktorë e letrarë, politikanë e akademikë, se po u cenohet laiciteti i shtetit, apo më saktë i shoqërisë që ata sundojnë. Ndaj për këtë, bijtë e sotëm të komunistëve të djeshëm, ashtu si edhe baballarët e tyre, na joshin me normat dhe modën e tyre, përmes artit dhe politikës, për të na shkuar në hell, ashtu siç bënë me islamin e paraardhësve tanë, që pasi i prenë “brirët” mbrojtës, me ideologjinë e tyre marksiste-leniniste antifetare, e shqyen dhe e hëngrën, si kishin qejf.

Halli nuk është me ujqërit e ateizmit, sepse ata këtë punë kanë, por me ata muslimanë që ndjehen si në faj se nuk janë trendi për këta ujqër, me ata që nuk ndjehen krenar me fenë e tyre dhe normat e saj, e që kërkojnë t’iu shiten këtyre ateistëve dhe të tjerëve si të ishin njëlloj si ata. Mirëpo i Dërguari i Zotit ka thënë se: Kush i ngjan një populli, ai është si ata”. Kështu shkruan Topulli, e ky në fakt është thelbi i islamit radikal.

Ata nuk e duan xhematin që të bëhen familjarë dhe njerëz më të mirë. Edhe nëse janë nuk i gëzon, sepse ata e duan xhematin si armatë, i duan muslimanët me brirë, që edhe nëse i shajnë, t’i mprehin sa më fort, që në një ditë larg qoftë të sulmojnë ata që i quajnë ujq”. Por që nuk i quajnë të tillë dijetarët e hoxhallarët tanë, por mjeshtrat e MIT-it të Ibrahim Kallenit e Hakan Fidanit në shërbimin sekret turk. I cili është kthyer në shpërlarësin më të madh të trurit të besimtarëve shqiptarë në gjithë ballkanin, duke përdorur të gjitha mjetet, veçanërisht paratë. Por e gjithë kjo propagandë nuk ka prodhuar një armatë, edhe pse ka mjaft njerëz, besimtarë që u besojnë dokrrave të Erdoganit dhe e duan shumë. Këta besimtarë nuk pranojnë të urrejnë shqiptarin që nuk është si ata. Sepse një musliman shqiptar, në shumicën e tyre, së pari është shqiptar pastaj besimtar. Pra janë ata që Ben Blushi e thotë në librin e tij, duke rrëzuar të gjithë investimin disa vjeçar e shumëmiljardësh të ulemës gjeopolitike neootomane. Ndaj po e sulmojnë Ben Blushin, edhe pse realisht ata janë të vetëdijshëm se i bëjnë shumë reklamë. Por kjo nuk i prish aspak punë, ngaqë ata i drejtohen audiencës së tyre për t’i ushqyer me dozën e përvitshme të urrejtjes që përkon me panairin e librit. Është ekzakt një narrativë perandorake, siç kanë bërë për 600 vjet pa ndërprerje, të krijojnë në Ballkan një milet që ta kenë ushtri. Që me thënë të drejtën kanë luftuar shumë si nizamë e janë vrarë si në Qabe, si në Çanakala. Duke hapur plagë që nuk mbyllen kurrë edhe nga folklori pezmatues që sjellin ato kohë të frikshme…/Pamfleti

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png