Vendosja e një ore shtesë të energjisë elektrike më të lirë gjatë ditës është përfolur disa herë në periudhën e kaluar nga institucionet kompetente. Dilema pritet të zgjidhet deri në fund të këtij viti, ndërsa përfitimi eventual për amvisëritë do të varet nga luhatjet e çmimeve në bursa, nga niveli i prodhimit të brendshëm të energjisë, si dhe nga balanca midis prodhimit ditor e atij të natës – qofshin nga thëngjilli, era, uji apo dielli – si dhe nga raporti i importit dhe eksportit të energjisë
Fisnik Pasholli
Shkup – Vendosja e një ore shtesë të energjisë elektrike më të lirë gjatë ditës është përfolur disa herë në periudhën e kaluar nga institucionet kompetente. Dilema pritet të zgjidhet deri në fund të këtij viti, ndërsa përfitimi eventual për amvisëritë do të varet nga luhatjet e çmimeve në bursa, nga niveli i prodhimit të brendshëm të energjisë, si dhe nga balanca midis prodhimit ditor e atij të natës, qofshin nga thëngjilli, era, uji apo dielli, si dhe nga raporti i importit dhe eksportit të energjisë, shkruan gazeta KOHA.
Sipas njoftimeve të mëparshme të rregullatorëve, pritej që nga 1 nëntori të zgjatej periudha e tarifës së lirë ditore, nga ora 13:00 deri në 16:00, në vend të orarit aktual 13:00-15:00. Megjithatë, sipas Entit Rregullator, një ndryshim i tillë do të rrezikonte tarifën e lirë gjatë natës, nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, përkatësisht dy orët e para të saj 22:00 deri në mesnatë. “Analizat që monitorojnë lëvizjen e çmimeve në tregjet e bursave tregojnë se periudha nga ora 12:00 deri në 16:00 ka çmimin më të ulët të energjisë elektrike. Por në orët nga 20:00 deri në 24:00 çmimi është tre deri në katër herë më i lartë. Një pjesë e këtij intervali, konkretisht nga ora 22:00 deri në 24:00, aktualisht llogaritet si tarifë e lirë. Nga ana tjetër, analizat e konsumit familjar tregojnë se qytetarët përdorin më shumë tarifën e lirë të mbrëmjes. Nëse ndiqen sinjalet e tregut, tarifa e lirë ditore do të ishte nga ora 12:00 deri në 16:00, ndërsa ajo e shtrenjtë do të zhvendosej pas mesnate”, thonë nga Komisioni Rregullator i Energjisë.
Ata shtojnë se po monitorojnë vazhdimisht zakonet e konsumit të qytetarëve dhe analizojnë se në cilën pjesë të ditës tarifa e lirë sjell më shumë përfitim për familjet. Po ashtu, theksojnë se do të vazhdojnë me analiza të hollësishme dhe me ndjekjen e lëvizjeve të tregut të energjisë. “Nëse rrethanat ndryshojnë dhe marrim sinjale të reja të favorshme, do të merret një vendim i ri i përshtatshëm,” shtojnë nga autoriteti rregullator.
Ndryshe, tarifa e lirë ditore ishte rikthyer pas anulimit të saj në tetor të vitit 2017. Kjo masë qeveritare, e ndërmarrë për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, kishte një kosto prej rreth 8 milionë euro në vit, të mbuluar nga kompanitë energjetike përmes kursimeve të brendshme.
Tarifa u anulua më 1 janar 2022, bashkë me shtrenjtimin e energjisë elektrike për 9.5 për qind. Vendimi u arsyetua me krizën energjetike të atëhershme, duke theksuar se nëse tarifa e lirë do të mbetej aktive, çmimi i rrymës do të duhej të rritej edhe për 5 për qind të tjera.
Pas stabilizimit të çmimeve të energjisë dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme në treg, Komisioni Rregullator vendosi ta rikthejë tarifën e lirë ditore nga 1 dhjetori 2023, në orarin 13:00-15:00. Tarifa e natës me çmim të ulët nuk u prek dhe vazhdon të jetë në fuqi nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, si dhe gjatë gjithë ditës së diel. (koha.mk)


