Hetimi që ekspozon modelin rus të ndikimit përmes korrupsionit, energjisë dhe shantazhit.
Në vitet ’90-të, Viktor Orbán ishte ndër politikanët më kritikë të Hungarisë ndaj Moskës. Ai e akuzonte hapur Rusinë se përpiqej të kontrollonte Evropën përmes gjigantëve energjetikë dhe dënonte qeveritë evropiane që i quante “kukulla të Kremlinit”.
Madje, në vitin 2007, paralajmëronte se Hungaria rrezikonte të bëhej “kazermë e gëzuar e Gazprom-it”. Por në vitin 2009, qëndrimi i tij ndryshoi rrënjësisht. Pas pjesëmarrjes në një kongres të partisë “Rusia e Bashkuar” në Shën Petersburg dhe takimit me Vladimir Putin, Orbán kaloi nga kundërshtar i ashpër në një aleat të afërt të Moskës, deri në atë pikë sa sot konsiderohet një nga udhëheqësit evropianë më pranë Kremlinit.
Sipas një hetimi të publikuar nga “The Insider”, pas këtij kthimi politik qëndron një histori e errët që nis në mesin e viteve ’90. Burimi kryesor është Dietmar Clodo, një biznesmen gjerman i lidhur atëherë me rrjetin kriminal të Semion Mogilevich, bos i mafies ruse të Solntsevos. Clodo tregon se kishte marrë nga ky klan një valixhe me afro një milion marka gjermane, për t’ia dorëzuar një politikani të ri hungarez me emrin Viktor Orbán. Sipas dëshmisë së tij, Orbán e kishte pranuar paratë në prani të një burri më të moshuar, pak para zgjedhjeve parlamentare hungareze, me qëllim që fondet të ndikonin në fushatën e tij elektorale.
Clodo shton se, me urdhër të Mogilevich-it, kishte shpërndarë ryshfete prej 10 mijë markash për zyrtarë të lartë, mes tyre Sándor Pintér, sot ministër i Brendshëm i Hungarisë, si dhe drejtues të policisë dhe mediave. Në atë kohë, Mogilevich kishte bazën e tij në Budapest, pranë ambasadës ruse. Çdo dorëzim parash filmohej fshehurazi në shtëpinë e Clodo-s dhe më pas regjistrimet i dorëzoheshin vetë boss-it rus. Sipas hetimit, këto materiale më vonë përfunduan në duart e shërbimeve sekrete ruse, si mjet i mundshëm presioni.
Mogilevich, një nga kriminelët më të kërkuar nga FBI-ja, kishte ndërtuar perandorinë e tij përmes trafikut të armëve dhe pastrimit të parave për llogari të mafies ruse. Pas dominimit në Budapest në vitet ’90, ai u kthye në Rusi ku jetoi i mbrojtur nga shërbimet sekrete. Në vitin 2008 u arrestua për evazion fiskal, por u lirua shpejt. Pikërisht atëherë, sipas Clodo-s, ai i dorëzoi materialet komprometuese për Orbán-in shefit të FSB-së, Nikolai Patrushev, në këmbim të lirimit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Orbán nisi afrimin politik me Putinin.
Në vitet që pasuan, marrëdhëniet mes Budapestit dhe Moskës u thelluan edhe në aspektin simbolik. Një nga gjestet më të dukshme ishte restaurimi i monumenteve sovjetike kushtuar ushtarëve që shtypën Revolucionin hungarez të vitit 1956, projekt i financuar nga oligarku rus Andrei Skoch – i lidhur me të njëjtin grup mafioz dhe figurë e kontestuar edhe në Francë, ku dosjet e tij kriminale “u zhdukën” nga arkivat e sigurisë kombëtare.
Partneriteti politik u shndërrua në një aleancë ekonomike të fortë. Hungaria nënshkroi me “Rosatom”-in kontratën gjigante prej 10 miliardë eurosh për zgjerimin e centralit bërthamor të Paksit, pa garë publike dhe me dokumente të klasifikuara për 30 vjet. Komisioni Evropian hapi një hetim, por e mbylli më pas për mungesë kompetencash ligjore. Ndërkohë, rreth 50 miliardë forinta hungareze, rreth 161 milionë euro, kanë kaluar në llogari zvicerane të kompanive ndërmjetëse me përfitues të panjohur.
Nuk ka prova që shërbimet ruse të kenë përdorur drejtpërdrejt materialet kundër Orbán-it, por vetë ekzistenca e tyre krijon një klimë të qartë shantazhi të heshtur. Kjo e bën Hungarinë, anëtare të BE-së dhe NATO-s, një hallkë të brishtë në arkitekturën perëndimore. Orbán nuk ka bllokuar sanksionet ndaj Rusisë, por i ka kritikuar vazhdimisht dhe ka kërkuar një linjë më të butë ndaj Moskës.
Sipas analistëve si ish-ministri i Arsimit Bálint Magyar, ky rast përfaqëson një shembull klasik të “mafies së shtetit”, një model ku pushteti politik, interesat ekonomike dhe krimi transnacional ndërthuren duke krijuar një formë sovraniteti të kufizuar e të varur nga faktorë të jashtëm.
Nëse akuzat e hetimit do të rezultojnë të vërteta, rasti hungarez do të shënonte një precedent të rrezikshëm për Evropën: mundësinë që një qeveri e një vendi të BE-së të ndikohet nga rrjete kriminale të lidhura me një shtet kundërshtar. Është dëshmi se lufta e ndikimit rus në Evropë nuk zhvillohet më vetëm me tanke apo gazsjellësa, por me valixhe, video komprometuese dhe kontrata të errëta. Dhe në këtë lojë të padukshme, Viktor Orbán është shumë më tepër se një figurë kombëtare, ai është një nyje e brishtë e gjithë ekuilibrit evropian. / “Inside Over”


