Lajme

Shqipëria ndër më të përgatiturat në rajon për “themelorët” e BE-së, por me progres ende të ngadaltë

Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për vitin 2025, që mat nivelin e përgatitjes dhe progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për zbatimin e kapitujve themelorë të acquis communautaire të BE-së,  e rendit Shqipërinë ndër më të përgatiturat në rajon, pas Malit të Zi, por me progres që mbetet i kufizuar.

Në krahasim me Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, Shqipëria ka një nivel përgatitjeje dukshëm më të lartë për implementimin e standardeve europiane në drejtësi, administratë dhe ekonomi.

Disa fusha bëjnë qartësisht ndryshimin nga vendet e tjera:

-Funksionimi i gjyqësorit (nota 5) – më e larta në rajon, së bashku me Malin e Zi.

-Ekonomia e tregut funksionale (nota 6) – vlerësimi më i lartë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që e vendos Shqipërinë në nivel “të mirë”.

-Lufta kundër korrupsionit dhe administrata publike (nota 4) – nivel “i moderuar”, më i lartë se Kosova, Bosnja dhe Serbia.

-Liria e shprehjes (nota 3) – mbetet një sfidë, por më e mirë se në shumicën e vendeve fqinje.

Në tërësi, vetëm Mali i Zi qëndron mbi Shqipërinë, me një përgatitje disi më të konsoliduar në disa fusha, por diferenca mbetet e vogël.

Shqipëria konsiderohet sot në fazën e avancuar të përafrimit teknik me BE-në, ndërsa rajoni i gjerë vijon të përballet me pengesa strukturore.

Progresi – përgatitje ka, por ecja është e ngadaltë

Kur bëhet fjalë për progresin konkret gjatë vitit, tabloja ndryshon.

Shqipëria ruan nota “mesatare” në shumicën e kapitujve, por pa shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

Këtu veçohen:

-Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe liria e medias – marrin vlerësime “3”, që nënkuptojnë “disa përparime”, por jo të mjaftueshme për një hap cilësor.

-Drejtësia, liria dhe siguria si dhe lufta kundër krimit të organizuar marrin notën “5”, duke e renditur Shqipërinë ndër më të mirat e rajonit për këto fusha.

-Ekonomia dhe administrata publike – mesatare, me nota “2” ose “3”, që tregojnë për reformë ende të pjesshme.

Në kontrast, Serbia tregon prapakthim në disa fusha, veçanërisht në lirinë e shprehjes dhe funksionimin e gjyqësorit, ndërsa Bosnja dhe Kosova mbeten në fazat e hershme të ndërtimit institucional.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png