Lajme

Princi saudit në SHBA për F-35 dhe pakt sigurie

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara këtë muaj, në udhëtimin e tij të parë në Washington pas shtatë vitesh, me synimin për të negociuar një marrëveshje mbrojtjeje dhe për të siguruar avionë luftarakë F-35 për forcat saudite.

Sipas The New York Times, udhëtimi i bin Salman përqendrohet në arritjen e një pakti sigurie të ngjashëm me atë që SHBA i dha Katarit, si dhe në avancimin e bisedimeve për qasje në teknologjinë amerikane që do t’i lejonte Arabisë Saudite të zhvillojë një program bërthamor civil.

Presidenti Donald Trump ka shprehur besim se mund të bindë Riyadh-in të njohë Izraelin deri në fund të vitit, por analistët e afërt me udhëheqjen saudite thonë se një normalizim i tillë është “pothuajse i pamundur” pa një hap të qartë të Izraelit drejt njohjes së shtetit palestinez.

Vizita e pritshme shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet SHBA-Arabia Saudite, të tensionuara që prej vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, ndërsa MBS-ja kërkon të sigurojë garanci të reja sigurie dhe të forcojë statusin e tij ndërkombëtar.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png