Lajme

IMPORT I MADH I USHQIMIT: Humbet grosha e Tetovës, vjen e Kazakistanit

Vendi është i varur nga importi për produkte të caktuara, si produkte ushqimore bazë, kryesisht gruri (miell), vaji i gatimit, mishi (pulës dhe viçit), qumështi, që kryesisht importohen nga tregjet rajonale, kryesisht nga Serbia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Hungaria. Edhe pse gati është dyfishuar eksporti i ushqimit prej vlerës së 283 milionë dollarë sa ishte në vitin 2009, problemi mbetet se në 16 vitet e kaluara është dyfishuar edhe importi i ushqimit nga 560 milionë dollarë si vlerë periudhë analizuar

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 16 tetor – Grosha e Tetovës çdo ditë e më pak po vjen në tregjet e gjelbra. Vitet e fundit, qytetarët blejnë fasule Kirgistani, Kazakistani. Furnizohemi me qumësht nga Bosnja dhe miell nga Serbia, domate nga Shqipëria dhe Turqia, qepë nga Kina, e kështu me radhë. Vendi është i varur nga importi për produkte të caktuara, si produkte ushqimore bazë, kryesisht gruri (miell), vaji i gatimit, mishi (pulës dhe viçit), qumështi, që kryesisht importohen nga tregjet rajonale, kryesisht nga Serbia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Hungaria. Në terren ka gjithnjë e më pak fermerë, dhe toka pjellore në Pollog, Pellagoni, Ovçe Pole, gjithnjë e më pak po punohet. Çmimet e ulëta të blerjes, kostot e larta të prodhimit dhe emigrimi i të rinjve kanë lënë gjurmën e tyre në prodhimtarinë bujqësore. Gjithashtu, Maqedonia po e humbet ngadalë degën e saj kryesore bujqësore. Në dekadën e fundit, ka pasur një rënie drastike të bagëtive, veçanërisht të deleve, dhive dhe gjedhit, e cila është shoqëruar me një rënie të numrit të fermave. Kostot e larta, ndryshimet klimatike, konkurrenca nga produktet e importuara dhe çmimet e ulëta të blerjes janë pjesë e sfidave me të cilat përballen fermerët vendor të bagëtive.

Parcelat e vogla dhe të shpërndara, mos organizimi i bujqve, mungesa e cilësisë konstante apo standardeve në prodhimtari, grumbullimi lirë i prodhimeve bujqësore dhe shitja shtrenjtë e tyre në treg, rendimentet e ulëta dhe fitimi i ulët, mungesa e fuqisë punëtore janë vetëm një pjesë e problemeve të bujqësisë vendore që me vite ngadalë po gjejnë zgjidhje.

Gjatë Jugosllavisë, Maqedonia njihej si një nga furnizueset kryesore e produkteve bujqësore për ish-republikat jugosllave, megjithatë, sot qytetarët në Maqedoni hanë kryesisht perime dhe fruta të importuara. Rënia e prodhimit vendas të ushqimit nga viti në vit është drastike dhe vendi është shndërruar nga një vend bujqësor që eksporton ushqim në një vend që shpenzon miliarda euro për importet e ushqimit.

Maqedonia në vitin e kaluar ka importuar ushqim në vlerë prej mbi një miliardë e 67 milionë dhe ka eksportuar ushqime me vlerë prej 545 milionë euro, që i bie se kemi një deficit apo minus prej mbi 500 milionë euro në këmbimin tregtar në sferën e ushqimeve. Edhe pse gati është dyfishuar eksporti i ushqimit prej vlerës së 283 milionë dollarë sa ishte në vitin 2009, problemi mbetet se në 16 vitet e kaluara është dyfishuar importi i ushqimit nga 560 milionë dollarë si vlerë në këtë periudhë të analizuar.

Por një problem shtesë që tregon se prodhimi ynë vendas është në rënie është deficiti tregtar në sektorin ushqimor, që është diferenca e madhe midis eksporteve dhe importeve. Pra, nga një deficit tregtar negativ prej afër 270 milionë dollarësh në 16 vjet, kemi arritur në një deficit tregtar prej mbi gjysmë miliardi dollarësh. “Nuk kemi arritur gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni, gjatë së cilës kanë ndryshuar disa qeveri, të ndërtojmë një strategji që do të japë fryte, domethënë që do të inkurajojë prodhimin bujqësor. Duhet të vendosen rregulla loje që do të mundësojnë zhvillimin e sektorit. Edhe pse kemi prodhim tregu, nuk mund të kërkojmë produktet e prodhuesve nën çmimin e prodhimit. Duhet të marrim parasysh se ai duhet të mbijetojë me ato para, të ushqejë familjen e tij dhe të ketë diçka të mbetur për investime vitin e ardhshëm. Së bashku me prodhimin primar, duhet të detyrojmë përpunimin e produkteve bujqësore, të cilat më pas do t’i eksportojmë me vlerë të shtuar, gjë që do të angazhojë edhe punëtorë shtesë në fabrika, dhe shteti do të përfitojë gjithashtu. Përmes mekanizmave të ndryshëm, duhet të stimulohen prodhuesit privatë në prodhimin primar dhe duhet të inkurajohet ky segment “, thonë profesorët e agronomisë.

Fermerët theksojnë se prodhojnë më pak ushqim çdo vit, numri i punëtorëve po zvogëlohet dhe askush nuk po i kultivon fushat. “Nuk kemi fuqi punëtore, importohen sasi të mëdha produktesh bujqësore, që do të thotë se çmimi i prodhimit vendas po bie, dhe ndryshimet klimatike po lënë gjurmën e tyre. Një pjesë e madhe e fermerëve që nuk mund të luftojnë problemet dekadashe në bujqësi, po largohen nga sektori”, tha Risto Vellkov, president i Unionit të Fermerëve të Strumicës.

Sipas analizës së Insider ID, të punuar me BERZH-in, të kryer vitin e kaluar, tregohet se, “Potenciali, madje edhe në tregun vendas për prodhuesit, përcaktohet si ekzistues. Së pari, si konsumatorët ashtu edhe prodhuesit besojnë se markat vendase nuk janë të përfaqësuara mjaftueshëm, por së dyti, të dhënat statistikore tregojnë një varësi të lartë nga importi për produktet dhe industritë në të cilat deklarohet se kemi një avantazh konkurrues”.

Për më tepër, ata shpjegojnë se, megjithëse disa konsumatorë do të vazhdojnë të blejnë marka të importuara, ndryshimi edhe i një pjese të vogël të pritjeve të tyre do të kontribuojë në një rritje të konsiderueshme të pjesës së tregut të kompanive vendase.

Rrjeti Kombëtar Bujqësor beson se për të ndaluar trendin negativ që po përjetojmë, duhet t’i japim fund fitimeve të mëdha që tregtarët nxjerrin në kurriz të fermerëve dhe konsumatorëve dhe të ndryshojmë modelin e subvencioneve, duke përcaktuar kështu cilat janë prioritetet tona me qëllim uljen e importeve dhe uljen e çmimeve të ushqimit për qytetarët.

Nga Federata e Fermerëve vlerësojnë se për sa i përket ushqimit, vendi po bëhet i varur nga importi. Në të njëjtën kohë, në vendin tonë kemi një paradoks ku produktet ushqimore po shtrenjtohen, ndërsa produktet bujqësore parësore janë me çmime të ulëta blerjeje, pavarësisht se edhe këtu çmimet e materialeve që llogariten si hyrëse në prodhim po rriten, si nafta , preparatet mbrojtëse, plehrat, përderisa edhe fuqia punëtore sezonale ose mungon ose është shumë e shtrenjtë.

Lëvizje të tilla në bujqësi, ku çmimet e produkteve të grumbulluara janë shumë të ulëta në raport me çmimet e prodhimit, kanë një efekt demotivues tek fermerët e vegjël të cilët spontanisht fillojnë të reduktojnë sipërfaqet e tyre dhe të largohen nga zonat rurale, thonë nga Federata e Fermerëve.

Nga kjo organizatë theksojnë se vite me radhë duhet të zhvillohen kapacitetet përpunuese që të mund të rritet blerja e produkteve vendore me të cilat duhet të prodhohen përpunimet vendore të perimeve dhe frutave. Një hap i tillë do të nxisë dhe inkurajojë bujqësinë vendore. Gjithashtu, vlerësojnë se një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës bujqësore në fushën e rrugëve, vaditjes dhe ballafaqimit me ndryshimet klimatike, si dhe respektimit të prodhimtarisë së kontraktuar, që duhet të funksionojë sipas Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. (koha.mk)

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png