Etja që vret: Si po i vdesin Turqia, kriza klimatike dhe heshtja diplomatike miliona njerëz në Irak dhe Siri
Viti 2025 është kthyer në një nga momentet më të errëta për burimet ujore të Irakut në një shekull. Sipas Ministrisë së Resurseve Ujore në Bagdad, rezervat ujore kanë rënë në vetëm 10 miliardë metra kub, shumë larg pritshmërive prej 18 miliardësh, duke shënuar nivelin më të ulët në 80 vitet e fundit. Shkaku? Mungesa e reshjeve, shkrirje të pakta dëborash dhe ndërprerje drastike të rrjedhave nga Turqia në lumenjtë Tigër dhe Eufrat.
Në jug të Irakut, prurjet ujore janë ulur me 27% krahasuar me një vit më parë. Kjo ka përshpejtuar ndërhyrjen e ujërave të kripura nga Shatt al-Arab, me përqendrime të kripës që arrijnë deri në 40.000 njësi, duke e bërë ujin të papërdorshëm për bujqësi apo konsum pa trajtime të sofistikuara.
Në Siri, kontrasti mes marrëveshjeve ndërkombëtare dhe realitetit në terren është i thellë. Turqia, e cila kontrollon mbi 90% të rrjedhës së Eufratit dhe një pjesë të madhe të Tigrit, akuzohet nga Damasku për shkelje të marrëveshjes së vitit 1987 që garantonte 500 m³/s ujë në kufirin sirian. Në realitet, në shumë periudha, rrjedha ka qenë shumë poshtë këtij kufiri. Ndërkohë, Turqia vazhdon zgjerimin e mega, projektit të saj ujor “GAP”, me digën Ilısu tashmë funksionale dhe me një kapacitet prej 10.4 miliardë m³. Ndërtimi i digës së ardhshme në Cizre pritet të rrisë akoma më shumë kapacitetin turk për kontrollin e ujërave, në kurriz të Sirisë dhe Irakut.
Në verilindje të Sirisë, diga Tishrin është shndërruar në simbolin e konfliktit. Midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025, sulmet ajrore turke e nxorën nga funksioni këtë impiant strategjik, duke lënë pa ujë dhe energji rreth 413.000 banorë në Manbij dhe Kobani. Protestat popullore kundër ndërhyrjes turke përfunduan me 25 të vrarë dhe mbi 200 të plagosur, përfshirë personel mjekësor.
Në Irak, qyteti i Basrës është kthyer në shembullin më të rëndë të krizës sanitare ujore. Rritja e kripëzimit ka zhdukur deri në 30 lloje peshqish të ujërave të ëmbla, ka çuar në shuarjen e mbi 2.000 bletarive dhe ka ulur prodhimin e mjaltit nga 30 në vetëm 6 tonë në vit. Që nga viti 2018, ku mbi 118.000 persona u shtruan në spital për shkak të ujit të ndotur, situata nuk ka bërë gjë tjetër veçse është përkeqësuar. Impiante si ai i Abul Khaseeb punojnë me vetëm gjysmën e kapacitetit, duke mbuluar vetëm 50% të nevojave të zonës.

Mungesa e ujit është bërë kërcënim direkt për shëndetin: përdorimi i ujit të pafiltruar sjell shpërthime të diarresë, hepatitit, parazitëve dhe sëmundjeve të tjera të transmetuara nëpërmjet ujit. Shtimi i pluhurit në ajër si pasojë e shkretëtirëzimit ka rritur rastet e sëmundjeve respiratorë, në verë, nivelet e ndotjes (PM₂,₅) kanë arritur deri në 190 µg/m³ në jug të Irakut.
Bujqësia është në kolaps. Në provincën Dhi Qar, rënia e nivelit të ujërave ka zhvendosur mijëra familje dhe ka tharë moçalet historike të Mesopotamisë. Fermerët që dikur kishin 120 buallica, sot mezi mbajnë 50, për shkak të mungesës së kullotave dhe ujit. Në Siri, mbi 14.5 milionë njerëz janë në pasiguri ushqimore, 9.1 milionë në krizë të thellë dhe 5.4 milionë në rrezik urie. Rendimenti i grurit ka rënë me 40% krahasuar me vitin e kaluar.
Kur uji mungon, kthehet në armë. Nivelet e ulëta të lumenjve rrisin përqendrimin e ndotësve kimikë dhe mikrobiologjikë. Sistemet e shpërndarjes janë të vjetruara, çoroditura, dhe pa klorim efektiv. Kolera është rikthyer në Siri që nga viti 2022 dhe ka shfaqur shpërthime edhe në 2023 e 2024. Në Irak, vetëm në 2024, u regjistruan mbi 1.200 raste të konfirmuara me disa vdekje. Komunitetet janë të detyruara të përdorin puse të cekëta dhe burime të kontaminuara, një recetë për epidemi. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit, me raste të rënda dehidratimi dhe diare akute.
Marrëdhënia asimetrike mes Turqisë dhe fqinjëve të saj është fakt i pakundërshtueshëm. Në verën e 2025-ës, Bagdadi akuzoi Ankaranë se i kishte premtuar 400 m³/s, por kishte dërguar vetëm 120 m³/s. Marrëveshjet e viteve ’80 janë të tejkaluara dhe pa garanci për shëndetin publik. Çdo digë e re në Turqi është paraqitur si “menaxhim modern”, por për popujt në Irak e Siri do të thotë: uri, sëmundje dhe zhvendosje.
Zgjidhjet nuk mungojnë, por kërkojnë vullnet politik: marrëveshje të detyrueshme për rrjedhat minimale, transparencë të të dhënave në kohë reale, korridore ujore humanitare gjatë krizave, investime në rrjete moderne dhe një sistem të integruar të survejancës epidemiologjike. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
								
							
						
								
														
							
								
														
							
								
														
							

