Lajme

Sezoni turistik i verës 2025 ka qenë një ndër më të suksesshmit

Sezoni turistik i verës 2025 ka qenë një ndër më të suksesshmit që Shqipëria ka përjetuar në vitet e fundit. Të dhënat zyrtare nga INSTAT flasin për rreth 9.4 milionë vizitorë të huaj gjatë muajve qershor–gusht 2025, duke shënuar një rritje me 8 përqind, krahasuar me periudhën qershor-gusht të vitit 2024.

Sipas Ministrisë së Turizmit, të ardhurat totale nga turizmi arritën në 2.6 miliardë euro, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në ekonominë e vendit dhe duke përfaqësuar mbi 18 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të tremujorit të tretë.

Tregjet kryesore mbeten Kosova dhe Maqedonia e Veriut, vizitorët nga të cilët mbushën bregdetin Adriatik dhe të detit Jon, sidomos në muajt korrik-gusht. Një rritje e ndjeshme është vënë re nga turistët gjermanë, italianë dhe polakë, ndërsa vizitat nga SHBA dhe Azia Lindore u shtuan me 12 përqind, falë linjave të reja ajrore direkte.

Bregdeti i jugut të Shqipërisë mbetet “ylli i verës”, me Dhërmiun, Jalën dhe Ksamilin që shënuan fluks rekord pushuesish. Por këtë vit, edhe qytetet me trashëgimi kulturore si Berati, Gjirokastra dhe Shkodra kanë tërhequr më shumë vizitorë, falë festivaleve të trashëgimisë dhe aktiviteteve të turizmit kulturor. Alpet Shqiptare kanë pësuar një rritje 20 përqind të turistëve të natyrës dhe të aventurës, duke konfirmuar trendin në rritje të turizmit malor.

Infrastruktura e përmirësuar ka ndikuar ndjeshëm në këtë sukses. Rrugët e reja kanë lehtësuar udhëtimin drejt Jugut të vendit, ndërsa kapacitetet hoteliere, sipas INSTAT, janë zgjeruar me 12 përqind, krahasuar me verën e vitit 2024.

Edhe ky sezon veror, i cili mbaron në fund të shtatorit, pati dhe vijon të ketë sfidat e tij.

Destinacione të rëndësishme në Jug dhe Veri, si Ksamili dhe Thethi, u përballën me mbingarkesë turistike dhe presion mbi mjedisin, ndërsa çmimet e larta në kulmin e sezonit veror, krijuan pakënaqësi për turistët rajonalë. Ndëkohë, mungesa e fuqisë punëtore sezonale solli probleme në cilësinë e shërbimit në disa zona.

Qeveria ka paralajmëruar plane për zgjatjen përfundimtare të sezonit turistik në shtator dhe tetor, me oferta “off-season(jashtë sezonit)” dhe nisma për turizëm të qëndrueshëm.

Operatorët privatë, nga ana e tyre, po investojnë në trajnimin e stafit dhe në produkte të reja, si turizmi i përvojave lokale, turizmi i shëndetit, turizmi kulinar, turizmi i qendrueshëm dhe i gjelbër, etj..

Me këto rezultate dhe me sfidat që duhen adresuar, vera e vitit 2025 shënoi një pikë kulmore për turizmin shqiptar, por edhe një thirrje për planifikim më të kujdesshëm për vitet që vijnë.

Me planin e saj qeverisës 2025-2029, qeveria e re e porsakrijuar planifikon të orientojë politikat dhe investimet në turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Do të krijojë, menaxhojë dhe brendojë Shqipërinë në 6 rajone turistike, sipas strategjisë “Shqipëria Turistike 2030”, duke garantuar ofertë të diversifikuar dhe standarde të larta ndërkombëtare. Besnik Vathi, Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) analizon ecurinë e turizmit veror 2025 në Shqipëri

Besnik Vathi, Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) analizon ecurinë e turizmit veror 2025 në Shqipëri.

CMG: Edhe pse sezoni veror i turizmit tonë ndoshta ende s’ka mbaruar tani në fund të shtatorit, çfarë bilanci paraprak mund të bëjmë z. Vathi?

Besnik Vathi: Unë mund të them se dhe ky ishte një sezon i mirë, i pritshëm, madje opinionin e kam më pozitiv, sesa analizat e bëra gjatë sezonit të verës.

Kjo, ngaqë pritshmëritë e mia ishin në ato përmasa që i kalonin ato pritshmëri në disa përllogaritje të gabuara të numrit të turistëve dhe vizitorëve të huaj. Sinqerisht, trendi është më pozitiv, sesa mund të gjykohet sot.

CMG: Cili nga rajonet turistike të vendit ka performuar më mirë këtë sezon veror: Durrësi dhe Golemi, Jugu, apo Shëngjini dhe Velipoja?

Besnik Vathi: Ndoshta në numra dhe në raportin cilësi-kosto e shërbimit turistik, unë besoj se rajoni qendror Durrës-Golem është rajoni që pret më shumë të huaj, me kontrata më të garantuara.

Nga ana tjetër, ai ka edhe shërbim më të gjerë, të avancuar në shërbimet turistike në plazhe.

Natyrshëm që edhe zonat e tjera turistike janë mirë, por dihet se sa më afër Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit të jenë, aq më të frekuentuara janë.

Dhe përveç numrit të madh të vizitorëve, kanë edhe më shumë shërbime të realizuara.

CMG: Edhe pse aeroporti i Rinasit vijoi të thyejë rekorde pas rekordesh në numër pasagjerësh për periudhën qershor-gusht 2025, këtë korrik numri i vizitorëve të huaj u rrit vetëm 0.4 përqind, në krahasim me korrikun 2024. Duhet ta shohim si shenjë shqetësuese?

Besnik Vathi: Nuk është numri i vizitorëve të huaj që duhet parë rritet apo jo, sepse numri i vizitorëve të huaj nuk përfaqëson numrin e turistëve në Shqipëri.

Brenda atij numri që ju përmendët, del që është rritur numri i turistëve dhe është ulur me 10-15 përqind numri i vizitorëve tranzit. Për sa kohë nuk e kemi numrin e plotë të turistëve të huaj, nuk mund dhe nuk duhet të nxjerrim konkluzione të gabuara.

Për mua, ky vit ka qenë më i mirë dhe në numër dhe në cilësi të turistëve të huaj që kanë ardhur, në krahasim me vitin 2024 dhe me vitet e tjera.

Ndërkohë, në analizat që bëhen dhe në shqetësimet që shfaqen në disa media, ato nuk bazohen vetëm në këto shifra, por marrin një restorant apo hotel, dhe sipas qëndrimit që do të të japë pronari i tyre, nxirren konkluzione që turizmi veror ishte më mirë apo më keq këtë vit.

Po ashtu, nuk matet turizmi i Shqipërisë me suksese të jashtëzakonshme, sepse biznesi i dikujt është më mirë këtë vit, nga vitet e mëparshme.

Në tërësinë e vet, gjykoj se turizmi është më mirë se vitin e kaluar dhe ne më shumë duhet të shohim atë që mat temperaturën reale të turizmit, që është trafiku ajror.

Nëse trafiku ajror, numri i udhëtarëve që vijnë në Shqipëri nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është rritur nga viti në vit ndjeshëm, atëherë jemi në rrugën e drejtë. Dhe kjo ka ndodhur e po ndodh. Për sa kohë kompanitë ajrore shtojnë destinacionet, atëherë diçka e madhe dhe pozitive po ndodh me turizmin, pavarësisht se ne nuk i raportojmë shifrat si duhet.

CMG: Ndër tregjet kryesore nga na vijnë vizitorët e huaj, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten dy tregjet tradicionale, duke përbërë më shumë se 35% të hyrjeve. Ndërkohë, këtë tetëmujor rritje të ndjeshme ka shënuar numri i vizitorëve nga Italia, Polonia, Gjermania dhe Britania e Madhe. Komenti juaj.

Besnik Vathi: Unë përsëri do të vazhdoj me shqetësimin që kam. Vërtet Shqipëria ka numrin më të madh të vizitorëve të huaj nga Kosova dhe Maqedonia, madje në vend të tretë është Mali i Zi, por numri i turistëve që i sjellin të ardhura të ndjeshme Shqipërisë nuk ndodhet mes tyre.

Nga Kosova ne kemi shumë vizitorë dhe turistë dhe vendi ka të ardhura të mëdha në total. Mirëpo të ardhurat për frymë për turist nga Kosova janë shumë të ulëta, se sa të ardhurat e një turisti që vjen nga ato vende që nuk kanë numër emigrantësh apo kombësie shqiptare që të sjellin në Shqipëri.

Unë besoj se të ardhurat më të mëdha të turizmit Shqipëria i ka nga Polonia, Spanja, vendet skandinave dhe më pak pastaj nga Italia, Britania e Madhe apo Gjermania, sepse në këto vende, ne kemi shumë nga emigrantët tanë.

Dhe vërtet, po ta shikosh, nga Italia kemi 30 aeroporte dhe destinacione ku fluturohet drejt Shqipërisë. Vërtet ka edhe italianë të shumtë në numër, por më shumë kemi emigrantë shqiptarë nga ky vend.

Nga Londra kemi 7 deri në 8 fluturime dhe në avion flitet ose shqip, ose anglisht nga fëmijët shqiptarë.

CMG: Mund të rendisni tre gjëra që shkuan mirë dhe çfarë nuk shkoi dhe aq mirë në turizmin tonë të verës 2025?

Besnik Vathi: Analizat do të duhet të bëhen më vonë. Unë mendoj se më mirë ka shkuar angazhimi i bizneseve të lidhura me turizmin. Ai ka qenë serioz dhe i është përgjigjur kërkesave dhe shqetësimeve të turistëve të huaj, plotësimit të kërkesave të tyre.

Mendoj se kjo është gjëja më e mirë, që bën që turistët e huaj të rikthehen dhe të mos jetë vetëm një herë, por të vijnë në Shqipëri në vazhdimësi.

Për sa i përket problematikave, vazhdon trafiku të jetë problem dhe papastërtitë në disa pika turistike dhe në tërë vendin janë po ashtu problem.

Mendoj se është në edukatë, por edhe në organizimin e qeverisjes vendore, për marrjen e masave për pastrimin e territoreve, aty ku ato frekuentohen shumë nga turistët.

CMG: Ju lutem një gjykim tuajin, nëse nisma e fundit për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve Urbane më 1 janar 2026 do ta ndihmojë turizmin.

Besnik Vathi: Ndoshta mund të jem i gabuar, por e kam të vështirë të them po ose jo tani. Duhet të shikohet nga 1 Janari 2026, kur të fillojë.

Së dyti, janë provuar shumë gjëra ndërhyrje deri tani për pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve. Ka pasur problem si në organizimin qendror, ashtu edhe në atë vendor.

Preferoj organizimin vendor, pasi më afër klientit, turistit të huaj është bashkia. Nëse bashkitë do ta ndjejnë nevojën e turizmit si nevojë të rritjes së ekonomisë së zonës, së rajonit të tyre, atëherë do të duhet ta trajtojnë jo vetëm në trajtimin e mbetjeve urbane, por edhe në promovimin që kërkon turizmi.

CMG: Përveç ndarjes në gjashtë rajone turistike nga Strategjia “Shqipëria Turistike 2030”, si mund ta ndihmojnë më shumë programet dhe politikat qeveritare turizmin tonë për këtë vit dhe vitet e ardhshme?

Besnik Vathi: Unë për strategjinë kam mendim shumë pozitiv. Por kam pasur dhe vazhdoj të kem vetëm një vërejtje: strategjia u përgatit, duke mos analizuar turistët.

Ju largua disi konkretes, nga frika për të njohur numrin e turistëve të huaj realë që ka Shqipëria. Ja përse herë pas here dëgjoj kaq përqind rritje nëpër muze, apo në atraksione të ndryshme.

Dhe kur shikon shifrat, ishin 100 mijë vizitorë nëpër muze për shembull, u bënë 200 mijë. Po miliona turistët e ardhur përse nuk shkuan edhe në muzeume?

Prandaj them që turizmi do të ketë fytyrën e vet konkrete, nëse realisht analizohen edhe me shifra, të gjitha llojet e turizmit, duke përfshirë numrin total.

Pastaj ndarja në 6 rajone turistike ishte shumë ndarje e saktë. Mirëpo, nga ana tjetër strategjia nuk është vetëm ndarje zonash, por përcaktim i saktë.

Duhet t’i japim përgjigje pyetjes: duam turizëm në bregdet, apo do i kthejmë bregdetet në banesa apo vila për shitje?

Ne duhet të përcaktojmë qartë: bregdetin e Jugut apo të Veriut të vendit, do ta kemi me vila që do të shiten, apo do zhvillojmë hoteleri dhe industri turistike?

Nuk mund të mendojmë për zhvillim të qëndrueshëm turistik në një zonë shumë atraktive, nëse nga 100 njësi akomoduese atje, vetëm 20 përqind jepet për hoteleri.

Madje edhe hotelet janë të cunguara. Të vogla, me 150 dhoma, ku ka pak hapësira, si dhe një pishinë e vogël, ku me zor vijnë rrotull turistët.

Këtë unë nuk e quaj turizëm. Dhe është mënyra, zgjedhja më e papërshtatshme për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit tonë.

Intervistoi Fatos Çoçoli

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif