Anëmsha SHABANI
Shkup – Tregu i pasurive të patundshme në vend gjatë muajve të fundit ka shënuar zhvillime kontradiktore. Numri i banesave të shitura ka rënë, por vlera e përgjithshme e investimeve ka arritur nivele rekord, duke treguar se interesi për pasuri të patundshme mbetet i lartë pavarësisht luhatjeve të tregut.
Gjatë periudhës prill–qershor 2025 janë kryer gjithsej 13.487 kontrata shit-blerjeje, që është për 329 më pak krahasuar me tremujorin e parë. Vlera totale e tregut ka arritur në 265,2 milionë euro, ndërsa vetëm për banesat janë shpenzuar 112,4 milionë euro. Shkupi kryeson listën me më së shumti apartamente të shitura, kryesisht në komunat Aerodrom, Gazi Babë, Qendër, Kisella Vodë dhe Çair. “Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 13.487 kontrata shitblerjeje me vlerë të përgjithshme prej 265,2 milionë euro. Krahasuar me tremujorin e parë, numri i transaksioneve ka rënë, por vlera është rritur”, thuhet në raportin e Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive (AKP).
Raporti tregon edhe për raste me çmime jashtëzakonisht të larta. Në komunën Qendër është shënuar një nga transaksionet më të shtrenjta: një apartament prej 96 metra katrorë është shitur për rreth 260 mijë euro, duke e konfirmuar këtë pjesë të qytetit si më elitën për banim. Në krahasim, komunat periferike ofrojnë çmime dukshëm më të ulëta, çka reflekton dallimet e mëdha mes zonave qendrore dhe lagjeve të reja që ende janë në zhvillim.
Në aspektin e ofertës, pritet që tregu të përballet me një valë të re apartamentesh. Sipas të dhënave të AKP-së, aktualisht janë në ndërtim 25.354 banesa, të cilat pritet të hyjnë gradualisht në treg gjatë viteve në vijim. Ky numër i lartë tregon për aktivitet të shtuar të sektorit të ndërtimit, por edhe për pritshmëri të rritjes së kërkesës në të ardhmen.
Përkundër shifrave të larta, tregu i pasurive të patundshme po tregon një prirje të re, më pak blerës, por investime më të mëdha. Kjo mund të lidhet me faktin që një pjesë e madhe e apartamenteve po blihen si investim afatgjatë, jo domosdoshmërisht për banim. Po ashtu, ndikim kanë edhe rritja e çmimeve të ndërtimit, kostoja e materialeve dhe prirja e investitorëve për të orientuar kursimet drejt pasurive të patundshme si formë më e sigurt e ruajtjes së kapitalit.
Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shihet qartë se vlera e tregut ka vazhduar të rritet, ndonëse dinamika e shitjeve nuk është më e njëjtë. Tendenca për apartamente më të shtrenjta, kryesisht në qendrat urbane, tregon se tregu po bëhet gjithnjë e më i diferencuar sipas zonave dhe mundësive financiare të blerësve.
Ndër të tjera, raporti i AKP-së pasqyron një realitet të dyfishtë, nga njëra anë, një treg që qarkullon qindra milionë euro dhe vazhdon të tërheqë investime dhe nga ana tjetër, një numër më i vogël blerësish që vë në pah vështirësitë e qytetarëve për të siguruar banesë në kushte të përballueshme. (koha.mk)


