Lajme

Maqedonia e Veriut me fitim 150 milionë euro: stabilitet bankar mes luhatjeve në rajon

Gjashtëmujori i parë i vitit 2025 “i ngjyrosi me të kuqe” kolonat në bilancet e bankave në Rajonin e Adriatikut, duke i krahasuar fitimet gjashtëmujore të këtij viti me rezultatet rekord të vitit të kaluar. Me përjashtim të sektorit bankar në Slloveni dhe në Serbi, në vendet e tjera të rajonit treguesit e fitimeve totale të bankave shënuan ulje, thuhet thuhet në analizën e realizuar nga portali “Pari.mk”, përcjell PressOnline.al.

Megjithatë, kjo nuk shihet si shqetësuese, pasi rënia – përveç në Mal të Zi – nuk është drastike, ndërsa fitimet në shuma absolute vazhdojnë të jenë qindra miliona euro. Si duken saktësisht shifrat në bilancet e sektorit bankar të Rajonit të Adriatikut, sipas të dhënave të bankave qendrore?

Në vlerë absolute, fitimin më të madh e ka sektori bankar në Kroaci, me 795 milionë euro për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, por kjo është 1,4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në sektorin bankar të Sllovenisë është regjistruar rritja më e madhe e fitimit, plot 11,1%. Bankat sllovene realizuan 551 milionë euro fitim në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ndërsa vitin e kaluar kishin 490 milionë euro. Në pozitë pozitive është edhe sektori bankar në Serbi, me rritje prej 2%. Fitimi i përgjithshëm i bankave serbe në gjashtë muajt e parë arriti në 775 milionë euro, nga 760 milionë euro vitin e kaluar.

Rënien më të madhe e ka pësuar Mali i Zi, ku fitimi i bankave u ul me 19,8%. Banka Qendrore e Malit të Zi publikoi se bankat për gjashtë muajt e parë të këtij viti fituan 70 milionë euro, nga 87 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Situata në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoni, sektori bankar gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti realizoi fitim total prej 150 milionë eurosh, që është 5 milionë më pak se vitin e kaluar. Nga kjo shumë, 139 milionë euro i përkasin pesë bankave të mëdha, ndërsa 8,6 milionë euro bankave të mesme. Sipas Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, sektori bankar fitoi 294,8 milionë euro nga interesat dhe 92,9 milionë euro nga provizionet.

Banka Popullore regjistroi rritje të kreditimit dhe depozitave. Si rezultat, aktiva bankare u rrit për 1,8 miliardë euro në bazë vjetore, duke arritur në 14 miliardë euro më 30 qershor. Depozitat e përgjithshme të kompanive dhe qytetarëve arritën në 10 miliardë euro (+1,2 miliardë krahasuar me vitin e kaluar). Kreditimi u rrit për 1 miliard euro, duke arritur në 8,5 miliardë euro.
Banka më fitimprurëse ishte Komercijalna Banka me 48,3 milionë euro, e ndjekur nga Stopanska Banka Shkup me 28,4 milionë euro dhe NLB Banka me 26,2 milionë euro.

Situata në Serbi

Në Serbi, sektori bankar tejkaloi rekordin e vitit të kaluar. Bankat fituan 775 milionë euro në gjashtëmujorin e parë, kundrejt 760 milionë euro në vitin 2024. Pjesa më e madhe e fitimit erdhi në tremujorin e parë (416,5 milionë euro), ndërsa nga prilli në qershor fitimi ishte 358 milionë euro. Nëse edhe gjashtëmujori i dytë sjell të njëjtat shifra, atëherë fitimi vjetor do të jetë rreth 1,5 miliardë euro, njësoj si rekordi i vitit të kaluar.

Banka më fitimprurëse ishte Intesa me 134,4 milionë euro, e ndjekur nga Raiffeisen Banka me 121,5 milionë euro, UniCredit me 101,8 milionë euro dhe OTP Banka me 101,4 milionë euro. Gjashë bankat më të mëdha (NLB Komercijalna dhe AIK Banka përfshirë) përbëjnë 81,5% të fitimit total të sektorit bankar serb.

Të ardhurat neto nga interesat arritën 1,04 miliardë euro (40 milionë më pak se vjet), ndërsa nga provizionet 404 milionë euro. Aktiva e përgjithshme e sektorit bankar serb ishte 56,7 miliardë euro, pa ndryshim nga viti i kaluar.

Situata në Slloveni

Bankat në Slloveni realizuan fitim neto prej 551,2 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, një rritje prej 11,1% krahasuar me vitin e kaluar. Rritja kryesore erdhi nga të ardhurat jo nga interesat (+50,4%), që arritën 471,9 milionë euro, ndërsa të ardhurat neto nga interesat ranë me 11,9% dhe ishin 701 milionë euro. Në total, të ardhurat e sektorit bankar u rritën me 5,7%, duke arritur në 1,17 miliardë euro.

Kreditimi i popullsisë u rrit me 7% në 13,77 miliardë euro. Kreditë konsumatore u dyfishuan në 3,34 miliardë euro, ndërsa kreditë hipotekare u rritën me 6,5% në 8,8 miliardë euro. Kreditimi i korporatave ra lehtë (-0,1%) në 10,06 miliardë euro, por në gjashtëmujorin e parë u pa një rritje prej 3%.

Depozitat u rritën me 5,5%, duke arritur në 42,82 miliardë euro (28,37 miliardë euro nga familjet dhe 10,86 miliardë nga kompanitë). Aktiva totale e sektorit bankar slloven në fund të qershorit ishte 56,17 miliardë euro (+4,8%).

Situata në Mal të Zi

Sektori bankar në Mal të Zi shënoi rezultatet më të dobëta, me rënie të fitimit prej 19,8%. Fitimi i përgjithshëm ishte 70 milionë euro, ku 80% i përkasin katër bankave kryesore: CKB Banka (26 milionë euro), NLB Banka (13,3 milionë), Hipotekarna Banka (10,8 milionë) dhe Erste Banka (8,3 milionë).

Rënia u shkaktua kryesisht nga ulja e normave të interesit dhe nga të ardhurat më të ulëta nga provizionet, si dhe humbjet e Adriatic Banka. Megjithatë, kreditimi dhe aktiva e bankave vazhduan të rriten: aktiva arriti 4,7 miliardë euro (+10,5%), kreditimi neto 4,25 miliardë (+16,3%) dhe depozitat 5,64 miliardë euro (+5%).

Situata në Kroaci

Në Kroaci, fitimi i bankave u ul me vetëm 1,4%, duke arritur në 795 milionë euro. Fitueshmëria (ROA 1,9% dhe ROE 16,7%) mbeti në nivelin e vitit 2024.

Aktiva u rrit me 3,2%, duke arritur në 86,8 miliardë euro. Kreditimi u ul me 2,6%, kryesisht për shkak të reduktimit të plasmanit në bankën qendrore, por kreditimi i popullsisë u rrit me 7,3% dhe i kompanive me 8,9%.

Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë

Në Federatën e BiH, sektori bankar pati fitim prej 153 milionë euro (-8,7% krahasuar me vitin 2024). Kjo shënon ftohje të aktivitetit bankar, me rënie të fitimit dhe presione mbi të ardhurat nga interesat, ndërsa rregullatori vendos kërkesa më të rrepta dhe thekson sfidat e ardhshme: menaxhimin e riskut kreditor, riskut klimatik, sigurinë digjitale dhe transparencën më të madhe ndaj klientëve.

Të ardhurat neto nga interesat të 13 bankave ishin 222 milionë euro (+0,3%), ndërsa nga provizionet 108 milionë euro (+5,4%). Aktiva totale e sektorit bankar arriti 16,5 miliardë euro.

Në Republikën Srpska, fitimi i sektorit bankar në gjashtëmujorin e parë ishte 71 milionë euro, një rritje prej 12% krahasuar me vitin e kaluar.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif