Lajme

Publikohen pamjet e sulmit në Doha, Izraeli përdori 10 avionë për lëshimin e bombave (Video)

Ojektivi kryesor ishte udhëheqja e Hamasit në mërgim, përfshirë figurat më të larta politike dhe negociatore të organizatës…

Publikohen pamjet e sulmit izraelit në Katar. Rreth dhjetë avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite (IAF) kryen një ndërhyrje ajrore të shpejtë dhe të koordinuar mbi Doha, duke hedhur mbi dhjetë bomba në intervale të shkurtra kohore. Sulmi zgjati vetëm disa minuta, por mjaftoi për të shkaktuar panik në qytet dhe për të ndezur një krizë të re ndërkombëtare.

Raketat goditën të gjitha një ndërtesë ku besohet se ishin mbledhur udhëheqësit e Hamasit brenda pak sekondash. Gjatë rrugës për të kryer sulmin dhe gjatë kthimit për në Izrael, u kryen disa furnizime me karburant nga ajri.

Sipas mediave izraelite, objektivi kryesor ishte udhëheqja e Hamasit në mërgim, përfshirë figurat më të larta politike dhe negociatore të organizatës.

Në deklaratën e saj zyrtare, ushtria izraelite konfirmoi se, në bashkëpunim me shërbimin e sigurisë së brendshme Shin Bet, kishte kryer një “sulm të synuar kundër udhëheqjes së lartë të Hamasit”. Pa dhënë detaje të plota mbi lokacionin, Tel Avivi e paraqiti goditjen si pjesë të fushatës për “neutralizimin e komandës politike të Hamasit”.

Televizioni izraelit Channel 12 raportoi se objektivi kryesor ishte Khalil al-Hayya, lideri politik i Hamasit në Gaza dhe negociatori kryesor i grupit. Përveç tij, raportohet se në takim ndodheshin edhe figura të tjera të njohura si: Mohammed Darwish; Mousa Abu Marzouk; Husam Badran dhe Taher al-Nunu.

Sipas burimeve arabe, grupi ishte mbledhur për të shqyrtuar një draft-marrëveshje për armëpushim, të propozuar javën e kaluar nga i dërguari special amerikan, Steve Witkoff.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif