Në disa lokacione publike në qytetin e Velesit së fundmi janë shfaqur grafitë me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes, gjë që ka ngritur shqetësime te banorët mbi klimën e bashkëjetesës ndëretnike në këtë qytet.
Rrugës për në spitalin e përgjithshëm të Velesit, pacientët që shkojnë për të kërkuar ndihmë mjekësore i priste grafiti me mbishkrimin se “Çdo shqiptar që do të shkoje përpjetë, i ftohtë të kthehet.” Me çka ka bërë që disa pacientë të alarmojnë rastin në Alsat.
Përveç këtij grafiti, në një tjetër lokacion në afërsi të një shkolle fillore të Velesit po ashtu ishte shfaqur një grafit tjetër ku mban mbishkrimin “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”.

Pas ankesave të banorëve shqiptarë të Velesit, kontaktuam kryetarin e kësaj komune Marko Kolev. Nga komuna thanë se nuk janë në dijeni të grafiteve por do të marrin masa për fshirjen e tyre.
“Sipas njohurive tona, në Komunën e Velesit nuk është paraqitur ndonjë ankesë për këto mbishkrime, informacionin e parë e morëm nga ju dhe menjëherë do të veprohet në bashkëpunim me ndërmarrjen komunale që ato të sanohen”, thonw nga Komuna e Velesit.
Pas këtij njoftimi, nga komuna e Velesit na dërguan edhe fotografi për të konfirmuar se kanë marrë masa menjëherë.
Pyetëm edhe MPB-në se çfarë masash kanë ndërmarrë ndaj autorëve të këtyre grafieteve, por përgjigje nuk morëm ende.

Sipas kodit penal, konkretisht nenit 319, nxitja e urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare dënohet deri në 5 vite burg. / Alsat.mk