Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania po përgatitet për një luftë të zgjatur në Ukrainë, duke theksuar se fundi i konfliktit nuk mund të vijë në kurriz të kapitullimit të Kievit.
“Ne shpresojmë ta përfundojmë sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha Merz në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, “por jo me çmimin e dorëzimit të Ukrainës. Nëse ne heqim dorë nga Ukraina, atëherë nesër do të jetë një vend tjetër, dhe pasnesër do të jemi ne.”
Deklarata e kancelarit vjen në një moment kur edhe Moska ka konfirmuar se është e gatshme të vazhdojë luftën për sa kohë të jetë e nevojshme. Negociatat e fundit në Washington, të zhvilluara nga presidenti amerikan Donald Trump me liderët evropianë, nuk sollën ndonjë përparim të dukshëm, duke krijuar përshtypjen se të dyja palët janë të përgatitura për një konflikt të zgjatur.
Ky qëndrim i Berlinit është një sinjal i qartë për aleatët e NATO-s se Evropa duhet të përgatitet për një fazë të re të luftës, ku ndihma ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar.