Lajme

Gaza vdes nga uria; bota po vdes nga hipokrizia

Uria si armë lufte: ndërsa fëmijët palestinezë vdesin për bukë, liderët botërorë fshihen pas frazave diplomatike…

Në Gaza, uria nuk është më thjesht një rrezik, por realitet i shpallur zyrtarisht. Paneli ndërkombëtar i monitorimit të sigurisë ushqimore (IPC), i mbështetur nga agjencitë e OKB-së, shpalli më 22 gusht se qyteti i Gazës ka hyrë në fazën e pestë të krizës, atë që quhet pa ekuivok “uri”.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë sot në prag të vdekjes, ndërsa deri në fund të shtatorit shifra mund të arrijë 641 mijë.

Sipas raporteve të Washington Post dhe AP, të paktën 112 fëmijë kanë vdekur tashmë nga kequshqyerja, dhe sipas Reuters, mbi 138 persona vetëm gjatë gushtit kanë humbur jetën për shkak të mungesës së ushqimit dhe trajtimit mjekësor. Këto nuk janë shifra të thata, janë dëshmi se uria është bërë armë lufte.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e cilësoi këtë situatë si “një katastrofë e shkaktuar nga njeriu”. Amnesty International shkon edhe më tej, duke e përshkruar politikën izraelite të ndalimit të ushqimit dhe shkatërrimit të infrastrukturës bazë si një strategji të qëllimshme për të uritur popullsinë.

The Guardian kujton se për vite me radhë Izraeli ka kontrolluar deri edhe llogaritjen e kalorive që hynin në Gaza, duke e kthyer bukën në instrument kontrolli politik. Dhe megjithatë, pavarësisht kësaj skeme çnjerëzore të dokumentuar, asgjë nuk ndryshon. Ndihmat janë të pakta, korridoret humanitare të bllokuara, ndërsa fuqitë e mëdha mjaftohen me deklarata.

Në një kohë kur miliarda euro dhe armë shkojnë drejt Ukrainës brenda pak ditësh, Gaza pret për një thes miell. Në një kohë kur liderët perëndimorë flasin për liri dhe të drejta të njeriut, fëmijët palestinezë vdesin të uritur në kampet e mbushura me çadra. Amerika e ka shndërruar ndihmën humanitare në mjet presioni, Europa është zhytur në një heshtje të turpshme, ndërsa bota arabe, që pretendon të flasë në emër të Palestinës, shikon nga ana tjetër. Heshtja është bërë bashkëfajësi.

Mohimi i Izraelit se uria ekziston nuk e zhbën realitetin. Në çdo spital të mbingarkuar të Gazës, në çdo kamp refugjatësh, shihen trupat e vegjël të fëmijëve që nuk e përballojnë dot më. Raportet e IPC-së, të Washington Post, të Guardian, të Amnesty dhe të Reuters nuk janë propagandë, por dokumentim i një krimi. Kur ushqimi ndalohet me qëllim, kjo nuk është më luftë, por një formë gjenocidi e ngadaltë.

Bota e di, por nuk vepron. Dhe kjo është pjesa më e tmerrshme. Sepse heshtja ndërkombëtare sot është më vdekjeprurëse se raketat. Çdo ditë e humbur është një fëmijë më pak, një varrim më shumë, një kapitull më i errët në historinë e njerëzimit. Gaza është pasqyra ku bota sheh fytyrën e vet të shëmtuar: një civilizim që pretendon se mbron të drejtat e njeriut, por lejon urinë të përdoret si armë.

Nëse sot nuk ngrihemi kundër kësaj padrejtësie, nesër nuk do të kemi më asnjë të drejtë morale të flasim për humanizëm, drejtësi apo paqe. Gaza po vdes nga uria. Bota po vdes nga hipokrizia.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif