Hirësia Andoni dhe delegacioni rus vijnë në Shqipëri, ndërsa misteri dhe interesat e Patriakanës ruse trondisin qarqet politike dhe kishtare…
Ndërsa bota perëndimore ishte përqëndruar në Alaskë, ku Donald Trump dhe Vladimir Putin u takuan për të tentuar paqen në Ukrainë, në kryeqytetin shqiptar ndodhi një episod i vogël, i lidhur me Moskën.
Hirësia e tij Andoni, shefi i marrëdhënieve me jashtë i Patriakanës Ortodokse të Rusisë ka vizituar papritur Tiranën në një mision diplomatik.
Mision për të cilin u fol shumë pak, si në qarqet politike, ato kishtare por edhe mediat në vend.
Media, të cilat, në pjesën më të madhe kanë përdorur një standard “miqësie” me kreun e ri të Kishës Ortodokse, duke publikuar pa ndryshim çdo njoftim që vjen nga zyra e shtypit të pasardhësit të Anastas Janullatusit.
Ndërkaq, njoftimi për shtyp i Kishës Ortodokse Shqiptare, mikpritësja e delegacionit rus, ishte shumë i thatë.
Përkatësisht vetëm dy paragrafë të vegjël: “Gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet ndërorthodhokse, si dhe mbi tema të ndryshme që lidhen me dëshminë e Orthodhoksisë në botën e sotme.
Një theks i veçantë iu dha çështjes madhore të paqes në Ukrainë, duke u theksuar gjithashtu nevoja për lutje, dialog dhe përpjekje të vazhdueshme për arritjen e saj”.
Edhe në një situatë normale, një vizitë e Patriakanës ruse është paksa jo e zakontë në Shqipëri, pasi Kisha Ortodokse Shqiptare është pjesë e Patriakanës së Stambollit, jo pjesë e hierarkisë kishtare të Moskës. Ardhja e tyre mund të përligjej për ndonjë pelegrinazh në ndonjë vend të shenjtë special të botës ortodokse, apo një samit panortodoks. Gjë që nuk është rasti.
Atëherë përse ka ardhur Imzot Andoni, krahu i djathtë i Patriarkut Kiril në Tiranë, së bashku me Protopresviterin Nikolaj Balashov dhe Protopresviterin Igor Jakimçuk?
Për çështje kishtare të karakterit organizativ apo liturgjik nuk se ka ndonjë arsye të veçantë. Kjo pasi Patriakana e Moskës, kryesisht qeveris vendet sllave por jo të gjitha, pasi edhe Serbia, Bullgaria etj kanë kisha autqefale, duke ngritur prej shekujsh patriarkanat e tyre.
Për çështje liturgjike nuk se ka ndonjë marrëdhënie shkëmbimi materialesh apo literature, pasi Kisha e Moskës përdor gjuhën ruse në aktivitetin e saj, kurse ajo e Shqipërisë, përdor literaturat në gjuhën shqipe, greke apo edhe angleze.
Pra, misteri i këtij misioni, pa marrë vesh arsyen reale është i kuptueshëm, e pikëpyetjet e hamëndësimet janë të shumta. Megjithatë, ka një fill, jo të vogël, që ushqen një marrëdhënie, jo ‘rrufe në qiell të pastër’ të Kishës ruse me Kishën Ortodokse të Shqipërisë.
Para disa vitesh, përkatësisht, në prill të vitit 2018, në Shqipëri erdhi personalisht kreu i Kishës së Rusisë, patriarku Kirill. I cili u prit në një audiencë të posaçme edhe nga Edi Rama, që e trajtoi me një kujdes të posaçëm, duke i treguar edhe artefaktet e kryeministrisë dhe i foli për artin shqiptar, kryesisht atë bizantin.
Kisha Ortodokse e Rusisë, është një institucion shumë i rëndësishëm jo vetëm shpirtëror, por edhe politik atje. Me Putinin në krye të Kremlinit, Patriakana e Moskës është kthyer në rolin e saj kyç që ka pasur në kohën e carëve, kur ishte palca kurrizore e hegjemonisë ruse.

Patriakana, mbrojti me forcë pushtimin ushtarak të Ukrainës dhe ka kundërshtuar autoqefalinë e Kishës Ortodokse ukrainase. Madje pas pushtimit të Ukrainës, ndodhi edhe shizma e madhe ndërmjet Patriakanës së Stambollit që pëfshin ortodoksët europianë dhe asaj të Moskës.
Patriakana e Stambollit kundërshtoi hapur pushtimin e Ukrainës dhe ka ndihmuar kishën ortodokse atje. Ndërkaq, në kohën e Janullatusit, Kisha Ortodokse shqiptare ishte e vetmja qendër ortodokse perëndimore, që jo vetëm nuk mori pjesë në këtë debat, por i mbajti lidhjet me Kishën Ruse.
Misioni i saj në Tiranë, në një vend anëtar të NATO-s, nuk është gjë tjetër veçse çarje e izolimit ndërkombëtar që ka Patriakana, si pjesë e establishmentit politiko-ideologjik të hegjemonizmit rus. Pasi është vizita e parë në një vend perëndimor, pas pushtimit të Ukrainës nga Putini në shkurtin e vitit 2022.
Kur Edi Rama priti Patriakun Kirill, u tha nga disa qarqe në Tiranë, se po përgatiste më kujdes vizitën e tij në Moskë si kryetar i ardhshëm i OSBE-së. Vizitë që e kreu në shkurtin e 2020-s, kur takoi Sergej Lavrovin, kreun e diplomacisë ruse, i cili ka krijuar me Patriakanën një rrjet të fuqishëm të influencës së Moskës.
Po sot, ç’punë ka Kisha ruse në Shqipëri?
A po përgatitet ndonjë vizitë e nivelit të lartë, apo ndonjë zhvillim tjetër, një lloj negocimi paralel apo shkëmbime mesazhesh? Këtë askush s’e thotë, megjithatë fakti është mjaft tronditës. Pasi as Greqia, që është vendi më ortodoks i botës Perëndimore dhe që ka lidhje direkte e Patriakanën e Stambollit, nuk ka një lidhje kaq të afërt me Patriakanën e Moskës, siç ka Tirana./Pamfleti