Tetovë, 18 gusht – Në dy afatet e regjistrimit, gjithsej në pesë shkollat e mesme komunale në Tetovë janë pranuar 736 nxënës. Prej tyre, 573 nxënës shqiptarë, 155 nxënës maqedonas dhe tetë nxënës turk. Në ndërkohë, më 21 gusht është afati i tretë për regjistrime në shkollat e mesme, ndërsa pritet që nxënësit që nuk janë pranuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviç” dhe në Shkollën e Mesme Komunale Ekonomike “8 Shtatori” të drejtohen për regjistrim në dy shkollat tjera, respektivisht në Shkollën e Mesme Komunale Tekstile dhe Gjimnazin “7 Marsi”. Në këto dy shkolla në dy afatet paraprake ka pasur më pak interesim për regjistrim. Për shkak se në Gjimnaz, Mjekësi dhe Ekonomi, kriteret janë më të rrepta për regjistrim, pritet që nxënësit të kapin trenin e fundit për regjistrim në dy shkollat tjera, gjegjësisht në Tekstile dhe në Gjimnazin “7 Marsi”.
“Edhe pse kemi pasur numër të madh të nxënësve, të cilët kanë aplikuar në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në gjimnazin e Tetovës, mirëpo për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të pikëve, këta nxënës nuk kanë mundur të pranohen. Sipas të dhënave që kemi marrë nga të gjithë pesë shkollat e mesme që janë në kompetencë të komunës së Tetovës, gjithsej në afatin e parë dhe të dytë janë regjistruar 573 nxënës shqiptarë, 155 nxënës maqedonas dhe tetë nxënës turk. Sipas planit për regjistrim të nxënësve në shkollat e mesme të Tetovës, i cili fillimisht kalon përmes këshillit komunal dhe më pas dërgohet për pëlqim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ku gjithsej në pesë shkollat e mesme të Tetovës kemi gjithsej 900 vende të lira. Kjo nuk do të thotë se të gjithë këta vende të lira do të plotësohen sepse viteve të mëhershme kemi pasur rënie të numrit të nxënësve, edhe pse për dallim nga ato vite këtë vit shkollor 2025/26, do të kemi pak më shumë nxënës si në shkollat fillore po ashtu edhe ato të mesme”, deklaroi Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Problem në vete është Gjimnazi “7 Marsi”, ku në dy afatet e para ka pasur vetëm 22 nxënës të pranuar. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka pranuar kërkesën e Komunës së Tetovës që të ulet numri i pikëve për pranim në këtë gjimnaz edhe atë nga 60 në 50 pikë. Pasi Ministria dha pëlqim për uljen e pikëve, pritshmëritë janë që të ketë më shumë nxënës që do të pranohen. “Për fat të keq, në Gjimnazin ‘7 Marsi’, në dy afatet e regjistrimit kemi të pranuar vetëm 22 nxënës pasi që kanë plotësuar kriteret ndërsa kriteri për pranim ka qenë 60 pikë. Ne kemi kërkuar që të ulet kriteri dhe kjo është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. E dimë që një nga problemet që ka pak interesim për regjistrim në këtë gjimnaz është largësia e shkollës. Dihet se tashmë ka filluar ndërtimi i objekteve për shkollën e mesme tekstile dhe gjimnazi brenda në qytet dhe besojmë largësia më nuk do të jetë problem. Besojmë se ata nxënës që nuk u pranuan në Gjimnaz, Mjekësi dhe në Ekonomi do të drejtohen në shkollat tjera dhe do të arrihen numër i mjaftueshëm i nxënësve”, tha përgjegjësi për arsim, Nazmi Dauti.
Edhe nga drejtoria e Gjimnazit “7 Marsi” thonë se pritshmëritë janë që pas afatit të tretë të arrihet numër i mjaftueshëm i nxënësve që ky institucion të funksionojë normalisht. “Duke u bazuar në uljen e pikëve që na lejuan, nga 60 në 50 pikë, ky numër i nxënësve dukshëm pak u ndryshua dhe arriti në 22 nxënës, me çka shpresojmë se tash në afatin e gushtit, respektivisht më 21 gusht ky numër të rritet dhe shpresoj të kemi një numër të konsiderueshëm me çka do të mund të funksionojë shkolla jonë me paralelet që i kemi, respektivisht 8 paralele me nga 20 nxënës që do të jetë një kusht për të funksionuar edhe ne si shkollat tjera”, deklaroi Ismail Vlashi, drejtor i Gjimnazit “7 Marsi” në Tetovë.
Edhe nga Sektori për arsim edhe nga Gjimnazi “7 Marsi” apelojnë që nxënësit që nuk kanë plotësuar kriteret për regjistrim në shkollat tjera, të njëjtit të drejtohen në Shkollën e Mesme Tekstile ose Gjimnazin “7 Marsi” që të mund të regjistrohen dhe viti shkollor të fillojë pa probleme si për nxënësit po ashtu edhe për prindërit. (koha.mk)