Nga: Xhelal Idrizi
Zyrtarisht ende s’ka filluar fushata, por realisht politikanët tanë e kanë nisur shumë më herët – me fotografi, premtime e propaganda. Ndërkohë, detyrat e përditshme i kanë lënë pas dore. Tetova po pret, por askush nuk po punon për të.
Kanë kaluar 20 vite premtime për ujë, për mbeturina, për kulturë, për infrastrukturë – dhe prapë jemi në të njëjtën pikë.
6 muaj fushatë, lodhje, shpifje, por asnjë projekt i rëndësishëm për Tetovën. Asgjë konkrete, asgjë që prek jetën tonë. Tetova ngec, ndërsa politikanët merren me vetveten.
⸻
Si qytetar që e dua Tetovën, i përkujtoj këto figura që lanë vepra të mëdha:
• Fadil Sulejmani – themelues i USHT
• Arben Xhaferi – themelues i UEJL
• Murtezan Ismaili – rruga industriale
• Hazi Lika – rruga kryesore dhe shtrati i lumit Peña
• Dr. Ilir Demiri – transformimi i spitalit të Tetovës
Këta lanë vepra – jo vetëm fjalë. Çfarë po lënë pas politikanët e sotëm?
⸻
Çfarë i duhet sot Tetovës? Këto janë kërkesat e qytetarëve:
• Rrugë jetike për lëvizje dhe siguri:
• Prej stadiumit te shkolla e Teteksit dhe deri te Stella.
• Rruga jashtë Vardarit, qerdhja, xhamia e rinisë – ku ka ndodhur edhe viktima.
• Rruga e Malësisë deri në Brodec – zvarritet për vite.
• Zgjidhje për mbeturinat në të gjithë Pollogun – projekt 20 milionë euro, që sjell edhe prodhim të rrymës.
• Teatri i qytetit – një qytet me kulturë duhet ta ketë edhe skenën e vet.
• Akademi për të rinjtë – që të mos emigrojnë por të zhvillohen këtu.
⸻
STADIUMI – zemra e Tetovës!
Një stadium modern për 20,000 tifozë nuk është vetëm sport – është ekonomi, imazh dhe zhvillim. Është nxitje për bizneset lokale dhe për rininë.
⸻
Turizmi malor – potencial i pashfrytëzuar
Tetova ka Sharritin, Kodra e Diellit, vende për ski, për ecje, për turizëm natyror dhe familjar, por askush nuk po investon seriozisht.
Mali Sharr është një pasuri kombëtare dhe shtetërore, por mbetet i paorganizuar.
Rruga Tetovë-Prizren që lidh drejt me bregdetin e Shqipërisë, do të transformonte lëvizjen, tregtinë dhe turizmin. Kjo rrugë është më shumë se infrastrukturë – është zhvillim strategjik për gjithë rajonin.
⸻
THIRRJE PËR DY KANDIDATËT DHE LISTAT PËR KËSHILLTARË:
Futni këto kërkesa në programin tuaj – jo vetëm për fjalë, por për zbatim!
Tetova nuk ka më kohë për premtime boshe. Ka nevojë për punë me tri ndërrime, për zhvillim serioz, për zgjidhje afatgjata.
THIRRJE PUBLIKE PËR TË GJITHË ATA QË KËRKOJNË VOTA SI KËSHILLTARË KOMUNALË
(nga Xhelal Idrizi)
Secili që pranon të jetë në listat për këshilltar në zgjedhjet e ardhshme lokale, duhet ta dijë qartë: nuk është thjesht “në listë”, por në barrën e një përgjegjësie publike që fillon që ditën kur pranon të kërkojë vota.
Askush nuk ka të drejtë të kërkojë vota pa u zotuar se do të jetë:
zë i qytetarëve,
kontrollues i pushtetit lokal,
dhe përgjegjës për çdo premtim që bëhet në emër të listës që përfaqëson.
Këshilltarët janë të zgjedhur nga populli dhe për popullin, jo për të heshtur katër vjet dhe për të ngritur dorën si urdhëron partia.
Ata janë bashkëpërgjegjës me kryetarin e komunës dhe kryesuesin e këshillit për çdo vendim që ndikon në jetën e qytetarëve: nga buxheti, infrastruktura, subvencionet, ndihma sociale, deri te planifikimi urban.
Mjaft me listat e heshtjes!
Mjaft me kandidatë që zhduken ditën pas zgjedhjeve!
Kërkoj që çdo kandidat për këshilltar të dalë hapur para qytetarëve dhe të japë një zotim publik për transparencë, qëndrim të qartë dhe llogaridhënie.
Kush nuk ka qëndrim para zgjedhjeve, nuk do ketë as kur të zgjidhet.
Futja në listë është privilegj –
Por pa përgjegjësi, është mashtrim!