Lajm i perditsuar: 30 ditë paraburgim në Shtëpinë Korrektuese në Ohër për 15-vjeçarin L.M. nga Gajra e Tetovës që dyshohet për vrasjen e së dielës në Tetovë
Lajm i mëparshëm:
Katër persona nga dy familjet e përfshira në incidentin e armatosur në Tetovë, ku si pasojë mbeti i vdekur një 46 vjeçar dhe 4 të tjerë u plagosën, pritet të përfundojnë në paraburgim. Sipas burimeve të televizionit Alsat, njëri nga të dyshuarit tashmë është paraqitur në gjykatë, dy ndodhen në arrati dhe një ndodhet në spital, pasi ai ishte në mesin e 4 të plagosurve në incidentin e së dielës.
Alsat mëson se bëhet fjalë për personat me iniciale L.M dhe Z.M nga fshati Garje, si dhe R.T dhe M.T. nga familja tjetër nga Tetova.
Një ditë më parë policia kishte kryer bastisje në disa lokacione në fshatin Gajre të Tetovës, ku, kishte gjetur sende me interes për hetimin. Gjatë bastisjeve, u arrestuan dy femra si dhe dy të mitur të moshës 15 dhe 17 vjeç, 3 prej të cilëve, pas marrjes në pyetje nga policia, u lanë të lirë. Vetëm 15-vjeçari u paraqit gjatë ditës së sotme në gjykatë.
Nga ana tjetër, të katër të plagosurit, sipas informatave që siguroi alsat, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Në Kirurgjinë Torakale qëndrojnë të shtruar dy pacientë, njëri prej të cilëve më herët ishte në rrezik për jetën, por sipas autoriteteve të spitalit, sot, përkeqësimet u kapërcyen. Në gjendje të qëndrueshme janë edhe 2 pacientët e tjerë, mes të cilëve edhe vajza 13-vjeçare.
Incidenti ndodhi të dielën në mesditë në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska”. Dëshmitarët thanë se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi. Jo zyrtarisht, bëhet fjalë për rast hasmërie mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje tjetër nga fshati Gajre. Deri më tani, si pasojë e përplasjeve të armatosura ka pasur disa viktima nga të dyja familjet./Alsat.mk