Lajme

Premtim i ri: Vitin e ardhshëm Plan Gjeneral Urbanistik për Tetovën

Draft-versioni i parë për Planin Gjeneral Urbanistik të Komunës së Tetovës pritet të jetë gati brenda një viti. Kështu ka deklaruar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili tha se kjo është arritur falë angazhimit të Komunës dhe të kompanisë private që ka marrë përsipër të përpilojë Planin Gjeneral Urbanistik për Tetovën. Kasami, më tej tha se pjesa e planifikimit është një nga përgjegjësitë kryesore të pushtetit lokal.

“Ajo që e di opinioni është se veçmë kemi siguruar kompani, e cila ka nisur me përpilimin e Planit Gjeneral Urbanistik, është sigurua edhe financimi i të njëjtit dhe javën që kaloi, kishim edhe propozim të draft-versionit nga ana e operatorit që merret me përpilimin e Planit Gjeneral Urbanistik. Duke e ditur që është një proces shumë kompleks, me një angazhim maksimal të Komunës dhe Ministrisë së Transportit si ministri mbikëqyrëse e gjithë procesit, sigurisht me angazhimin edhe të operatorit të përzgjedhur për përpilimin e këtij plani, ne besojmë që do të arrijmë brenda një viti të kemi edhe draftin e parë, ku do të kërkohet nga Këshilli të miratohet dhe më pas do të dërgohet në ministri për të marrë pëlqim. Bëhet fjalë për një projekt ndër më kapitalet për Komunën e Tetovës, me çka përfundimisht do të dimë vizionin për të ardhmen dhe zhvillimin e qytetit”, deklaroi Kasami.

Në ndërkohë, në seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës, u miratuan edhe planet detale për “Bllokun Urban 75” dhe “Bllokun Urban 10”. Sipas Kasami, në “Bllokun Urban 75”, bëhet fjalë për unifikim të parcelës dhe aty planifikohen të ndërtohen banesa kolektive, kurse sa i përket territorit të Njësisë së Zjarrfikësve, aty do të punohet që zjarrfikësit të kenë kushte më të mira. Për Bllokun Urban, që është në afërsi të Kazermës së Tetovës, qytetarët që kanë prona do të mund të ndërtojnë shtëpi.

“Sot në mbledhjen e Këshillit kaluan dy blloqe urbane. Bëhet fjalë për ‘Bllokun Urban 75’, ku edhe asaj pjese i jepet mundësi për zhvillim, por dua të theksoj që në atë pjesë ndodhet edhe Njësia e zjarrfikësve ku i është dhënë mundësia për zhvillim që sigurisht në periudhën e ardhshme që ose ne si Komunë me financim publik të vet komunës ose ndonjë fondi të jashtëm, të zhvillojmë pjesën e Njësisë së zjarrfikësve. Me këtë Plan Detal Urbanisitk do të krijojmë kushte më të mira edhe për zjarrfikësit. Po ashtu u miratua edhe ‘Blloku Urban 10’, që gjendet në bulevardin ‘V.S Bato’, tek kazerma e qytetit, ku të gjithë ata që kanë prona, do të mund të ndërtojnë shtëpi në bazë të planit detal urbanistik, pra destinimi është për ndërtim të shtëpive”, deklaroi Kasami.

Këshilltarët e BDI-së kishin vërejtje për sa i përket miratimit të “Bllokut Urban 75”, ku sipas tyre, jepen leje për ndërtimin e banesave për persona të afërt me udhëheqësinë e Komunës, por Kasami mohoi lidhjet familjare me investitorët, ndërkaq nënvizoi se është pro investimeve sepse me këtë edhe zhvillohet qyteti, por edhe inkasohen mjete në arkën e Komunës. Ndryshe, gjatë seancës është miratuar edhe ndihma financiare për familjet që kanë fëmijë me nevoja të veçanta në vlerë prej 3000 denarëve. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png