Lajme

Rrahje brutale për shalqi në Oreshan

Një sherr për disa shalqi përfundoi me dhunë të rëndë fizike, ndërsa një person ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Oreshan të Shkupit, ku dy persona të moshës 39 dhe 31 vjeç, fillimisht e kanë ndjekur me kamion, pastaj kanë ushtruar dhunë të rëndë dhe kanë rrezikuar sigurinë e një personi tjetër, për të cilin kanë dyshuar se kishte vjedhur shalqi nga ara e njërit prej tyre. Prokuroria Themelore Publike ka lëshuar urdhër për procedurë hetimore ndaj dy personave, të cilët dyshohen për veprën penale “Dhunë”.

“Ata e kanë ndjekur të dëmtuarin me një kamion ndërsa ai po udhëtonte me veturën e tij nga Petrovec drejt fshatit Taor, deri sa është ndalur dhe ka hyrë në oborrin e shtëpisë së nipit të tij në Oreshan. Të dyshuarit kanë mbërritur menjëherë pas tij, kanë dalë nga automjeti dhe e kanë sulmuar. E kanë nxjerrë me forcë nga makina dhe e kanë goditur me grushte dhe shuplaka në kokë dhe trup. I dyshuari i dytë ka nxjerrë për gypa të ujësjellësit nga kamioni dhe e ka goditur edhe me të, deri sa i dëmtuari ka humbur ndjenjat”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Si pasojë, i dëmtuari ka marrë lëndime të rënda trupore dhe ndodhet në gjendje kërcënuese për jetën, në Klinikën e Neurokirurgjisë.

“Me veprimet e dhunshme, ata kanë shkaktuar ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike te dëshmitari, nipi i të dëmtuarit dhe në opinionin publik”, shtuan nga Prokuroria Themelore Publike.

Duke vlerësuar të gjitha rrethanat dhe rreziqet, prokuroria ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png