Kalaja e Shkupit, një prej simboleve më të vjetra dhe më të ndjeshme të kryeqytetit, është sërish në fokus të autoriteteve shtetërore, këtë herë nën udhëheqjen ekskluzive të funksionarëve nga VMRO-DPMNE.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, së bashku me kryetarin e BNJVL-së, njëherësh kandidat i VMRO-DPMNE-së për Qytet të Shkupit Orce Gjeorgjievski i shoqëruar dhe me një sërë kryetarësh komunash të Shkupit, të gjithë nga radhët e VMRO-DPMNE, zhvilluan sot një konferencë për shtyp në Kalanë e Shkupit, ku paralajmëruan nisjen e punimeve për pastrimin dhe “revitalizimin” e këtij monumenti historik. Gjithashtu, u tha se pritet të rinovohen edhe dy muzetë që ndodhen në hapësirën e kalasë.
Megjithatë, ajo që ra në sy ishte mungesa e plotë e përfaqësuesve të koalicionit VLEN, partner në qeverinë aktuale, çka ngrit pikëpyetje serioze mbi transparencën, përfshirjen dhe drejtimin e këtij projekti, sidomos për faktin se Kalaja e Shkupit është një hapësirë me simbolikë të fuqishme për komunitetin shqiptar në kryeqytet.
Në deklaratat e dhëna për mediat, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE e paraqitën Kalanë si “trashëgimi të historisë dhe krenarisë kombëtare”, duke lënë në hije përmasën multietnike të kësaj hapësire. Ministri i Kulturës, Zoran Ljutkov, deklaroi se tashmë ka nisur një plan për rinovimin e dy muzeve në Kala dhe për sistemimin e hapësirës përreth.
“Kemi siguruar 8 milionë denarë përmes rishikimit të buxhetit dhe menjëherë do të hapim tenderin për renovimin e hapësirave muzeale. Qëllimi ynë është që deri në vitin 2028, kur Shkupi do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës, Kalaja të shndërrohet në një hapësirë moderne dhe funksionale”, u shpreh Ljutkov.
Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva, informoi se Drejtoria e ka përgatitur specifikimin teknik.
“Do të shpallim tenderin në mënyrë që të mund të hyhet dhe të fillohet me punë. Në periudhën e kaluar, Drejtoria për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore ka tentuar disa herë të kontaktojë me Qytetin e Shkupit dhe me Ndërmarrjen Publike për Parke dhe Gjelbërim. Fatkeqësisht, pa sukses. Prandaj, si Drejtori, iu drejtuam ZELS-it dhe Orce Gjorgjievskit, dhe menjëherë morëm përgjigje pozitive. Me këtë rast u realizua edhe aksioni i sotëm, që është pjesë e planit për revitalizimin e Kalasë së Shkupit”, sqaroi Çestoeva.
Ajo shtoi se Drejtoria do të arrijë t’i përfundojë këto dy projekte infrastrukturore deri në fund të vitit dhe do t’i vë në funksion.
Ndërsa kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, aktualisht edhe kandidat i VMRO-DPMNE për kryetar të Shkupit, u shpreh se do të angazhohet për kthimin dhe ruajtjen e historisë kombëtarë.
“Historia nuk shkruhet në Facebook, as nuk debatohet në studio televizive. Ajo ruhet në terren, me projekte konkrete. Kalaja është simbol i qytetit dhe duhet të trajtohet si e tillë. Më vjen keq për gjendjen jo vetëm të Kalasë, por edhe të shumë objekteve të tjera në Shkup”, u shpreh Gjorgjievski.
Kontesti për Kalanë nuk është i ri. Në vitin 2011, ndërtimi i një kishe ortodokse mbi themelet e një ish-xhamie osmane në Kalanë e Shkupit nxiti përleshje të dhunshme ndëretnike, protesta dhe tensione që tronditën qytetin. Shqiptarët protestuan ashpër duke e konsideruar ndërtimin si përpjekje për të fshirë trashëgiminë e tyre historike dhe islame në hapësirën publike. Projekti u ndalua pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, por plaga mbeti e hapur. Tani, me VMRO-DPMNE në krye të Ministrisë së Kulturës, pa përfshirjen e faktorëve shqiptarë dhe pa asnjë debat të hapur publik, shumëkush pyet nëse po përsëritet një logjikë e ngjashme.
Rikthimi i vëmendjes ndaj Kalasë nga ana e VMRO-DPMNE, pa koordinim të dukshëm me partnerët shqiptarë dhe pa një debat publik gjithëpërfshirës, ngjall dyshime nëse nuk po përsëritet një qasje selektive dhe ekskluzive ndaj trashëgimisë historike të qytetit, në prag të vitit 2028, kur Shkupi pritet të jetë kryeqyteti evropian i kulturës. Nga ana tjetër, mungesa e reagimit nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtet vetëm sa thellon shqetësimin mbi pozicionimin dhe rolin e tyre në vendimmarrje për çështje me rëndësi simbolike dhe identitare për komunitetin shqiptar.
A do të jetë Kalaja e Shkupit një hapësirë për të gjithë qytetarët e Shkupit, apo sërish një arenë e imponimit të narrativave të njëanshme historike? Koha do ta tregojë, por sinjalet e para nxisin shqetësim të arsyeshëm. (koha.mk)