Liderët e moshës së tretë: Nga Putini te Trumpi, si ndryshon politika globale
Evropa, jo Amerika, është përjashtimi i madh. Në një botë të ndërtuar mbi shtetet-komb, ajo ka Bashkimin Europian, një strukturë mbi-kombëtare. Në një botë që e di se dhuna është pjesë e përhershme e jetës, Evropa besoi se e kishte kapërcyer këtë fazë (prandaj edhe ngutja e sotme për t’u armatosur sërish). Dhe në një botë ku udhëheqësit janë gjithnjë e më të moshuar, figurat si Macron e Meloni duken si talente të parakohshme.
Shifrat flasin vetë: Donald Trump, Xi Jinping, Narendra Modi dhe Vladimir Putin janë të gjithë në të shtatëdhjetat. Po ashtu Recep Tayyip Erdoğan i Turqisë, Benjamin Netanyahu i Izraelit, Cyril Ramaphosa i Afrikës së Jugut dhe Luiz Inácio Lula da Silva i Brazilit. Presidenti dhe udhëheqësi suprem i Iranit janë 70 dhe 86 vjeç. Presidentët e Nigerisë dhe Indonezisë janë të dy nga 73 vjeç. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës, një pjesë e madhe e sipërfaqes tokësore dhe fuqisë ushtarake, janë në duart e burrave më të vjetër se sa Ronald Reagan kur hyri në Shtëpinë e Bardhë në moshën “delikate” 69 vjeç.
Një nga forcat destabilizuese të botës sot është mosha e avancuar e atyre që e drejtojnë atë.
Liderët e vjetër kanë një nxitje të fortë për të lënë pas një trashëgimi, një arritje të madhe, përpara se t’u mbarojë koha. Ribashkimi i Kinës me Tajvanin është një shembull i tillë. Po ashtu edhe fushata për të rikthyer prestigjin dhe “thellësinë strategjike” të Rusisë pas Luftës së Ftohtë. Edhe ngutja e Trump-it për një marrëveshje të menjëhershme paqeje në Ukrainë, pavarësisht se si mund të dëmtonte vetë ukrainasit, apo për të shkatërruar sistemin e tregtisë globale, tregon një njeri të moshuar me nxitim për të lënë gjurmë.
Problemi i liderëve të vjetër nuk është shëndeti, shumica janë aktivë dhe mendërisht të kthjellët, por motivimi që i shtyn. Përveç se duan një trashëgimi të shpejtë, ata nuk kanë dekada pensioni për të vuajtur pasojat ligjore apo dëmin reputacional që mund të shkaktojë ndonjë vendim katastrofik gjatë mandatit.
Paradoksi është ky: mosha, që supozohet t’u japë njerëzve maturi dhe kujdes, shpesh i bën ata më të guximshëm. E njëjta gjë vlen edhe për votuesit. Kush do ta mendonte se ndërsa mosha mesatare e shoqërive perëndimore rritej, elektoratet do të bëheshin më anti-establishment? Ishin pikërisht të moshuarit që sollën Brexit-in dhe Trump-in.
Edhe nëse këta udhëheqës të moshuar do të qeverisnin me kujdes, vetë procesi i zëvendësimit të tyre sjell destabilitet. Në demokraci, ka një proces (nëse Trump respekton Amendamentin 22 të Kushtetutës amerikane), por çfarë ndodh me pasardhësin e Putinit apo Xi-t? Në mungesë të një tranzicioni të qartë, ka hapësirë për intriga politike, madje edhe për protesta publike që në kushte normale do të ishin të paimagjinueshme. Pranvera Arabe ndodhi pjesërisht sepse një brez liderësh në Afrikën Veriore, si Hosni Mubarak, kishin mbetur shumë gjatë në pushtet. Tani imagjinoni disa vende edhe më të fuqishme duke kaluar të njëjtën krizë pasardhësish në të njëjtën kohë.
Edhe skenari i asaj që vjen pas tyre është i mjegullt. Putin dhe Erdoğan kanë udhëhequr thuajse të gjithë këtë shekull. Xi dhe Modi kanë më shumë se një dekadë secili në pushtet. Kur Ali Khamenei u bë lider suprem i Iranit, ekzistonte ende Bashkimi Sovjetik. Netanyahu dhe Lula janë kthyer në detyrë pas pauzash. Këto shtete, në një farë mënyre, janë bërë produkte të liderëve të tyre aktualë. Askush nuk e di me siguri se çfarë do të ndodhë pas tyre, edhe diplomatë dhe agjentë perëndimorë përgjigjen me “supozime elegante” ose me një ngritje supesh.
Është e vështirë të gjesh një moment tjetër në histori ku kaq shumë liderë botërorë kanë qenë kaq të moshuar në të njëjtën kohë. Edhe në prag të Luftës së Parë Botërore, një periudhë që kujtohet si epoka e gjyshërve me mustaqe që çonin të rinjtë drejt kasaphanës, Kajzeri ishte në të pesëdhjetat.
Pse Europa, me median më të lartë të moshës, ka udhëheqës më të rinj?
Ndoshta kjo lidhet me natyrën e veçantë të kontinentit: një qeverisje më teknokratike, një kulturë e kompromisit dhe jo e forcës së zhveshur. Por edhe atje po ndryshon klima politike: Britania dhe Gjermania, pas pushtimit të Ukrainës, kanë zgjedhur kryeministra më të moshuar se zakonisht – edhe pse as Keir Starmer dhe as Friedrich Merz nuk kanë mbushur ende 70 vjeç.
Mësimi i sotëm: Mosha sjell urtësi, por edhe një lloj lirie të rrezikshme. Ajo i shtyn udhëheqësit të ndihen të detyruar ndaj shoqërisë, por u jep edhe një afat për arritje personale. Shkaktarët e çrregullimeve moderne janë të shumtë, ekonomia, historia, përplasjet gjeopolitike, por nuk mund të përjashtojmë faktin që disa burra të moshuar po nxitohen të lënë një trashëgimi përpara se t’u mbarojë koha. Dhe kjo mund të bëhet edhe më e rrezikshme sa më shumë të afrohet fundi i tyre politik.
Shkruar nga Janan Ganesh