Lajme

Izraeli po rrafshon gjithçka në Gaza, paguan me mijëra dollarë civilët për të shembur çdo ndërtesë!

Gërmimi i Rripit të Gazës është bërë një punë shumë fitimprurëse për civilët izraelitë. Ata që përdorin makineri të rënda për të shembur shtëpitë dhe infrastrukturën mund të fitojnë deri në 30,000 shekel në muaj, afërsisht 9,000 dollarë. Kjo sipas një hetimi nga gazeta izraelite “The Marker”, e cila mblodhi dëshmi nga disa operatorë buldozerësh.

Ky është një aspekt i anashkaluar nga shtypi ndërkombëtar, por i dokumentuar mirë nga gazetat e “Tel Avivit”: Civilët izraelitë dhe kompanitë e shkatërrimit, të porositura nga Ministria e Mbrojtjes, po luajnë një rol aktiv në shkatërrimin e plotë të Rripit të Gazës. Gazeta “The Times of Israel” shkruan: “Edhe pse zyrtarisht jo-luftëtarë, shumë civilë tani veprojnë në vijat e frontit, duke marrë rreziqe që normalisht rezervohen për ushtarët me uniformë. Ata kryejnë rregullisht punë shkatërrimi, inxhinierike dhe logjistike në zemër të Gazës”.

Kështu, nuk është vetëm IDF që vepron në Rrip, por edhe civilët izraelitë që veprojnë paralelisht, në një përpjekje të koordinuar.

Sipas raportimeve, në thelb ekzistojnë dy lloje listash çmimesh të miratuara nga Ministria Izraelite e Mbrojtjes. Në të parën, më pak fitimprurësen, ministria u paguan kompanive që ofrojnë buldozerë afërsisht 1,500 dollarë në ditë. Në të dytën, pagesa lidhet me numrin e prishjeve të përfunduara: për një ndërtesë trekatëshe, operatorët marrin 750 dollarë, ndërsa për strukturat më të larta shifra rritet në 1,500 dollarë. Me fjalë të tjera, sa më shumë prishje të kryejnë, aq më të larta janë fitimet. Sa i përket operatorëve të makinerive, ata mund të fitojnë deri në një pagë ditore prej 882 dollarësh ( The Guardian).

“Është gjithashtu çështje kohe. Pronarët e automjeteve e dinë se mund të rrisin të ardhurat e tyre, kështu që punësojnë izraelitë të motivuar”, shkruan The Marker.

Nuk është çudi, pra, që njoftimet online për këto pozicione plotësohen kryesisht nga të rinj izraelitë të cilët, përtej aspektit financiar, deklarojnë se veprimet e tyre drejtohen nga një ideal: “të kontribuojnë në shkatërrimin total të Gazës”. Shumë prej tyre janë kolonë, domethënë izraelitë që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ëndërrojnë ta bëjnë Rripin e Gazës të tyrin.

Rekrutimi i kolonëve

Këtë javë, gjatë një operacioni shkatërrimi në Khan Younis, Avraham Azoulay, një kolon nga Yitzhar, u vra në një përleshje midis ushtrisë izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit. Partia e Sionizmit Fetar, e udhëhequr nga Ministri Bezalel Smotrich, nuk hezitoi ta lavdëronte vdekjen e tij në një deklaratë zyrtare: “Azoulay erdhi në Rafah dhe shkatërroi shumë ndërtesa në emër të Shtetit të Izraelit. Ai vdiq si hero, ndërsa shkatërronte shtëpitë e armikut.”

Në maj, kur një tjetër kolon u vra ndërsa drejtonte një buldozer, MK Tzvi Sukkot (Sionizmi Fetar) i dha atij një lloj medaljeje trimërie, duke e quajtur përgjegjës për “arritjen më të madhe të luftës: zhdukjen e dhjetëra mijëra shtëpive”. Me atë rast, vetë udhëheqësi mesianik inkurajoi lëvizjen e kolonëve të vazhdonin të shërbenin në Gaza duke drejtuar buldozerë.

Midis këtyre “shkatërruesve serialë” spikat Rabbi Avraham Zarbib, një kolon nga Beit El, i cili është bërë një sensacion në mediat sociale falë videove që poston duke shkatërruar shtëpitë në Gaza. “Ne do ta shkatërrojmë këtë fshat të mallkuar deri në fund, deri në fitore, deri në vendbanim”, deklaroi ai në një nga videot e tij të fundit të xhiruara në Khan Younis. Çdo video shoqërohet me sloganin: “Nuk do të dorëzohemi derisa të fshihet gjithçka”.

Gazetari izraelit Uri Misgav raportoi se dy kompani veprojnë nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes. Të dyja kanë dhjetëra automjete dhe operatorët e tyre rekrutohen nga të ashtuquajturit “Hilltop Youth ” , ekstremistë hebrenj që dominojnë Bregun Perëndimor të pushtuar (dhe që kohët e fundit janë përleshur edhe me ushtrinë izraelite, e tillë është pandëshkueshmëria e tyre).

Civilët izraelitë shkatërrojnë atë që duan

Në Gaza, gjithçka u lejohet izraelitëve: kompanitë e ndërtimit që punojnë në enklavë mund (në fakt, duhet) të shkatërrojnë ndërtesa kudo, madje edhe pranë zonave ku palestinezët janë të grumbulluar së bashku. Shpesh ndodh, raporton Haaretz, “që kur buldozerët u afrohen shumë palestinezëve të paarmatosur, ushtarët hapin zjarr, duke pretenduar se afërsia e civilëve përbën rrezik”. Ky mënyrë kriminale veprimi është përdorur tashmë për të qëlluar njerëz të varfër e të uritur që presin në radhë për ndihmë, të akuzuar si “një kërcënim potencial”. /Përshtatur nga “Inside Over”

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png