Krizë në qeverinë izraelite, 1 mandat “mban në këmbë” Netanyahun…
Kronika politike izraelite nuk njeh pushim, as në vapën përvëluese të korrikut kur qytetarët e Tel Avivit apo Haifës kërkojnë arratisje në bregdet pas muajve të luftës. Më 15 korrik, partia “Judaismi i Bashkuar për Torën” (UTJ), përfaqësuese e komuniteteve ultraortodokse hebraike, njoftoi tërheqjen përfundimtare nga koalicioni qeveritar. Kjo lë Kryeministrin Benjamin Netanyahu me vetëm 61 deputetë në Knesset, një mbi kufirin minimal të shumicës.
UTJ përfaqëson rreth 11% të popullsisë izraelite që ndjek rregulla të rrepta fetare dhe shpesh operon në bashkëpunim me partinë tjetër ultraortodokse, Shas. Këto parti jo vetëm që janë fetare, por edhe etnike: UTJ përfaqëson ashkenazitë (hebrejt me origjinë nga Evropa Lindore), ndërsa Shas është parti e komunitetit sefardit (hebrejt nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme). Të dyja kanë rrënjë në lëvizjen e vjetër Agudat Yisrael, e themeluar më 1912 si krahu politik i ortodoksisë hebraike, që fillimisht refuzonte idenë e një shteti laik, por më pas pranoi të marrë pjesë në politikën izraelite.
Kriza për shkak të shërbimit ushtarak: një pakt i pathënë në rrezik
Historikisht, komunitetet ultraortodokse kanë qëndruar në politikën izraelite mbi një pakt të heshtur: në këmbim të pjesëmarrjes së tyre në një shtet laik, ata përjashtohen nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm. Por ky pakt është vënë në dyshim pas një vendimi të Gjykatës së Lartë vitin e kaluar që shfuqizoi përjashtimin. Si kundërpërgjigje, UTJ dhe Shas i kërkuan Netanyahu-t të miratojë një ligj që përmbys këtë vendim.
Mirëpo, këtë herë Likud-i i Netanyahu-t nuk po pranon të dorëzohet, për shkak se vendi ndodhet në konflikte të shumta dhe kërkon më shumë trupa ushtarake. UTJ tashmë e ka lënë koalicionin, ndërsa Shas është ende në fazën e shqyrtimit. Në lojë nuk është vetëm mbijetesa e qeverisë – por mbijetesa e një ekuilibri politik dhe social që ka zgjatur dekada.
Ekstremi i djathtë dhe nacionalizmi fetar: Smotrich dhe Ben Gvir
Përtej partive tradicionale fetare, ekzistojnë edhe formacione më ekstremiste, që promovojnë një linjë të ashpër ndaj Gazës dhe kolonizimin e plotë të Bregut Perëndimor. Bëhet fjalë për partitë e Bezalel Smotrich (Sionizmi Fetar) dhe Itamar Ben Gvir (Fuqia Hebraike). Këto nuk janë thjesht ultra-religjioze – ato janë nacionaliste fetare.
Smotrich dhe Ben Gvir nuk ndajnë konceptin pasiv të ortodoksëve për “jetesën në një shtet laik”, ata besojnë në krijimin e “Izraelit të Madh” bazuar në tokat që përmend Torah. Partia e Ben Gvir, që ka rrënjë në lëvizjen raciste të ndaluar Kach, përfaqëson një rrezik të hapur për paqen e brendshme dhe të jashtme.
Pikërisht këtyre partive Netanyahu u ka dhënë çelësat e qeverisë dhe të shtetit, një vendim që në afat të gjatë mund të rëndojë seriozisht mbi bilancin historik të tij si lider.