Lajme

Nga Ankaraja në Tel Aviv: Si fuqitë rajonale po shqyejnë Sirinë!

Siria në rrethim: Nga Turqia në Veri te Izraeli në Jug, gara për ndarjen e vendit…

Përkundër ashpërsisë së krizës, Siria vazhdon të qëndrojë jashtë vëmendjes ndërkombëtare. Arsyet janë të shumta. Së pari, ka një masë të tërë “ekspertësh”, pseudo-analistësh dhe oportunistësh që për vite me radhë predikuan se, me rrëzimin e Bashar al-Assad-it, Siria do të shndërrohej në një lloj Zvicre të Lindjes së Mesme, ku komunitetet e ndryshme do shkëmbenin lule dhe përqafime. Por sot, po ndodh pikërisht ajo që shumë “të këqij”, përfshirë të krishterë vendas të mësuar me tensione të përhershme, kishin parashikuar: pavarësisht karakterit të tij autoritar, Assad-i ruante një lloj ekuilibri mbi një shoqëri të ndarë thellësisht etniko-fetarisht dhe gjithmonë në rrezik shpërthimi.

Nga Ankaraja në Tel Aviv: Si fuqitë rajonale po shqyejnë

Tani, të njëjtët aktorë ndërkombëtarë që për vite vendosën sanksione shkatërruese mbi popullin sirian, por jo mbi elitën e regjimit, janë ata që po heqin këto sanksione dhe po përqafojnë regjimin e ri të Al-Jolani/Al-Sharaa. Ndërkohë, Siria ka parë masakra ndaj alevitëve, bomba në kishat e të krishterëve, përplasje mes milicive sunite dhe forcave kurde, dhe tani, luftë të hapur mes forcave qeveritare sunite dhe komunitetit druz në jug.

Heshtja mediatike dhe loja e madhe ndërkombëtare

Një tjetër arsye për heshtjen mbi Sirinë është konteksti gjeopolitik. Intervenimi rus në 2015 shpëtoi regjimin e Assad-it nga kolapsi përballë ofensivës xhihadiste, e cila mbështetej në mënyra të ndryshme nga monarkitë e Gjirit, Turqia dhe Perëndimi. Pasi riktheu kontrollin mbi Aleppon (2016), roli i Rusisë u kthye në një “garant stabiliteti” dhe arbitër midis fuqive të interesuara: Turqia në veri kishte dritën jeshile për të ndërhyrë dhe mbështetur islamistët në Idlib; Izraeli godiste lirisht objektivat iraniane, pavarësisht se Rusia kishte vendosur sisteme të avancuara mbrojtjeje në Siri; ndërsa Assad-i ruhej politikisht për aq kohë sa nuk shqetësonte Turqinë, Izraelin apo amerikanët në lindje.

Ky ishte një ekuilibër i brishtë i ndërtuar mbi pazare strategjike, jo mbi parime. Por gjithçka ndryshoi kur Erdoğan, dikur i vetëpërmbajtur, vendosi të zgjerojë kontrollin mbi Sirinë. Aktivizoi Hayat Tahrir al-Sham dhe Jolani veshi kostumin e moderuar të Al-Sharaa. Ky hap, i motivuar nga interesa spekulative, prishi gjithçka. Rusia u tërhoq drejt Libisë. Izraeli filloi një fushatë të pakufizuar bombardimesh ndaj Sirisë dhe vuri në shënjestër jugun e vendit, përfshirë Lartësitë e Golanit të pushtuara që prej 1967-ës.

Çështja e druzëve dhe “justifikimi perfekt”

Këtu hyjnë në lojë druzët, një komunitet monoteist i lidhur historikisht me elementë islamikë, judeo, kristianë dhe greko-ellenikë, i përhapur në Siri, Liban, Izrael dhe Jordani. Në Siri janë të përqendruar në jug, sidomos në Suweyda, dhe gjatë luftës civile janë përpjekur të mbeten neutralë, mes frikës nga Assad dhe kërcënimit islamist. Kanë krijuar milici të vetëmbrojtjes, që më vonë u përfshinë në rrëzimin e regjimit të Assad-it dhe rimarrjen e kontrollit në Suweyda e Daraa.

Ndryshe nga Izraeli, ku druzët janë të integruar dhe shërbejnë në ushtri, në Siri ata nuk u “blejnë” kurrë nga Assad. Marrëdhëniet me regjimin kalonin përmes ndërmjetësimit rus. Kur Al-Sharaa u përpoq t’i bindte të shkrinin milicitë e tyre në ushtrinë e re siriane, ai hasi në refuzim të prerë – të mbështetur tashmë edhe nga pozicioni në rritje i Izraelit, i fuqizuar pas sulmeve të Hamasit në vitin 2023.

Pas një vale bombardimesh (të justifikuara si “parandaluese”), Izraeli ndërhyri drejtpërdrejt në jug të Sirisë, duke avancuar deri afër Damaskut. Preteksti zyrtar, mbrojtja e druzëve, funksionoi për mrekulli: siguroi besnikërinë e druzëve izraelitë, tentoi të afrojë ata sirianë, dhe shërbeu si justifikim për të zgjeruar më tej projektin e “Izraelit të Madh”.

Në praktikë, shumë druza në Siri tani bashkëpunojnë me Izraelin dhe kërkojnë integrimin në shtetin hebre, një proces që po zhvillohet hap pas hapi.

Dhe bota… hesht

Gjithë kjo situatë, përveç se i shërben agjendës së Tel Avivit, është pranuar në heshtje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Strategjia tashmë duket qartë: të kthehet Siria në një shtet i gjymtuar, i pafuqishëm dhe i copëtuar. Jugu nën ndikimin izraelit, veriu nën kontrollin e Turqisë (e zhgënjyer që nuk mori më shumë), dhe lindja e pasur me naftë në duart e amerikanëve, të gatshëm të “hapin apo mbyllin rubinetin” sipas interesave të tyre.

Kjo është arsyeja pse sanksionet po hiqen dhe Al-Sharaa po “shpërblehet”: sepse nesër, pavarësisht se do jetë formalish në pushtet, ai nuk do ketë më asnjë peshë reale. Do të jetë thjesht një figurë simbolike në një shtet që do administrohet nga jashtë, në funksion të interesave të fuqive perëndimore, arabe dhe rajonale. 

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png