Qeveria duket se do të fusë në lojë izraelitët për prodhimin e armëve.
Sot qeveria ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit, lidhur me kapacitete mbrojtëse.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Shtetit të Izraelit, në lidhje me kapacitetet mbrojtëse, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet ën vendim.
Marrëveshja nuk është publikuar ende, por sipas burimeve ka të bëjë me ndërtimin e fabrikave të armëve. Në maj një marrëveshje u nënshkrua në qytetin bregdetar të Vlorës midis kompanisë ushtarake shtetërore të Shqipërisë, KAYO, dhe gjigantit izraelit të mbrojtjes Elbit Systems Ltd, duke i hapur rrugën rihapjes së Shkollës së Aviacionit pas 18 vitesh. Si duket bashkëpunimi do të vijojë dhe me qeverinë izraelite, ku futen sistemet e dronëve, mbrojtjes ajrore, etj.