Një mungesë e dukshme transparence mbi hetimet në SHBA lidhur me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein ka krijuar një ndarje të rrallë mes Presidentit Donald Trump dhe bazës së tij besnike republikane.
Origjina e çështjes Epstein
Jeffrey Epstein, një financier i pasur amerikan, u akuzua për herë të parë për krime seksuale në vitin 2006. Ai shmangu akuzat federale përmes një marrëveshje të diskutueshme që e dënoi për më pak se 13 muaj burg. Në korrik të vitit 2019 u arrestua sërish për trafikim të vajzave adoleshente dhe akte seksuale në këmbim të parave. Ai vdiq në burg, në gusht të 2019-s. Autoritetet deklaruan se ishte vetëvarur.
Ghislaine Maxwell, e dashura e Epstein, u burgos në vitin 2022, për ndihmë në abuzimet. Dosja e saj zbuloi lidhje me figura të njohura si Princi Andrew dhe ish-presidenti Clinton, të cilët i mohuan akuzat.
Pse ka teori konspirative?
Disa besojnë se autoritetet po fshehin të dhëna për të mbrojtur elitën e pasur që lidhej me Epstein. Një teori kryesore përfshin një listë klientësh të dyshuar për krime seksuale, për të cilën administrata Trump thotë se nuk ekziston. Disa vënë në dyshim vdekjen e Epstein, për shkak të defekteve në kamerat e sigurisë dhe të tjera parregullsi.
Trump dhe dosjet Epstein
Duke qenë pjesë e botës së pasurive të patundshme në New York, Trump ka pasur kontakte me Epstein. Ai ka premtuar më parë se do të publikonte dosjet, por nuk e ka përmbushur premtimin, gjë që ka zhgënjyer përkrahësit. Elon Musk ka sugjeruar më herët (në një postim të fshirë) se Trump është pjesë e dosjeve, gjë që ka shtuar spekulimet. Videot dhe dokumentet e publikuara deri tani nuk kanë dhënë informacione të reja, madje mungesa e një minute në pamjet filmike ka shtuar dyshimet.
Çfarë pritet më tej?
Trump thotë se mbështet publikimin e dosjeve “të besueshme”, por e cilëson çështjen si “të mërzitshme.” Presioni për më shumë transparencë vazhdon, madje edhe nga aleatët e tij politikë.