Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra ndaj homologut rus Vladimir Putin, duke e akuzuar se “flet budallallëqe” për luftën në Ukrainë dhe ka paralajmëruar dërgimin e më shumë armatimi për t’i ardhur në ndihmë Kievit përballë agresionit rus.
“Putini na godet me shumë budallallëqe, nëse dëshironi ta dini të vërtetën,” tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pas një takimi me kabinetin. “Ai është shumë i mirë gjatë gjithë kohës, por kjo rezulton pa ndonjë kuptim,” shtoi ai me ironi.
Trump u shpreh “shumë i pakënaqur” me rezultatin e bisedës së fundit me presidentin rus, e cila sipas tij nuk solli asnjë përparim drejt një marrëveshjeje për ndalimin e luftës që vazhdon prej më shumë se tre vjetësh.
Në vazhdim, ai konfirmoi se ka miratuar dërgimin e më shumë armëve për Ukrainën, përfshirë 10 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, në një veprim që përmbys njoftimin e mëparshëm të Uashingtonit për ndalimin e disa dërgesave të armatimit.
“Putini nuk po i trajton siç duhet njerëzit. Ai është duke vrarë shumë njerëz. Prandaj ne do të dërgojmë armë për mbrojtje dhe unë e kam miratuar këtë,” tha Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu i bëri thirrje Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të nxisë kontraktorët ushtarakë për të rritur prodhimin e armëve, duke theksuar nevojën për të përballuar rritjen e tensioneve në Evropën Lindore.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në një nga pikat më të ulëta historike dhe shtojnë trysninë ndërkombëtare mbi Moskën, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon të marrë jetë njerëzish çdo ditë.