Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka urdhëruar përgatitjet për ngritjen e një kampi gjigant për të strehuar 600 mijë palestinezë të zhvendosur në jug të Gazës, raportuan të hënën mediat izraelite.
Sipas Israel Katz, ky veprim synon të dobësojë ndikimin e grupit militant Hamas mbi popullatën në territorin e rrethuar bregdetar, i cili prej muajsh ndodhet në një krizë humanitare të thelluar.
Ministri deklaroi se po hartohen plane për ngritjen e një “qyteti humanitar” mbi rrënojat e Rafahut – një qytet që është shkatërruar pothuajse tërësisht nga luftimet. Qindra mijëra palestinezë që aktualisht jetojnë në çadra në zonën e al-Mawasi do të zhvendosen në këtë kamp të ri.
Sipas Katz, ndërtimi i kampit do të zhvillohet gjatë një armëpushimi 60-ditor, i cili është aktualisht në fazë negociatash midis Izraelit dhe Hamasit.
Administrimi i zonës do të bëhet nga “partnerë ndërkombëtarë”, ende të papërcaktuar, ndërsa forcat izraelite do të jenë të angazhuara vetëm në ruajtjen e sigurisë. Të gjithë palestinezët që do të hyjnë në kamp do t’i nënshtrohen kontrollit të sigurisë për të parandaluar infiltrimin e luftëtarëve të Hamasit.
Katz theksoi gjithashtu se kampi do të shërbejë si pjesë e një plani më të gjerë për largimin e popullsisë palestineze nga Gaza – një ide që kritikët e kanë cilësuar si dëbim i detyruar.